Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, ka reaguar me tone të forta pas publikimit të indeksit të fundit të lirisë së shtypit nga “Reporterët pa Kufij”, në të cilin Kosova ka pësuar rënie dramatike prej 24 pozicionesh, duke u renditur në vendin e 99-të. Lushaku e quajti këtë rënie një “kambanë alarmi” për të gjithë qytetarët dhe institucionet e vendit, duke theksuar se liria e fjalës është thelbësore për demokracinë dhe nuk duhet të cenohet nga asnjë pushtet. “Duhet ta duam lirinë e medias në Kosovë, siç kemi dashur Kosovën e lirë! Kosova po rrëshqet rrezikshëm drejt mbytjes së fjalës së lirë,” shkroi Lushaku. Ajo akuzoi pushtetin aktual për krijimin e një klime frikësuese ndaj mediave, përmes etiketimeve, sulmeve ndaj gazetarëve dhe përhapjes së propagandës. Një shtet që ka frikë nga fjala, ka frikë nga e vërteta. E ne duam të vërtetën, drejtësinë dhe lirinë për secilin qytetar! përfundoi ajo.
