Selatin Novosella: Adem Demaçi do të jetojë në kujtesën tonë derisa të jetojë Kosova

Jeta dhe krijimtaria e Selatin Novosellës, pasqyrë besnike e Lëvizjes sonë kombëtare që nga viti 1963 e deri tani

Publicistika shqiptare në përgjithësi e në veçanti, ajo që është krijuar dhe po krijohet  në Kosovë dhe që ka disa specifika,  ka në mesin e vet emra të njohur të Lëvizjes së Rezistencës Kombëtare, të cilët krahas aktivitetit të organizuar atdhetar, krahas veprimtarisë konkrete kombëtare në shërbim të kombit e Atdheut, krahas shumë sakrificave nuk kanë reshtur të vazhdojnë punën edhe në pasqyrimin sa më besnik të asaj veprimtarie, në mënyrë që brezave t’iu lihet edhe pjesa e shkruar e historisë, e cila aq shumë u ka munguar gjeneratave  tona të hershme për shkaqe që dihen.

Në mesin e krijuesve  më të spikatur, më të palodhshëm, e mbase më i frytshmi  në këtë segment të krijimtarisë sonë të përgjithshme letrare, pa dyshim se është Selatin Novosella, i cili në mbarim të dekadës së shtatë të jetës, ka arritur të shkruajë dhe të botojë rreth dyzet vepra, të cilat përbëjnë një opus origjinal krijues, që fakton e dokumenton momentet kyçe të Lëvizjes Atdhetare, e cila në kushte dhe rrethana kohore është shërbyer me emërtime të ndryshme, por mbi një bazament të veprimit unik rreth idesë së çlirimit dhe bashkimit kombëtar, …“rreth Flamurit të përbashkuar”…

I prejardhur nga një familje me tradita të mirënjohura kombëtare e atdhetare, Selatin Novosella së bashku me prindërit, pastaj  vëllezërit: Sabriun, Qazimin, Bedriun, motrat: Igballja, Magbulja, Meleqja  përbëjnë një tërësi integrale familjare në vazhdimësinë e rrugës së lirisë, të cilën e kishin trasuar gjyshërit e paraardhësit e tyre. Në këtë  gurrë të pashtershme të burimit atdhetar, Selatini nis rrugëtimin e tij që nga rinia e hershme dhe nuk e ndalon në asnjë periudhë të jetës, natyrisht duke u pozicionuar në kushte dhe rrethana të njohura, në të cilat ka kaluar Lëvizja jonë e Rezistencës.

I ndërgjegjësuar dhe i vetëdijshëm se rruga e lirisë ishte plot e përplot pengesa, rreziqe, sakrifica, ai i pranon të gjitha, pa dilemë, pa hezitim, duke e vepruar  madje edhe më me ngulmë  se ajo ishte rruga e vetme e një populli të robëruar dhe të katandisur, jo me fajin e paditurinë e tij, por i sulmuar dhe i shtypur nga mujsharët e botës në ndeshjet e tyre për pushtim e dominim.

Duke kontaktuar qysh në rini me ideologun më të njohur Lëvizjes së Rezistencës sonë Kombëtare, Bacë Adem Demaçi, me të cilin jetonte në të njëjtën Lagje, në Prishtinë, ai me kohë kishte identifikuar idealistin, i cili çante mes për mes shtigjet e rrugëve të lirisë. I prirë nga motoja historike, se  “Trimit të mirë i duhen edhe  shumë shokë”, Selatini me vëllezër jo vetëm që kishin treguar gatishmëri për veprim,  por ishin bërë pjesa vitale e atij angazhimi në organizmin e radhëve, në shtrirjen dhe konsolidimin e tyre, duke mos marrë para sysh asnjë pengesë. Kjo dëshmohet me faktin se  arrestimet, torturat, mbajtjet nëpër  burgje, në intervale të ndryshme kohore, jo vetëm që nuk i kishin kthyer nga rruga, por nuk kishin ushtuar as edhe mëdyshje më të vogël në ndërprerjen e veprimtarisë, Për më tepër burgu bënte edhe kalitjen e tyre shpirtërore e politike, për të vazhduar rrugën e lirisë pa marrë para sysh asnjë pengesë.

I tillë ishte mbeti, Selatini, të tillë ishin pjesa dërrmuese e militantëve të lirisë, mijëra syresh,  prej viteve ’60 të shekullit të kaluar e deri në çlirimin e Kosovës, në qershor të vitit 1999, kur y përmbyll një faqe ndër më të ndriturat e historisë sonë. Dhe jo vetëm kaq dhe jo vetëm këto, sepse jeta vazhdon, dhe  idealizmi është përmasa e vetëdijes dhe ndërgjegjes shpirtërore të individit, është ushqimi pa të cilin trupi edhe mundet, por kurrsesi shpirti i atij që është ushqyer e ushqehet me atë tharm jetësor.

Duke shkruar konkretisht për jetën dhe veprimtarinë e Selatin Novosellës, një jetë e bujshme me ngjarje, aktivitete, punë, angazhime ndër më të ndryshmet, qofshin ato familjare, shoqërore, organizative, politike, pastaj  një krijimtari jo vetëm voluminoze por edhe shumë përmbajtësore, natyrisht se autori që merr mundin për të shkruar ballafaqohet me mënyrën se si do t’ i qaset asaj krijimtarie, e cila shtrihet në kohë e hapësirë dhe e cila përmban në vetvete një korpus të tërë, që pret vlerësimin, kritikën, cilësimin, gjykimin e drejtë e të dokumentuar por edhe paanshmërinë, si parim parësor metodologjik, në radhë të parë në shërbim të vetë krijimtarisë dhe avancimit të saj për ta mbajtur hapin me kohën, në kushte dhe rrethanat tona aktuale të diskursit krijues.

***

Librat e parë publicistikë të  Selatin Novosellës, janë “Kosova ’68, Kosova ’64, Kosova ’75, në të cilat autori ka nxjerrë në dritë tri periudhat ndër më të  rëndësishmet të Lëvizjes sonë atdhetare, periudha në të cilat ka qenë subjekt dhe objekt i tyre.   Ishin këto librat e parë me një tematikë të tillë, që botoheshin në Kosovë dhe të cilat kishin zgjuar një interesim të veçantë te lexuesit edhe për faktin se autori i tri librave kishte qenë pjesë e formësuar aktive e zhvillimeve shoqërore e politike, jo i teleisur me tituj shkencorë, por me një dije të thellë, të fituar nëpër burgje ku brenda vitit, nga leximi mund të fitohet aq dije sa  për të  kryer një fakultet.

Jeta dhe krijimtaria e Selatin Novosellës, pasqyrë besnike e Lëvizjes sonë kombëtare që nga viti 1963 e deri tani

Duke rrugëtuar lirshëm drejt diskursit sa më të përparuar publicistik, letrar, autori begaton qasjen, pasuron fjalorin, zgjeron diapazonin krijues duke shfletuar literaturën, duke gjurmuar dokumentet, duke intervistuar bashkëvuajtës, por edhe personalitete të njohur, ai me kohë ka arritur  të bëjë kthesa jo vetëm në perceptimin e zbërthimin e elementeve të krijimtarisë së tij, por edhe në formësimin e plotë dhe integral në rrugë drejt materializimit të koncepteve qofshin ato shoqërore e politike, qofshin përshkruese e dokumentare, në mënyrën e trajtimit në librat e tij.

Pikërisht duke parë avashmin e vetë intelektual krijues, ai iu ka kthyer dhe i ka ribotuar  këto tri vepra me plotësime përkatëse, duke qenë se gjatë gjurmimeve e hulumtimeve ka arritur të zbulojë më shumë lëndë e faktografi dhe ka pasuruar më tej përmbajtjen e atyre librave.

Veprimtari dhe publicisti, Selatin Novosella, ka shkruar edhe disa monografi mjaft përmbajtësore për personalitetet e njohura dhe me shumë ndikim të Lëvizjes sonë kombëtare.

Alfa e shkrimeve dhe preokupimeve të tij krijuese, fiksioni i tij bazik,  ka qenë dhe po mbetet, Bacë Adem Demaçi. Ai është strumbullari, është epiqendra, vertebra e të gjitha preokupimeve të tij krijuese, metafora, simboli, aureola, bardi, sepse i del kudo, sepse realisht është e pamundur për të shkruar qoftë edhe një monografi modeste për një të burgosur politik, apo për një personalitet me rëndësi, që është bashkëkohës i Bacës, dhe të mos ndihet fryma e ndikimit kombëtar të Adem Demaçit. Duke qenë i pasionuar shpirtërisht pas jetës, kredos, dinjitetit, temperamentit, origjinalitetit, guximit, shpirtit luftarak e të pathyeshëm, politikanit të kalitur nëpër të gjitha furtunat e jetës,  humanistit të pashoq dhe të dëshmuar sa e sa herë   të Adem Demaçit, Selatin Novosella, pjesën dërrmuese, më të frymëzuar dhe më të arrirë të krijimtarisë së tij ia ka kushtuar dhe po ia kushton Bacës, me qëllim që jeta dhe veprimtaria e tij atdhetare të ndriçohet në të gjitha segmentet dhe të sendërtohet në një “Institucion” të llojit të vet, “Instituti Demaçi”. Ky angazhim i jashtëzakonshëm, kur të kemi para sysh kontributin që ka dhënë Demaçi për kombin e atdheun gjatë tërë jetës së tij, arsyeton përpjekjet për një monument të veçantë, për një Institucion, i cili merr përmasën e vet reale, të veçantë dhe të jashtëzakonshme.

Ndër monografitë e suksesshme janë edhe ato për veprimtarin po ashtu të mirënjohur të Lëvizjes Kombëtare, Metush Krasniqi, pastaj  monografi për militantin e Lëvizjes Kombëtare, Rexhep Mala, Isa Kastrati, shkrime biografike për dëshmorët e vitit 1981, katër vëllime të librit me kujtime “Nga koha në kohë” dhe vepra të tjera me interes për historinë, publicistikën, letërsinë dhe përgjithësisht krijimtarinë e kohës sonë, në të cilën Selatin Novosella ka lënë gjurmë të thella dhe nuk e ka ndërmend të ndalet sepse, jeta ka kuptim kur njeriu është i kënaqur me të, kur i sheh frytet e saj, kur sheh se mundi nuk ka shkuar huq dhe në fund, duke qenë e duke mbetur idealist i përjetshëm nuk ka çka të kërkojë tjetër nga jeta.

Selatinit i dëshiroj jetë të gjatë, shëndet, botime të reja dhe përmbushje të aspiratës së tij për krijimin e Institucionit Demaçi, të cilin duhet ta përkrahim unanimisht. Ky projekt i  tij tashmë është në rrugë të materializimit në përgatitje e sipër  me Shoqatën e të Burgosurve Politikë, Institutin  e Albanologjisë, Institutin e  Historisë dhe Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës për të nxjerrë në dritë botimin integral: “Vepra të zgjedhura të Adem Demaçit dhe për Adem Demaçin 1-44”.

Ahmet Qeriqi

  1. 7. 2018

Kontrolloni gjithashtu

Vaxhid Sejdiu: Arbëreshët kjo “rrënjë e fortë”...

Vaxhid Sejdiu: Arbëreshët kjo “rrënjë e fortë”…

“Me rastin e 90 vjetorit të lindjes së At Antonio Belushit, njërit nga rilindësit më …