Jeton Kelmendi

Jeton Kelmendi: ZEMËRIMI SI ENERGJI POLITIKE DHE RREZIKU I VERBËRISË KOLEKTIVE

(Një lexim filozofik i realitetit politik në Kosovë përmes Senekës)

“Zemërimi, nëse nuk kontrollohet, shpesh bëhet më i dëmshëm se lëndimi që e shkaktoi.”
— Seneka

Nga Në historinë e ideve politike, pak emocione kanë luajtur rol aq vendimtar sa zemërimi. Ai është shkëndija e revoltës, forca shtytëse e ndryshimit, por edhe katalizatori i shkatërrimit. Filozofi stoik Seneka e trajtoi zemërimin jo thjesht si ndjenjë individuale, por si fenomen moral dhe politik, i aftë të deformojë arsyen, të shtrembërojë gjykimin dhe të prodhojë pasoja më të rënda se vetë padrejtësia që e ka shkaktuar. Nëse ky mendim vendoset në kontekstin e Kosovës së pasluftës, ai merr një dimension të veçantë. Kosova është një shoqëri që nuk ka vuajtur nga mungesa e zemërimit, por nga keqmenaxhimi i tij politik. Zemërimi qytetar ndaj pushtetit 20-vjeçar të partive tradicionale ishte real, i akumuluar dhe i justifikueshëm. Por pikërisht këtu lind dilema senekiane: a u shndërrua ky zemërim në një forcë ndërtuese, apo në një akt hakmarrjeje politike që prodhoi forma të reja dështimi?
Kjo mbase kërkon një analizë të thellë, dhe meqe morëm Seneken për bazë, nuk duhet kaluar pa e potencuar edhe ndikimin e jashtëm dhe faktorin e brendshem që e portretizoj paknaqësinë në mënyrën më të shëmtuar.

 

Zemërimi si reagim moral dhe kufijtë filozofikë të këtij reagimi

Stoicizmi nuk e mohon zemërimin si reagim të parë ndaj padrejtësisë. Por ai e sheh atë si një impuls primitiv, që duhet të kalojë përmes filtrit të arsyes. Sipas Senekës, zemërimi bëhet i rrezikshëm në momentin kur mendon se ka të drejtë absolute. Në politikë, kjo shndërrohet në bindjen se “ne jemi morali, të tjerët janë krimi”. Në Kosovë, qytetarët u përballën për vite me radhë me korrupsion, nepotizëm, keqqeverisje, mungesë meritokracie dhe dështime strukturore. Zemërimi ndaj këtij realiteti ishte i pashmangshëm. Por problemi nuk ishte zemërimi vetë – problemi ishte mungesa e një kulture kritike që ta orientojë atë.

Zemërimi u bë qëllim në vetvete, jo mjet për reformë. Kësi soji, një grup, fillimisht i vogël, për tu zgjeruar më vonë dhe sot me një mbështetje mbi 50 përqind arriti ta materializoj ketë zemrim, madje edhe ta shtrembëroj deri në at shkallë sa që asnjë argument nuk mund ta bind masën se gjërat janë siç janë. Shih vitn 2025, pas sa e sa skandalesh dhe serish masa nuk i besoj të vërtetës. Dorën në zemër edhe në Kosovë si çdo kund tjetër kjo revoltë rritet nga mbështetja nga jashtë vendit.

 

Nga zemërimi racional tek zemërimi emocional

Në fazën e parë, zemërimi qytetar kishte karakter racional: kërkonte drejtësi, përgjegjësi dhe ndryshim. Por gradualisht, ky zemërim kaloi në një fazë tjetër – emocionale dhe binare. Politika filloi të kuptohej jo si proces kompleks shtetndërtimi, por si betejë morale mes “të vjetërve të këqij” dhe “të rinjve të pastër”.

Kjo është pikërisht ajo që Seneka e përshkruan si humbje e vetëkontrollit të arsyes. Në këtë fazë, qytetari nuk pyet më:
– Kush di të qeverisë?
– Kush ka kapacitete institucionale?
– Kush e kupton shtetin si sistem, jo si simbol?

Ai pyet vetëm: kë të ndëshkojmë?
Kundër kujt të jemi?

Në këtë klimë emocionale, Lëvizja Vetëvendosje u shfaq si projeksion i shpresës dhe hakmarrjes njëkohësisht. Ajo nuk u votua vetëm si alternativë politike, por si simbol moral i ndëshkimit të klasës së vjetër politike. Këtu ndodh gabimi themelor filozofik:
moraliteti u barazua me aftësinë për të qeverisur. Seneka do ta quante këtë një iluzion të rrezikshëm. Një njeri (apo parti) mund të ketë qëllime morale, por të mos ketë virtytin politik më të rëndësishëm: mençurinë praktike (phronesis).

 

Nga zemërimi tek idealizimi politik, dobësia e qeverisjes si pasojë e votës emocionale

Në Kosovë, zemërimi ndaj partive tradicionale u kanalizua drejt një mbështetjeje masive për Lëvizjen Vetëvendosje, e perceptuar si antitezë morale e sistemit ekzistues. Ky ishte momenti kritik ku paralajmërimi i Senekës merr formë konkrete: zemërimi e verbëroi analizën.

Në vend që të pyetej: A ka kjo parti kapacitete reale qeverisëse? A ka kuadro profesionale? A ka vizion institucional për ekonominë, shëndetësinë, arsimin dhe diplomacinë?, shoqëria u fokusua te një pyetje emocionale: Kë duhet të ndëshkojmë?
Kështu, zemërimi u shndërrua në idealizim. Kritika u pezullua. Dyshimi u etiketu­a si tradhti. Çdo vërejtje u relativizua me argumentin se “të tjerët kanë qenë më keq”. Por filozofia politike na mëson se e keqja relative nuk e shndërron paaftësinë në virtyt. Sot, pas një periudhe qeverisjeje, është e vështirë të mohohet se Vetëvendosje ka treguar dobësi serioze në pothuajse të gjithë sektorët: ekonomi të paqëndrueshme, arsim pa reformë reale, shëndetësi të politizuar, diplomaci konfuze dhe menaxhim institucional të dobët. Këto nuk janë thjesht gabime teknike, ato janë simptoma të mungesës së përgatitjes shtetformuese. Ironia tragjike është se partitë tradicionale, të dëmtuara nga gabimet e tyre, kontribuan vetë në këtë realitet, duke mbështetur ose toleruar këtë pushtet për arsye taktike, frike politike apo kalkulimesh afatshkurtra. Kështu, zemërimi qytetar dhe oportunizmi politik u bashkuan në një aleancë paradoksale që prodhoi një qeverisje edhe më të dobët.

 

Përgjegjësia qytetare sipas Senekes

Seneka nuk e shihte qytetarin si qenie emocionale të lirë nga përgjegjësia. Përkundrazi, stoikët besonin se liria e vërtetë qëndron në vetëkontrollin racional. Në politikë, kjo do të thotë se qytetari nuk është thjesht votues i zemëruar, por bashkë-përgjegjës për pasojat e zgjedhjeve të tij. Në Kosovë, mungoi ky vetëkontroll filozofik. Zemërimi u shndërrua në moral absolut: “ne jemi të mirët, ata janë të këqijtë”. Por politika nuk funksionon mbi kategori morale të thjeshtuara, por ajo kërkon kompetencë, kompromis, dije dhe durim institucional.

Në një situate të tillë zemërimi prodhon regres. Në vend që të çonte drejt reformës, zemërimi prodhoi polarizim ekstrem. Shoqëria u nda në kampe morale, ku dialogu u zëvendësua nga linçimi verbal, ndërsa kritika u barazua me armiqësi. Kjo është pikërisht ajo që Seneka e quante degjenerim të arsyes nën presionin e pasionit. Rezultati është një demokraci formale, por e dobësuar, sepse institucione që funksionojnë më shumë mbi besnikëri politike sesa mbi profesionalizëm dhe një shoqëri që rrezikon të mbetet peng i cikleve emocionale, jo i strategjive shtetërore.

 

Mësimi filozofik për të ardhmen dhe dobësia strukturore e qeverisjes dhe pasojat e votës emocionale

 Eseja e Senekës për zemërimin nuk është thirrje për apati politike. Ajo është thirrje për maturi. Zemërimi mund të jetë sinjal alarmi, por nuk duhet të jetë arkitekt i shtetit. Kosova ka nevojë për një fazë të re qytetarie politike: më pak reagim emocional, më shumë analizë, më pak idolatri partiake, më shumë kërkesë për llogaridhënie, më pak ndëshkim simbolik, më shumë ndërtim institucional. Pas marrjes së pushtetit, u bë e qartë se Vetëvendosje vuante nga mungesa e përgatitjes institucionale. Në pothuajse çdo sektor: ekonomi, arsim, shëndetësi, diplomaci, administratë. Qe në fillim u shfaqën simptoma të një qeverisjeje reaktive, jo strategjike. Ky dështim nuk është aksidental, por është pasojë direkte e një zgjedhjeje politike të bërë mbi bazë emocionale. Seneka do të thoshte se kur zemërimi udhëheq, vendimet merren shpejt, por gabimet paguhen gjatë.

Ironia tragjike është se partitë tradicionale, pavarësisht gabimeve të tyre, kontribuan në këtë realitet, duke e mbështetur ose toleruar një pushtet që në thelb nuk ishte i gatshëm për qeverisje serioze. Kjo tregon një krizë më të thellë: mungesën e një elite politike që mendon për shtetin, jo për ciklin e radhës elektoral. Nga ana tjetër një nga pasojat më të rrezikshme të zemërimit të pakontrolluar është zhdukja e dialogut. Në Kosovë, kritika ndaj pushtetit të ri shpesh u delegjitimua si “armiqësi”, “tradhti” apo “mbetje e së vjetrës”. Kjo është ajo që Seneka e quante tirani e pasionit mbi mendjen. Kur zemërimi institucionalizohet, ai prodhon polarizim, jo reformë; besnikëri, jo profesionalizëm; propagandë, jo argument.

 

Përgjegjësia qytetare sipas Senekës, nga cikli i zemërimit tek cikli i pjekurisë politike

Stoikët nuk e shihnin qytetarin si viktimë pasive. Për ta, qytetari është bashkë-përgjegjës për rendin politik. Në këtë kuptim, edhe qytetari kosovar mban përgjegjësi për pasojat e zgjedhjeve të tij. Zemërimi i justifikuar nuk e përjashton detyrimin për mendim kritik. Demokracia nuk është akt emocional, por proces racional. Kur vota shndërrohet në akt ndëshkimi emocional, ajo pushon së qeni instrument ndërtimi.

Kosova sot ndodhet përballë një sfide ekzistenciale politike:
– të vazhdojë ciklin e zemërimit,
– ose të hyjë në fazën e pjekurisë qytetare.
Pjekuria politike nuk nënkupton rikthim nostalgjik te e kaluara, por refuzim të iluzioneve morale. Ajo kërkon qytetar që dallon mes kritikës dhe urrejtjes, mes reformës dhe hakmarrjes, mes shpresës dhe propagandës.

Dhe krejt për fund, paralajmërimi i Senekës nuk është thirrje për heshtje, por për vetëkontroll. Zemërimi është alarm, jo arkitekt. Kur ai shndërrohet në ideologji, ai e shkatërron vetë qëllimin e vet. Kosova kishte arsye të zemërohej. Por ajo gaboi kur e la zemërimin të zëvendësonte arsyen. Sot, vendi po përballet me pasojat e një vendimi kolektiv të marrë më shumë me ndjenjë sesa me mendim. E ardhmja politike e Kosovës varet nga një transformim filozofik: nga qytetari i zemëruar tek qytetari i përgjegjshëm. Vetëm atëherë, zemërimi do të shndërrohet nga forcë shkatërruese në energji reformuese dhe ashtu siç do ta kërkonte vetë Seneka.

Kontrolloni gjithashtu

Ismet Sylejmani: SHTATORJA E TË BURGOSURIT POLITIK SHQIPTAR NË PRISHTINË

Të burgosurit politikë shqiptarë në ish-Jugosllavi janë plagë e hapur dhe njëkohësisht lavdi e pashlyeshme …