Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili po përmbyll ditët e fundit të mandatit të tij, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të përmbushin obligimet e tyre që kanë dalë nga marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Rohde ka theksuar se Kosova duhet të tregojë seriozitet në zbatimin e detyrimeve, duke përmendur veçanërisht nisjen e zbatimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. “Është në interes të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare, institucioneve të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve e komuniteteve në vend që dialogu të përparojë me shpejtësi dhe që rruga drejt pranimit në BE të hapet. Megjithatë, secila palë në dialog duhet të bëjë pjesën e saj dhe të përmbushë obligimet e veta,” ka thënë ai. Ai ka shtuar se Kosova është kryesisht e detyruar të krijojë një Kuvend dhe të formojë një qeveri të re. “Qytetarët e Kosovës kanë pritur për më shumë se gjysmë viti që të kenë përfaqësim, ndërsa vendi po humbet gradualisht mbështetje financiare dhe politike sa më shumë që vonohet përfaqësimi demokratik,” ka theksuar Rohde. “Më lejoni të përsëris: Gjermania dhe BE-ja janë të gatshme të ndihmojnë, por Kosova së pari duhet të tregojë se e merr seriozisht dialogun dhe detyrimet e saj drejt normalizimit, siç është fillimi i zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe,” ka përfunduar ambasadori gjerman.
