Njohësit dhe monitoruesit e sistemit të drejtësisë thonë se është e pazakontë që një person të mos paraqitet për kaq gjatë për të dhënë dëshmi në prokurori, sikurse në rastin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i thirrur si dëshmitar në çështjen e rezervave shtetërore. Ndërsa në Prokurorinë Speciale janë paraqitur ministrja e Tregtisë Rozeta Hajdari dhe disa zyrtarë të Vetëvendosjes, Kurti insiston që deklaratën ta japë vetëm në zyrën e tij në Qeveri. Prokuroria kishte kërkuar nga gjykata që të detyrojë Kurtin të paraqitet, por kjo ende nuk ka ndodhur. Sipas ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, tashmë topi është në dorën e gjykatës. “Gjykata është e detyruar të marrë vendim për sigurimin e prezencës së tij, qoftë duke e dënuar me gjobë apo duke e sjellë me forcë nga policia”, tha Shala. Edhe Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson se zakonisht vendimet në fazën paraprake merren shpejt, ndërsa në këtë rast vonesat mbeten të pashpjeguara. As nga Gjykata e as nga Prokuroria Speciale nuk ka ende përgjigje se çfarë hapa do të ndërmerren më tej.
