Ka filluar “Java Kundër Korrupsion 2023”, e organizuar nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile “Bashkë kundër Korrupsionit”. Në këtë tryezë kanë marrë pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, Ambasadës britanike, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe gazetarë. Ndërsa, edhe pse ishin të ftuar të merrnin pjesë në cilësinë e panelistëve, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, nuk kanë marrë pjesë, pavarësisht se janë akterët kyç për reformimin e sistemit të drejtësisë. Në hapje të kësaj tryeze, zëvendësdrejtori i IKD-se, Betim Musliu, tha se është dëshpëruese se si përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, kur tani janë në pushtet, s’janë të gatshëm të ballafaqohen me një nga temat më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, që është reforma në drejtësi. Ai kritika për mospjesëmarrje pati edhe për Këshillin Prokurorial dhe atë Gjyqësor.
