Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të kësaj gjykate, duke dhënë disa përfundime pas një leximi të vëmendshëm të tij. Në njoftimin e bërë publik nga vetë Kryeziu, ai thekson se pikat 1, 2 dhe 3 të aktgjykimit mund të debatohen vetëm pas publikimit të plotë të arsyetimit nga Gjykata Kushtetuese, në mënyrë që të ketë, siç e quan ai, një “kopsitje të plotë të vendimit”. Sa i përket përcaktimit të Kushtetueses se një kandidat për kryetar të Kuvendit mund të propozohet vetëm tri herë, Kryeziu e cilëson këtë si një “shpikje” që lidhet me praktika të mëhershme. “Me keqardhje e them që kjo gjë është vazhdim i praktikës që ka instaluar Enver Hasani, ku vazhdohet praktika e shpikjes së gjërave”, ka shkruar ai.