Kadri Rexha: Faktorët e ndikimit të letërsisë popullore në letërsinë artistike të arbëreshëve të Italisë

 


Faktorët vendimtarë që ndikuan te shkrimtarët arbërshë që letërsinë popullore ta vënë në bazë të letërsisë së vet artistike kanë qenë: mungesa e traditës letrare, jeta në dhe të huaj, situata historiko-shoqërore si dhe fakti se poetët arbëreshë ishin edhe mbledhës të krijimtarisë gojore të popullit të vet.

Mungesa e traditës letrare

Populli shqiptar, një ndër popujt më të vjetër në Ballkan, ka një letërsi me moshë të re. Letërsia shqipe është e vonmshme, një ndër më të vonshmet krahasur me letërsitë e tjera evrpopiane. Shkaqet e një vonese të këtillë janë historike. Fillet e letërsisë sonë të vjetër i gjejmë në shekullin XVI. Veprat e kësaj letërsie ishin kryesisht përkthime dhe përshtatje, ku, ndonjëherë, nuk mungonin as pjesët origjinale. Kjo letërsi ishte tejet e izoluar dhe kishte kontakt me lexuesit vetëm në qendrën ose krahinën ku krijohej. Izolimin e saj e ndihmoi më së shumti gjuha në të cilën ishte e shkruar, kryesisht e ndikuar nga ajo e pushtuesit dhe që ishte larg gjuhës së përbashkët popullore. Përhapjen e kësaj letërsie e pëngoi edhe shkrimi i saj me albabete të ndryshme.
Shikuar në përgjithësi edhe letërsia e vjetër e arbëreshëve të Italisë i ka karakteristikat e letërsisë së vjetër që u krijua në Shqipëri: letërsi e kohës së feudalizmit, kryesisht fetare dhe didaskalike, e shkruar në gjuhë arkaike.
Vetëm në shekullin XIX, në kohën kur populli ynë, ashtu si mbarë popujt evropianë, bënte përpjekje për çlirim dhe bashkim kombëtar, edhe te ne hapet rruga për një letërsi të vërtetë artistike, me karakter dhe frymë kombëtare. Shkrimtarët arbëreshë të kësaj kohe, duke mos trashëguar një traditë të pasur të krijimtarisë letrare dhe duke dashur të mësohen t’i këndojnë popullit, u drejtuan me fytyrë kah letërsia gojore e popullit duke e marrë atë si model të përsosur për krijimtarinë e vet. Nga letërsia popullore, të cilën e kishin ruajtur, mbledhur dhe botuar me gjakim ata, në radhë të parë, mëusuan se si i këndohet popullit të vet. Po nga kjo letërsi ata mësuan metrikën dhe përbërjen e vargut, figurën, rimën dhe ritmin e poezisë shqiptare.

Jeta në dhe të huaj

Duke qenë të larguar nga dheu atëror, nga dheu i këndej Adriatikut, arbëreshët e Italisë kanë dashur të mbajnë të pashkëputur ndjenjën kombëtare dhe lidhjen shpirtërore me atdheun e tyre të parë, Shqipërinë. Kështu duke qenë të ndarë në një largësi nga atdheu ata e kanë mbajtur gjithmonë atë në kujtesë dhe afërsi shpirtrore. Ndarja e përjetshme fizike e tyre e ka kushtëzuar bashkimin shpirtëror, ashtu siç thotë Gëte se çdo ndarje është bashkim i ri. Lidhja shpirtërore dhe malli për atdheun e stërlashtë, atdheun e të parëve, është lëngu jetësor i të gjitha këngëve popullore dhe pothuaj i mbarë krijimtarisë artistike të poetëve arbëreshë. Si ilustrim po sjellim këtu disa vargje nga një këngë e përmallueshme popullore:

Me të dalë në breg të huaj,
Pa lëviz aty qëndroj
Sytë e këthyer nga deti:
– Moje bukura More,
Që të lash e më s’të pashë Atje kam un’ zonjën mëmë,
Atje kam un’ tim vëlla,
Atje kam unë zotin tatë
Të mbuluar ndënë dhe
Moj e bukura More
Që të lash’ e më s’të pashë.

Të tronditur në shpirt nga ndjenja e gjakut, arbëreshët përherë i tretën sytë përtej detit, te dheu i „Arbërisë ku oh, nuk lemë“ (Z. Serembe). Ata në dheun ku u dritësuan, në Kalabri e Sicili, e ndienin vetën të huaj, siç thuhet në këto vargje po të këtij poeti arberesh:

Arbëria matanë detit na kujton
Se ne të huaj jemi te ky dhe.
Sa vjet na shkuan. E zemra se harron
Se nga turku qëndruam pa atdhe.

Dëshirën e zjarrtë të kthimit në atdheun e stërlashtë ata nuk e humbën me shekuj, deri në ditët tona. Ndaj, pasi nuk patën mundësi ta realizojnë këte ëndërr, ata e ndienin si nevojë të vazhdueshme që shpirtërisht të lidhen me Shqipërinë. Mu për këtë ata me gjakim dhe përkushtim të pashoq e ruajtën gjuhën amtare dhe krijimtarinë gojore dhe kudo me mburrje dhe krenari e theksojnë emrin arbër, si përkatësi dhe identitet gjaku shqiptar. Dhe, në përpjekje e sipër për të dëshmuar identitetin kombëtar, arbëreshët janë kujdesur që këtë ta bëjnë qoftë edhe me poezinë e shkruar, shëmbëllyeshëm asaj popullore, qoftë edhe me huazime poetike nga kjo letërsi. Kjo frymë e përshkon mbarë krijimtarinë e tyre artistike.

Situata historiko-shoqërore

Forcimin e marrëdhënieve të krijmitarisë letrare me folklorin ndër arbëreshët e Italisë në fillim të shekullit XIX, padyshim, e kushtëzoi edhe situata historike dhe shoqërore. Siç është e njohur, në këtë kohë fillon një kthesë e madhe për historinë e popullit shqiptar: fillojnë luftërat për liri, pavarësi dhe afirmim kombëtar. Pos kësaj, ndër arbëreshët e Italisë, siç pohon Ziaudin Kodra, për një gjysmë shekulli më parë se në Shqipëri, këtë e nxisin edhe këta faktorë: arbëreshët e Italisë ishin në kondita më të favorshme se shqiptarët në atdhe; influenca e ngjarjeve historike që ndodhën në gjithë Evropën pas Revolucionit të madh borgjez të Francës; ngjarjet e mëdha çlirimtare që zunë fill në Itali, duke marrë pjesë aktive në çështjen e çlirimit dhe bashkimit të Italisë; figurat revolucionare u rritën dh u edukuan nga letërsia patriotike e kohës.
Pastaj, një teori të tillë krijuese e ka ndihmuar edhe vetë teoria romantike e krijimit poetik, e cila, pos tjerash, ka përqafuar folklorin në të gjithë Evropën. Në këtë kohë poetët romantikë të vendeve të ndryshme të Evropës kishin formuar mendimin e qartë për krijimtarinë popullore: ata besonin se krijimtaria e vërtetë artistike është krijimtari spontane, e paprekur prej dijes dhe njohurive, dhe, pasi këngëtari popullor është shëmbull i krijuesit spontan, atëherë ai duhet të pagëzohet si gjeniu më origjinal, prej të cilit duhet mësuar sa më shumë. Poeti romantik, prandaj, mendon: të jem gjeni duke marrë shëmbull gjeniun më të madh. Shumë poetë shkuan aq larg në këtë drejtim, duke imituar letërsinë gojore, sa filluan t’i paraqesin edhe veprat e veta si krijime të një bardi popullor. Kjo tendencë pati jehonë edhe në letërsinë e arbëreshëve të Italisë.

Poetët – mbledhës të krijimtarisë gojore

Edhe pse mungonte tradita e letërsisë së shkruar në gojën e popullit gjëllinte një letërsi shumë e pasur dhe e bukur. Kjo letërsi kishte qarkulluar brez pas brezit, duke kënduar gëzimet, hidhërimet dhe luftërat heroike të shqiptarëve gjatë shekujve. Me gjithë bukurinë dhe vlerat e saj, ajo kishte mbetur të qarkullonte nga goja në gojë, sepse ishte e pashkruar dhe e pa botuar. Prandaj, për ta bërë të njohur në botën shqiptare dhe atë të huaj shumë atdhetarë arbëreshë filluan ta mbledhin dhe ta botojnë këtë letërsi. Mbledhës të krijimtarisë gojore qenë kryesisht poetët, njerëz të pajisur me dije dhe kulturë të madhe për atë kohë. Të tërhequr pas bukurisë së saj, duke pasur edhe një respekt të madh për të, këngëtarin popullor ata e konsideronin si poetin më të madh.
Një mendim i këtillë ndaj krijimtarisë gojore i autorëve arbëreshë ka ndikuar edhe në teorinë dhe praktikën e tyre krijuese. Pra, ata, me vetëdije të plotë krijuese, në veprat e tyre poetike, jo vetëm që ndikohen nga letërsia gojore, por shpesh edhe e rikrijojnë atë. Nga letërsia gojore ata marrin tema dhe motive të ndryshme, shpeshherë edhe vargje të tëra të paprekura. ( Botuar për herë të parë në “Bota e re”, 1975)

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …