Kadri Rexha: Përmbledhja poetike e Mehmet Bislimit,“Stinë e vonuar”

 


Poezinë e Mehmet Bislimit e përcjelli tashti e sa vjet me radhë. Është kjo një poezi e natyrshme, e thjeshtë, emocionuese dhe plot me ndjenjë. Kjo poezi për subjekt ka njeriun e thjeshtë dhe i drejtohet pikërisht njeriut të thjeshtë. Në thjeshtësinë e saj kjo poezi për motiv qendror ka dhembjen e thellë për popullin dhe për atdheun e pushtuar, krenarinë për qëndresën dhe heroizmin e popullit, urrejtjen e madhe kundër pushtuesit dhe shërbëtorëve të tij si dhe shpresën e sigurt për të ardhmen e ndritshme në liri. Dhe, kështu, nga poezia në poezi, brenda pak vitesh, opusi poetik i Bislimit arriti në vëllimin e katërt me poezi të titulluar “Stinë e vonuar”.
Paraqitja e Bislimit në letrat tona qe e befasishme dhe pati një rrugë pak më të ndryshme se që rëndom e njohim. Ndryshe nga shumë krijues tanë, të cilët së pari bëjnë emër në letërsi dhe pastaj ngjiten në politikë, Bislimi, përkundrazi, së pari bëri emër si veprimtar dhe si politikan i denjë në shërbim të çështjes së atdheut dhe tek pastaj shpërtheu si letrar.
Të përkujtojmë: Mehmet Bislimi i takon plejadës së liridashësve të viteve të tetëdhjeta, të atyre viteve të stuhishme që shqiptarin e ngritën në lartësinë e emrit dhe në lartësinë e tokës së vet. Ai i takon gjeneratës së studentëve të atyre viteve të mëdha që e zbritën nga shtiza flamurin e urryer të pushtuesit serb dhe në vend të tij e ngritën flamurin fitimtar kuq e zi, flamurin e lirisë, të cilin me guxim e nisën në ballë të betejave të ardhshme drejt çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Ai i takon plejadës së të burgosurve politikë të cilët qëndruan të patundur para sprovave të mëdha të historisë me besimin e paluhatshëm në diellin e lirisë së popullit të vet. Ai i takon gjeneratës së të pagjumëve që edhe natën e bënë ditë për një të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme të atdheut dhe të popullit tonë të shumëvuajtur. Ai i takon gjeneratës së artë të veprimtarëve, të cilët “luksi” i perëndimit nuk i tjetërsoi, përkundrazi, ai së bashku me shokët e idealit vepruan natë e ditë me qëndrim të drejtë e të paluhatshëm për të dhënë gjithçka në shërbim të çlirimit të atdheut që u kurorëzua me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mehmet Bislimi i ndërgjegjshëm për misionin e tij të luftëtarit të lirisë, dëshmoi edhe një dhunti tjetër të lartë e cila atë e radhiti në rreshtin e luftëtarëve që për armë kanë penën dhe fjalën e shkruar analitike dhe artistike.
Kështu, i arratisur dhunshëm nga atdheu stërgjyshor, ai, tashti, po jeton shpirtërisht në atdheun imagjinar të krijuar me fjalë, me metafora, me simbole me ndjenja, me vuajtje e thërrime. Përvoja e gjatë dhe e vrullshme jetësore, përvoja e trashëguar nga mjedisi ku u rrit dhe u edukua, Bislimin e mbushën dhe e bënë të shpërthejë suksesshëm edhe në fushën e letrave. Në fillim si mbledhës dhe krijues origjinal i anekdotave, pastaj si publicist i guximshëm militant dhe hartues i një monografie, Bislimi me kohë krijoi edhe profilin dëshmues prej poeti të suksesshëm. Poezia e Bislimit është poezi spontane, e çiltër dhe ka një strukturë të thjeshtë të vargut. Pjesë organike e kësaj poezie është ndjenja subtile, dhimbja e madhe, dashuria e sinqertë, drama e njeriut, tragjikja personale dhe kolektive, pikëllimi, revolta, urrejtja dhe kështu me radhë. Këtë poezi e karakterizon qartësia, mendimi i thellë, shprehja metaforike, dendësia dhe përgjithësimi. Nivel të lakmueshëm shprehës autori ka arritur sidomos me poezitë ironike të cilat shpesh arrijnë në shkallën e sarkazmit.
Poeti Mehmet Bislimi shkruan lehtë sepse e njeh jetën në thellësinë e saj shumëdimensionale, kurse në veçanti ai i njeh të dyja faqet e saj: të bardhën edhe të zezën.
Për Bislimin roli i poetit është mision, ndërsa ai i poezisë është mjet sendërtimi i qëllimit, armë dhe flamur në duart e popullit:

Kalorës
Mbi shpinë i kam hipur kësaj nate
Deri me të zbardhur do ta shalojë
Mbase do ta arrijë cakun
Kohën e largët ta ofroi
Me këtë vlerësim të lartë të autorit për muzën poetike, ngadalë por pa zhurmë, kjo poezi po bëhet pronë e lexuesit tonë të rëndomtë dhe pronë e kulturës sonë të përgjithshme.
Sidoqoftë, libri “Stinë e vonuar” i autorit Mehmet Bislimi tashti gjendet në duar të lexuesit. Dhe, lexuesit i takon fjala e fundit: vlerësimi dhe gjykimi real.

Kontrolloni gjithashtu

Tefta Çami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Tefta Cami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Me 26-27 tetor të këtij viti shkova e vizitova me vajzën time, Alma dhe me …