Brickos

Kadri Rexha: Poema “Kënga e sprasme e Balës” dhe folklori

Poema „Kënga e sprasme e Balës“, kryevepra e Gavrill Darës së Ri dhe njëra ndër kryeveprat e letërsisë sonë kombëtare, flet qartë se poeti për krijimin e saj gjeti mbështetje të fortë dhe frymëzim të pashterrur në gurrën e folklorit të pastër arbëresh. Nga letërsia popullore arbëreshe, të cilën e ndiente si pjesë të vetën dhe të truallit të atyre që e krijuan dhe e ruajtën gjatë shekujve, Dara i Ri thëthiti dhe futi në veprën e vet pothuaj gjithë temat e lirikës dhe të epikës legjendare, lëngun e tyre jetësor, dhe shkroi duke mos u larguar shumë nga motivet, idealet, fryma dhe metrika e tyre. 
Në vijim po sjellim disa motive të lirikës dhe të epikës legjendare arbëreshe, të cilat, edhe pse Dara i Ri me mjeshtri dhe shije i shkriu në poemën e vet, prapseprapë vërehën dukshëm dhe flasin për origjinën e tyre: 

Motivi i rrëmbimit dhe ai i shpëtimit të vashës 

Folklori arbëresh është shumë i pasur me këngë të ndryshme të rrëmbimit, numërin më të madh të të cilave i pason edhe motivi i rinjohjes. Këto këngë poeti i njohu mirë e ndoshta ndonjërën edhe e mblodhi vet. Kësisoj gjatë shkrimit të poemës ai e pati zor të mos ndikohet nga bukuria e rrallë e këtyre këngëve. Shikuar tërësinë e poemës “Kënga e sprasme e Balës”, lirisht mund të vërehet, se, megjithë ndryshimet e vogëla që u bëri poeti me qëllim plotësimi dhe përpunimi artisik, i tërë motivi i saj është i huajtur nga ndonjë këngë e tillë. Shëmbëllesë tipike, si përnga ecuria e ngjarjes ashtu edhe përnga përfundimi i saj, kjo poemë, ka me këngën “Iku vasha mori malë”. Sipas kësaj kënge rezulton kjo ngjarje: Nik Peta, bashkë me tre shokë të tjerë, kishte dalë në mal për gjah. Një britmë trishtuese prishë qetësinë e asaj dite. Trimave u këputet zemra nga të thirrurat mallëngjyese që pushtojnë malet. Në ndërkohë shohin se “qeni turk” kishte rrëmbyer një arbëre, të cilën, të lidhur për bisht të kalit, e tërhiqte zvarrë. Gjuajnë trimat me radhë në drejtim të turkut, por nuk e godasin. Gjuan Niku, e qëllon mu në zemër dhe e plandosë për tokë. Kur u afrohet pranë, Niku dallon vashën se është gruaja e tij. Sa çast prekës ky që e nxiti dhe e frymëzoi poetin për shkrimin e poemës së gjatë! Por, Dara i Ri, si poet i talentuar që ishte, edhe pse u mbështet shumë në folklor, duke bërë ndryshime dhe plotësime të rëndësishme në formë sinteze dhe përgjithësimi si dhe në saje të aftësisë dhe fantazisë së tij krijuese, na la një kryevepër origjinale. Kështu, në vend të vashës arbëreshe të këngës, heroina e poemës së Darës është nga Moreja, të cilën i ati, Kaurri i Lalës, ia dorëzon Ballabanit të ndyrë. Nga kthetrat e Ballabanit vashën e shpëton Nik Peta, me të cilën bën një jetë të lumtur deri sa bëhet Lufta e Valkalit, ku vdesin që të dytë, Niku në shesh të betejes si trim, kurse Mara nga pikëllimi i vdekjes së të shoqit. 
Siç po shihet, dy episodet më të rëndësishme, si në këngën popullore ashtu edhe në poemën e Darës së Ri janë të ngjashme: rrëmbimi i vashës nga “qeni turk” (në poemë nga rrenegati Ballaban) dhe të shpëtuarit e saj nga Nik Peta. Është e arsyeshme dhe krejt e natyrshme se Dara i Ri poemën e vetë e freskoi me lirizëm, e mbushi me ndjenja të larta atdhedashurie, i dha dimensione të gjëra poetike dhe kështu ajo doli më e fuqishme artisikisht dhe tejet origjinale. 

Tiparet e heronjve 

Të dy heronjtë kryesorë të poemës “Kënga e sprasme e Balës”, Nik Peta e Pal Golemi, si me emër ashtu edhe me të gjtha tiparet, idealet, dëshirat dhe shpresat, janë të huazuar nga këngët popullore arbëreshe. Mirëpo, poeti Darë, duke i vënë këta në qendër të një vepre, në të cilën evokohet jeta, lufta dhe fati i një populli në një epokë të caktuar kohore, pati mundësi që heronjtë t’i përpunojë, t’i pasurojë edhe më në shumë aspekte. Heronjtë e këngëve legjendare arbëreshe janë trima sypatrembur, luftojnë pa përfillur aspak ushtritë e panumërta të armikut dhe flijohen për çështjen e lirisë së atdheut dhe të popullit. Kështu, në çastet e fundit të jetës, në momentin e vdekjes, ata u çojnë fjalë grave se janë të lira të martohen. Edhe në poemën e Darës së Ri ata janë të tillë: trima të paepur që, të etur për nnder e lavd, tregojnë heroizma të ndryshme, dashurojnë me pasion, por edhe janë të gatshëm që kurdo t’i thërret zëri i atdhut, të luftojnë duke mos e kursyer as gjakun. Figurën e Skënderbeut, gjithashtu, Dara e huazoi nga këngët popullore arbëreshe, dhe siç është hero episodik, pothuaj, në të gjithë këto këngë, ashtu na del edhe në poemën “Kënga e sprasme e Balës”. Pos kësaj, Skënderbeu në këtë poemë vijëzohet edhe me të gjitha tiparet dhe me gjithë madhështinë që e ka parafytyruar legjenda. 

Motivi i zënies së pusisë 

Populli ynë gjithmonë ka pasur përballë armiq të mëdhenj, prandaj për të fituar mbi ta, është detyruar të përdori taktika të ndryshme luftarake: duke zënë pusi (prita), duke sulmuar natën, duke shfrytëzuar motin e vështirë, etj. Kështu, në poemën e Darës, Nik Peta me urdhërin e Skënderbeut dhe më vullnetin e vet, për të shpëtuar Marën nga duart e Ballabanit, bashkë me dyzet trima arbëreshë, shkon dhe zë pusi në Luginën e Kusarit. Kur afrohet ushtria turke në krye me Balllabanin, trimat dalin përballë, i shpartallojë ata dhe e shpëtojnë vashën. Edhe në letërsinë popullore motivi i zënies së pusisë është i përhapur dhe shumë i lakmuar. Vlen të përmenden këtu vetëm dy shëmbuj, prej të cilëve ka të ngjarë të jetë frymëzuar edhe autori i poemës. Në shëmbullin e parë, Miloshini, një trim legjendar, për të cilin arbëreshët thurën shumë këngë, urdhërohet nga Skënderbeu të shikojë se ç’janë ato gjëmë e bubullima që dëgjoheshin. Miloshini del dhe sheh tutje pararojën turke me flamuj të hapur. Të kthehet që ta lajmërojë Skënderbeun i vie turp, ndaj zë pusi dhe kur i afrohen turqit i shpartallon që të gjithë. Kurse në këngën tjetër, Nik Peta, ashtu si në poemën e Darës (Humbja e Kusarit) i zë pritën Ballabanit dhe e pret të afrohet. Në këngën popullore thuhet kështu: 

Pa se s’ishin gjëmë qiejsh 
Por ishin pararojet turke 
Me flamurë që (donin) të hapnin udhën 
E zënë nga Nik Peta. 

Motivi i besës së dy të rinjve 

Besa, që Niku ia jep Marës për t’u kthyer pas tri vitesh, në mënyrë të përgjithësuar është besa në mes të dy të dashurve, të cilët për arye të ndryshme janë të detyruar të ndahen përkohësisht. Këtë motiv e gjëjmë në legjendën “Konstntini i Vogëlith”, e cila në këngët tona të veriut njihet me emrin “Aga Ymeri”. Në çastin e ndarjes, në poemë, Nik Peta i drejtohet Marës me këtë betim: 

Po s’ktheva të tretin vit 
Të tretin të taksurin (premtuarin) 
Vashë dheu më ka ngrënë 

Këto fjalë na i përkujtojnë të dy heronjtë e këngëve të përmendura më sipër, të cilët, në momentin e ndarjes, po me të njëjtin ton u drejtohen grave të veta: 

Si shkojnë nëntë vjet 
Nëntë vjet e nëntë ditë 
Dhe unë në mos u kthefsha 
Vashë ti të më martohesh 
(Konstantini i Vogëlith) 

Motivi i zgjidhjes së martesës 

Motivin e të ndarit të unazës në dysh, për të treguar zgjidhjen e martesës, gjithashtu e gjejmë në legjendën “Konstantini i Vogëlith”. Konstantinit, pas tri ditësh qëndrimi me nusën, i vjen “karta e Zotit të Madh” që të shkojë në ushtri. Para se të niset ai e hjek unazën nga gishti dhe e ndanë në dy pjesë. Njërën pjesë ia jep të shoqës, kurse tjetrën e mban për vete. 
Edhe këtij motivi poeti ia gjeti vendin në poemën e vet: 

Hoq unazën e martesës 
Dhe e ndau në dy pjesë 
Një e mbajt, nj’asaj ia dha 

Motivi i zënies së armikut dhe i lirimit të tij 

Një motiv tjetër, zënia rob, çarmatosja dhe lirimi me turp i armikut, i cili është i dendur në letërsinë popullore, gjën vend edhe në poemën e Darës së Ri. Nik Peta, trim i madh, i shpejtë dhe i matur, i del përballë Ballaban Pashës, ia pret frenjtë e kalit, e fton me neveri e sarkazmë t’i hedhi armët dhe të ikë për t’i dërguar mbretit (Sulltanit) lajmin e humbjes. Në këtë mënyrë, në figurën e këtij arbëri atdhemohues, poeti e krijon një karikaturë të neveritshme. Po ky motiv vijëzohet në këngën “Skënderbeu dhe Ballabani”. Skënderbeu e zë Ballabanin, tradhtarin që kishte mohuar gjakun e kombit të vet dhe luftonte për lavdinë e flamurit turk. Nuk e vret, por ia pret veshin dhe kështu të turpëruar e lëshon të shkojë për ta lajmëruar Sulltanin: 

Vetëm një zu dhe e la 
Atë qenin rrenegat, 
Për t’i çuar mbretit lajmin 
(Skënderbeu dhe Ballabani) 

Porositë e fundit të heronjëve 

Për trimat shqiptarë, vdekja me nder gjithmonë ka qenë krenari dhe ideal. Ata më shumë dëshironin të vdisnin në sheshin e luftës se sa të jetonin në robëri e të gjunjëzuar. Kësisoj edhe Nik Peta i poemës “Kënga e sprasme e Balës” është i lumtur që po vdes për lirinë e atdheut duke këmbyer “dasmën me luftën dhe kangjelet me Valkalin”. Mbi lumturinë personale ai vë atë të popullit. As në çastet e fundit nuk i harron shokët e atdheun dhe vdes duke lënë porosi për të mirën e tyre. Edhe Pal Golemi, gjithashtu hero i poemës, para se të vdes në sheshin e betejës, me dhjetë shigjeta të ngulitura në gji, duke shtrënguar flamurin me dhëmbë, me shpatë në dorë, i kthyer me ballë nga qielli duke e përbuzur vdekjen, e porositë plakun Balë që t’ia vë armët mbi një lis, ku edhe pas vdekjes së tij do të shkrepëtijnë si rrufe qielli dhe kështu do t’ua fusin tmerrin armiqve me vringëllimën e tyre. Të njëjtin motiv e hasim edhe në elegjinë arbëreshe “S’ish rënkim po Pal Golemi”. Këtu, Pal Golemi i plagosur për vdekje, u lutet shokëve që t’ia hapin varrin “aq të gjërë sa të gjatë”, në mënyrë që t’i zërë edhe shokët e tij që i kishin rënë pranë, ndërsa në fund të varrit t’ia vënë flamurin dhe armët e tij. Po ky motiv, më i plotë dhe më i bukur gjendet në këngën “Skënderbeu dhe vdekja”, ku Skënderbeu porosit të birin: 

Përmbi kalë, erës detit, 
Hapni ju flamurin tim 
Dhe në mes të këtij flamuri 
Lini varë shpatën time, 
Kur të fryjë murrer i egër
Murgjari do t’hingëllinjë, 
Flamuri do të valvitet 
Dhe shpata do të tringëllinjë 
Nga ky qiparis i vrënjtur. 
Dëgjon Turku dhe i trembur, 
Do kujtojë ai vdekjen 
Që po fle te shpata ime 
S’do t’iu bjerë më nga pas. 
(Skënderbeu dhe vdekja) 

Motivi i mbirjes ë bimëve mbi varret e të dashurve 

Për të përfunduar poemën e vet Dara i Ri shfrytëzoi njërin ndër motivet më të bukura të lirikës popullore arbëreshe: të mbirit e bimëve mbi varret e të dashuruarve: 

Trimit bin një qiparis 
Vashës bin një dhrij e bardhë 
– Rritu, rritu dhrij e bardhë 
M’u mbështjell për qiparis, 
Pa më bëfshi pemë bashkë… 
(popullore) 

Mirëpo, në poemën “Kënga e sprasme e Balës”, Dara, natyrisht,bëri një ndryshim. Mbi varrin e Nik Petës mbin qiparisi, që të arbëreshët simbolizon të fortin, kurse mbi varrin e Marës, në vend të “dhrisë së bardhë”, që e gjejmë te këngët popullore, mbinë molla e bardhë. Ja, pra, ndryshim fare i vogël. 

Elemente nga mitologjia popullore 

Si shumë romatikë të kohës, edhe Dara i Ri, poemën e vet e mbushi me elemente fantastike të huazuara nga mitologjia popullore shqiptare si: Dreqëza e natës, Mirëza e hënës, Zogu, etj. që bëjnë mrekulli të ndryshme. Në momentin kur Ballaban Pasha merr Marën dhe nisën për në Turqi, ajo me lotë në sy i lutet një zogu që ta lajmërojë Nikun për gjendjen e saj të mjerë. E porositë që t’i thotë Nik Petës se ajo do t’i qëndrojë besnike derisa ai ta shpëtojë, ndërsa, në të kundërtën, ajo do të bëjë vetëvrasje me thikën e fshehur në gji. Motivin, ku zogu paraqitet si lajmëtar, e gjejmë në shumë këngë popullore që i mblodhi Jeronim De Rada, por më e njohura është “Dy zoglat”. Në një këngë tjetër, ku fillon të shtjellohet subjekti i poemës, Nik Peta i lutet Hënës që ta përshëndet të dashurën e tij, Marën, në Lalë të Moresë. I drejtohet Hënës duke aluduar se në mitologjinë popullore Hëna dhe Dielli janë dashnorë. 

Vargje të paprekura popullore 

Sikurse De Rada, edhe Dara i Ri shpeshherë shfrytëzoi vargje të paprekura të poezisë popullore. Pos të tjerash, në “Këngën e Beratit” i gjejmë plotë njëmbëdhjetë vargje që përputhën me vargjet e këngës “Sontetith me dy or natë”, e cila e përkujton një betejë të arbëreshëve të Moresë. Si gjetkë, edhe këtu, Dara bën ndryshime të vogla: zëvendëson toponimin Muskovatë me Muzëkatë (Myzeqe). Kësisoj, në poemë krijohen pasaktësi gjeografike, të cilat duhet shpjeguar, ndoshta, me synimin e Darës së Ri për të paraqitur poemën e vet si krijim të një bardi popullor me emrin Bala, që nuk kishte njohuri të sakta gjeografike. 

Nga letërsia popullore, Gavrill Dara i Ri mori edhe shumë elemente tjera si: krahasimet (e krahason vdekjen me një plakë të zezë), simbolet (simbolizon vashën me mollë (dhrijë) të bardhë e trimin me qiparis), qëndrimin madhështor të heronjëve (kujtojmë Skënderbeun që me një vështrim i ndanë nga dyluftimi trimat Nik Peta e Pak Golemi). Për heronjtë e vet, poeti, nga letërsia popullore shfrytëzoi edhe vetitë, idealet, trimërinë, krenarinë si dhe ndjenjat e larta të atdhedashurisë, pastaj ndjenjën e fuqishme të urrejtjes kundër armiqëve si dhe ndjenën e dashurisë së çiltër. Në poemën e poetit gjejmë edhe përshkrime pejsazhesh madhështore të natyrës, lirizmin e pastër, ndjenjat e thella, gëzimet, dhembjet, dëshirat, shpresat dhe idealet, gjëra karakteristike këto për këngët popullore. Nga poezia popullore arbëreshe, Dara i Ri, mori edhe masën e vargjeve: vargun popullor tetërrokësh trokaik të parimuar.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …