KEK
Fillimi / Kultura / Kadri Rexha: POEZI ME PROGRAM TË QARTË

Kadri Rexha: POEZI ME PROGRAM TË QARTË

 


Brahim Avdyli, poet, prozator dhe publicist militant, me këmbëngulje po ecën në rrugën e nisur letrare duke shkruar poezi me motive shoqërore dhe politike, poezi me një program të qartë në shërbim të çështjes së shenjtë të atdheut të robëruar. Dhe, nisur nga ky rrafsh, parabola krijuese e këtij koncepti poetik të autorit gradualisht ka ardhur duke u ngritur në nivelin artistik si dhe duke u zgjëruar në aspektin tematik, motivor dhe ideoemocional.
Edhe pse librin poetik “Gjuha e tokës sime” autori e ndan në pesë cikle, tematika patriotike, shoqërore dhe ajo intime e poezisë në këtë vëllim është dominuese, herë si motiv i veçantë e herë si motiv i mpleksur, i pandashëm. Dashuria dhe malli për atdheun e robëruar, urrejtja për armikun shekullor të shqiptarëve, thirrja për bashkim, kushtrimi për luftë çlirimtare, demaskimi i kalorësve të rrejshëm aktual dhe i veprimtarisë së tyre destruktive, krenaria për të kaluarën, mjerimi i popullit në robëri, optimizmi për ditët që do të vijnë, hymnizimi i heronjëve të rinj të rënë në altarin e lirisë së atdheut…, në këtë vëllim, janë vetëm disa motive të temës së madhe të atdheut. Dashuria për Kosovën është dashuri reale e poetit. Dheu i Kosovës për poetin është thesari më i madh i kësaj bote. Aty ai e gjen kuptimin e plotë të jetës, aty ai e gjen forcën për punë dhe për luftë. Me një fjalë, në dheun e Kosovës poeti ndjehet Feniks dhe Ante i kohës sonë. Me këtë dhe (tokë) poeti flet si me njeriun, këtë dhe ai e përqafon si fëmijën, në këtë dhe ai e ndjen frymën e atyre që ranë duke e mbrojtur, e sheh bimën e mbjellur të shpresës për të ardhmën. Në altarin e shenjtë të këtij dheu poeti përkulet si para hyjeve, si para Zotit fuqiplotë:

Ah, sa mall, e mbaj midis grushtave
dheun për të cilin jetoj e marr frymë
dheun për të cilin derdha lot,
për të cilin mund të vdes
në çdo kohë –
brumin dhe plafin tim të përjetshëm

Dashuri, mall dhe betim ky i mpleksur në nje ideal. Në idealin e madh të dashurisë për jetën në liri. Dhe, e tëra kjo mund të tingëllonte emfazë dhe patetizëm poetik sikur poeti të mos gjendej në mesin e luftëtarëve të lirisë, me pushkë në dorë, si mbrojtës i nënës tokë. Për poetin është moral i dyfisht dhe hipokrizi të kërkosh nga të tjerët e vetë të bësh sehirë nga kulla e fildisht. Me këtë veprimtari Brahim Avdyli qëndron në vazhdën e traditës së rilindësve dhe si i këtillë nuk është shëmbull i vetëm.
Dashuria për Kosovën në poezinë e këtij libri është dashuri konkrete dhe si ideal lidhet me luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar. I ngopur nga fjalët pa mbulesë, i ngopur nga veprimtaria përçarëse dhe antikombëtare e partive tona politike, që pridikonin se liria dhe pavarësia e Kosovës do të vijnë vetëvetiu, se liria dhe pavarësia do të zbresin me lutje nga qielli mbi tryezë, me kusht që populli të rri urtë e butë, në gjumë, pra, i ngopur nga fjalët bosh, poeti nuk mund të heshtë si kufomë e gjallë, ndaj lëshon kushtrimin:”Nuk ka rrugë tjetër që të nxjerr nga ferri / veçse flaka e pushkëve trimërore”. Dhe vazhdon me të njëjtin patos: “Po digjet Kosova, ku jeni o bijtë e dashur të saj, / a mos kur të zgjoheni, do të jetë tepër vonë”. Shihet qartë, poeti i beson mrekullisë së fjalës poetike, i beson mesazhit të saj të çiltër, ndaj poezisë së tij i jep një funksion dhe mision të caktuar. Poeti në këtë rast nuk shkruan poezi të angazhuar, por poezi që angazhon dhe mobilizon. Dhe, për të qenë efekti i saj hala më i madh, poeti e nxjerr në log të luftës shëmbullin personal: si luftëtar i orëve të para ai u bashkohet çetave në mal, me besimin e patundur në vetëvete se: “Vetëm në front vdiset burrërisht” . Poeti vlon dhe nuk përmbahet nga shqetësimi. Klithma e atdheut me thikën e shkaut deri në asht ngritet deri në kupë të qiellit:

Nuk e duroja dot trishtimin e robërisë
dhunën që lodronte pa fre
fushave të nderit tonë…

Liria e Kosovës për poetin është baza e lumturisë dhe çelësi i dinjitetit personal dhe i atij kombëtar. Nëse ka ende të atillë që nuk e ndjejnë këtë realitet, le t’i hedhin sytë për një çast mbi gjëmën e tragjrdisë më të re të Kosovës. Prandaj, me të drejt poeti merr zjarr: “Për të vlen të vdiset, të përgjakemi / asgjë nuk matet me vlerën e saj, as jeta”.
Tema politike, e trajtuar në shumë poezi të këtij vëllimi, poashtu, realizohet e pashkëputur nga problemi i luftës. Poezitë me këtë temë frymëzohen nga aktualiteti. Në patriotizmin e masave të gjëra poeti e sheh forcën që do ta sjell fitorën definitive. Prandaj, edhe thirrjet për masivizim sa ma të madh të luftës janë shprehje të momentit historik, që në histori nuk përseritet shpesh. Poeti e fton popullin që të ngritet në luftë për liri, ndonëse është i bindur thellë se rruga e luftës kalon nëpër gjak dhe sakrifica të mëdha. Kur këngëton për dëshmorët e rinj të kësaj kohe, poeti i zgjedh fjalët më të mira dhe, duke i ngritur në piedestal, ata i bën shëmbull për rininë dhe mbarë bashkëkombësit se si duhet vdekur për të jetuar përjetësisht populli dhe atdheu. Në anën tjetër, bajraktarët modern, poeti i sheh si mishërim të tradhtisë, të pabesisë dhe të degjenerimit moral. Për ta poeti nuk e kursen kamxhikun, ironinë dhe sarkazmën e rreptë:

Tash, me çka do t’i mbuloni paudhësitë tuaja,
me çka do ta shpaguani tradhëtinë –
edhe sikur t’u ndjekim përtej ferrit
nuk përmirësohet tragjedia
mjer populli që u besoi dredhive tuaja

Me gjithë vlerat e mëdha ideo-estetike, këtij vëllimi poetik mund t’i bëhët edhe ndonjë vërejtje e vogël në aspektin e realizimit artistik. Libri vaun nga përseritjet e temeve, nga përdorimi i mjeteve të hargjuara artistike, nga narracioni i zhveshur e deri diku edhe nga ngurtësia e formës. Por, botimi i këtij libri gjithësesi e arsyeton vetëveten. Libri ka mision mobilizues. Poezia e këtij vëllimi është e frymëzuar nga momenti aktual dhe gjithësesi do t’i ketë lexuesit e vetë të shumtë.

Kontrolloni gjithashtu

Isuf Ismaili: Në kujtim të atdhedashësit, humanistit e veprimtarit të shquar, shokut tonë të dashur, Skënder Ibishi

Isuf Ismaili: Gjuha shqipe pasuri e krenari shqiptare

Rëndësia e mësimit të gjuhës shqipe është jo vetëm e madhe, por e domosdoshme për ...