KADRI REXHA: Sami Frashëri, ideolog i Lëvizjes çlirimtare dhe mjeshtër i penës

Në mesin e figurave më të shquara të mendimit dhe të veprimit patriotik gjatë periudhës së Rilindjes kombëtare shqiptare, padyshim njërin ndër vendet e nderit e zë edhe Sami Frashëri, iluminist, revolucionar, publicist dhe ideolog qendror i lëvizjes çlirimtare, Sami Frashëri bëri një punë të çmuar në shërbim të atdheut në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri në vitet e para të shekullit njëzet, kur edhe vdes, pra, në kohën kur më së shumti Shqipërisë dhe popullit shqiptar i duheshin njerëz dhe intelektualë të kalibrit të tij. 

Sami Frashëri u lind më 1 qershor të vitit 1850 në fshatin Frashër, qendër e njohur e vjershëtorëve bektashianë, njëkohësisht edhe qendër, dikur, e fortë feudale. Rrjedh nga një derë bejlerësh të rënë nga koha. I ati, Halit beu, dhe i vëllai, Abdyli, pas zhdukjes së mercenarizmit në Turqi, punë e cila ishte pothuaj i vetmi burim i jetesës për këtë familje, punojnë si tregtarë e nëpunës. Samiu është njëri nga gjashtë vëllezërit e kësaj familjeje të njohur, e cila historisë dhe kulturës sonë i dha edhe dy personalitete të shquara, Abdylin dhe Naimin, i pari një nga udhëheqësit më të rëndësishëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndërsa i dyti poeti më madh i letërsisë sonë të Rilindjes. 
Studiuesit e jetës dhe të veprës së Sami Frashërit rrugën e formimit dhe atë të zhvillimit të këtij personaliteti të spikatur e ndajnë në tri faza, rrugë kjo që lidhet me tri vendbanimit të tij. Faza e parë e formimit të Sami Frashërit lidhet me Frashërin, fshatin e tij të lindjes. Që në moshë fare të njomë, në gjiun familjar, edukohet me ndjenjën e dashurisë për atdheun, e cila, jo vetëm që do të rritet në shpirtin e tij, por edhe do të jetë peri i kuq, lëngu jetësor, që do të përshkojë dhe mbizotërojë mbi gjithë botëkuptimin dhe veprimtarinë e gjerë të Samiut. Mësimet fillestare Samiu i mori në vendlindje, te hoxha i fshatit, në gjuhën turke, arabe dhe persiane. 
I mbetur pa prindër në moshë të re, bashkë me Naimin, tashti nën kujdesin e vëllait më të madh, Abdylit, Samiu largohet përgjithmonë nga fshati i lindjes dhe vendoset në Janinë. Në këtë vend, qendër e rëndësishme vilajeti, për Samiun fillon faza e dytë e formimit të tij. Në vitin 1865 Samiu regjistrohet në gjimnazin “Zosimea”, që konsiderohet si njëra nga shkollat më të zhvilluara të gadishullit Ilirik për atë kohë, ku mësimet zhvilloheshin më tepër në frymë evropiane se sa në atë turko-arabe. Në këtë gjimnaz mësoheshin greqishtja, greqishtja e vjetër, latinishtja, italishtja, frëngjishtja, italishtja, historia, gjeografia, shkencat matematike, kozmografia, fizika, kimia, historia e natyrës dhe anatomia. Si nxënës i zellshëm, këtë gjimnaz Samiu e kreu me nota shumë të mira një vit para afatit. Pos ngritjes arsimore, në këtë vend, Samiu u ngrit edhe në pikëpamje politike. Meqë u pajis me një kulturë të gjerë klasike, me ide të iluminizmit borgjez dhe me dije të shëndoshë nga lëmenj të ndryshëm Samiu nuk e pati zor të orientohet dhe të veprojë në fusha të ndryshme të punës dhe të luftës shkencore dhe atdhetare. 

Në vitin 1872, në moshën 22-vjeçare, Sami Frashëri shkon në Stamboll për punë. Në Stamboll, Samiu, tashti më burrë i pjekur dhe i formuar, me tërë qenien e vet inkuadrohet në rrugën e nderit që shpie drejt lirisë dhe pavarësisë kombëtare të popullit shqiptarë dhe të Shqipërisë. Që në fillim Samiu bie në kontakt me patriotët e shquar Vaso Pashën, Jani Vreton, Konstantin Kristoforidhin, Hoxha Tahsimin, Ismail Qemailin, etj., të cilët bënin përpjekje të mëdha që të organizojnë dhe zgjerojnë lëvizjen çlirimtare. Paralel më këtë, Samiu inkuadrohet edhe në lëvizjen përparimtare të turqve të rinj, të cilët, osokohe, kërkonin vendosjen e një regjimi të ri kushtetues në Turqi. Pra, në Stamboll për Samiun fillon një jetë fare e re dhe aktive. Me mikun e tij, poetin Namik Qemal, shqiptar nga e ëma, njërin nga udhëheqësit më të shquar të lëvizjes së turqve të rinj, fillon të nxjerrë revistën “Hadika”. Që në numrin e tretë të daljes këtë gazetë e mbylli qeveria, ndërsa Samiun e internoi për një vit në Tripoli. 
Në jetën publicistike Samiu zhvilloi një veprimtari të gjerë. Dëshira e flaktë që t’i tregojë popullit shqiptar, e në të njëjtën kohë edhe popujve të tjerë që jetonin nën sundimin e perandorisë osmane, e detyroi që brenda disa vjetëve të behët bashkëpunëtor apo drejtues i këtyre gazetave dhe revistave: “Feneri”, “Mëngjesi”, “Zëdhënësi i Lindjes”, “Java”, etj. Rol të rëndësishëm Samiu luajti sidomos me gazetën “Zëdhënësi i Lindjes”, e cila botohej nën drejtimin dhe përgjegjësinë e tij në fillim të vitit 1878, në vitin kur kishin ngritur kokë vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit, që cenonin rëndë, në mënyrë të veçantë, trojet shqiptare. Edhe pse kjo gazetë u botua në turqishte, luajti rolin e një organi legal të çështjes shqiptare dhe të mbrojtjes së qëndrimeve të Lidhjes Shqiptare të themeluar në Prizren. Në këto vite të zjarrta Samiu gjendet në ballë të atdhetarëve shqiptarë që vepronin në Stamboll, si njëri ndër drejtuesit e Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të Kombësisë shqiptare. 
Sami Frashëri është njëri ndër themeluesit dhe drejtuesit e Shoqërisë së Stambollit dhe degëve të saj jashtë Turqisë. Në vazhdë të këtij aktiviteti Samiu harton edhe alfabetin e kësaj Shoqërie, shkruan tekste themelore shkollore, siç janë: “Abetare e gjuhës shqip”, “Shkronjëtore e gjuhës shqipe”, “Dheshkronja” e ndonjë tjetër. Kontribut të shquar Samiu dha edhe në hapjen e shkollave të para shqipe. “Kombetë mbahenë me gjuhëtë – shkruan Samiu – një komb që humbet gjuhënë e vet, është i humbur e i harruarë; që më të humburit e gjuhës së tij është i humburë edhe ay vetë… Sot është dita që edhe shqiptarëtë të zënë e të shkruajnë e të këndojnë gjuhën e tyre, që të mundinë të ruajnë kombësinë. Shpëtimi a humbja e Shqipërisë është në dorën e shqiptarëve”. 

Krahas veprimtarisë së tij frytdhënëse dhe shumë të çmuar në lëvizjen kombëtare shqiptare, Sami Frashëri, që nga viti 1872 e deri sa vdiq, me 18 qershor 1904, u mor edhe me krijimtari letrare dhe studime të ndryshme shkencore. Në gjuhën shqipe nga pena e Sami Frashërit u shkruan gjashtë vepra, midis të cilave, më e rëndësishmja është “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhëtë”, ndërsa në gjuhën turke nga kjo penë u shkruan mbi gjashtëdhjetë vepra. Në veprat turke të Samiut mund t’i numërojmë shkrimet letrare origjinale, novelat e dramat dhe deri te studimet e ndryshme në fushën e njohurive shkencore e filozofike si dhe në ato të gjuhësisë dhe të letërsisë arabe. Me punën e tij të pandërprerë Sami Frashëri i dha popullit turk të parin fjalor normativ dhe etimologjik të turqishtes. Vepra më madhore e Samiut në gjuhën turke është enciklopedia “Fjalori i përgjithshëm i historisë e i gjeografisë” në gjashtë vëllime, e para e këtij lloji në këtë gjuhë. Megjithatë, vepra më e rëndësishme e Samiut mbetet “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhëtë”, e cila me të drejtë u quajt manifest i lëvizje kombëtare shqiptare. Këtë vepër e botoi “Dituria” e Bukureshtit në mars të vitit 1899, vetëm dy muaj pas formimit të Lidhjes së Pejës. “Qëllimi i veprës ishte, thuhet në Historinë e popullit shqiptar, të shqyrtonte problemet politike aktuale të lëvizjes kombëtare dhe t’i tregonte asaj dhe në mënyrë të veçantë Lidhjes së Pejës, rrugën që duhej të ndiqnin”. Vepra ndahet në tri pjesë. Në pjesën e parë Samiu e bën një histori të shkurtër të popullit shqiptar duke filluar që nga lashtësia e deri në Mesjetë. Këtë autori e bën me qëllim të caktuar në mënyrë që të bashkatdhetarët të ngjallë krenarinë kombëtare për të kaluarën. 
Në pjesën e dytë Samiu e përshkruan Shqipërinë e kohës së tij, kufijtë e saj, banorët dhe pasuritë e saj mbitokësore e nëntokësore. Në këtë pjesë Samiu e përshkruan, me ngjyra të forta, gjendjen e mjerë të Shqipërisë nën sundimin turk. Në pjesën e tretë të librit Samiu analizon një sërë problemesh që i dalin Lëvizjes përpara dhe në të njëjtën kohë tregon rrugën e çlirimit dhe jep idenë mbi ndërtimin e ardhshëm shtetëror. 

Këtë shënim përkujtimor me rastin e 117-vjetorit të vdekjes së Sami Frashërit po e përfundojmë me fjalët e njërit ndër njohësit më të mirë të veprës së tij, Zija Xholit: “ Në veprën në gjuhën shqipe ai nuk la pa prekur asnjë ide apo problem që kishte të bënte me lëvizjen çlirimtare shqiptare. Kurse në veprën në gjuhën turke gati nuk la fushë të diturisë pa prekur dhe pa thënë në secilën prej tyre një fjalë të mençur, një ide të re e përparimtare. Pasuria e jashtëzakonshme e veprës së Samiut flet për talentin e tij, por edhe për intensitetin me të cilin ai ka punuar. 
Ai punonte me ngut, nxitonte të botonte, mbase, sepse e ndiente se nuk kishte shumë për të jetuar, apo sepse kishte shumë për të thënë apo, që na duket më afër të vërtetës, sepse Atdheu i tij dhe shoqëria në të cilën jetonte kishte plot probleme që kërkonin zgjidhje, bile zgjidhje urgjente.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …