leoni

Kadri Rexha: Vatër kulture dhe veprimi e mërgimtarëve

Monografia “SH.K.SH. MËMËDHEU” e shkruar nga Ibish Neziri, publicist dhe militant i dëshmuar i çështjes kombëtare shqiptare, si vepër me vlera shumë të çmuara e ka parë dritën e botimit në kudër të publikimeve të shtëpisë botuese “Mëmëdheu” të St. Gallenit në vitin 2002.
Të themi që në fillim se për lexuesin shqiptar autori Ibish Neziri nuk është emër i panjohur. Pos si autor i shkrimeve të shumta gazetareske dhe publicistike ai deri me sot para lexuesve është prezantuar në fillim si bashkautor i librave “Spektër shqiptar” dhe “Fytyra e dhunës mbi Universitetin e Tetovës”, ndërsa më vonë si autor me monografitë “Ahmet Haxhiu – një jetë e tërë në lëvizjen ilegale” dhe “SH.K.SH. MËMËDHEU” e ST. GALLENIT”, monografi të cilën po e paraqesim për dëgjuesit dhe lexuesit e institucionit kombëtar RADIO KOSOVA E LIRË. 
Gjykuar nga trajtimi i temave në librat e tij duket se Ibish Neziri vazhdon të qëndrojë me këmbëngulje në elementin e vet, në vazhdën e idealeve të ndritshme të Rilindasve tanë, në frymën liridashëse, luftarake dhe revolucionare të pjesës së dytë të shekullit që e lamë prapa. Këtë bindje lexuesi e krijon sidomos nga leximi i dy librave të tij të fundit. 
Deri sa në librin për Ahmet Haxhiun duke e dhënë portretin atdhetar dhe politik të heroit autori në të njëjtën kohë e jep edhe sfondin historiko-shoqëror si dhe zhvillimin e lëvizjes patriotike të Kosovës me të gjitha vlimet, rëniet dhe ngritjet e saj, në librin e tij të fundit që e kemi në dorë për objekt shqyrtimi temë e trajtimit është veprimtaria kulturore, atdhetare dhe politike e veprimtarëve të shumtë dhe të palodhshëm qofshin ata udhëheqës, qofshin anëtarë e qofshin e dhe miq dhe dashamirë të lidhur ngushtë rreth emrit të Shoqatës “Mëmëdheu” të St. Gallenit. 
Me punën e tij të përkushtuar dhe plot frymëzim, Ibish Neziri ia ka dalë të realizojë me sukses këtë monografi kushtuar Shoqatës patriotike “Mëmëdheu” të St. Gallenit. 
Për hartimin e kësaj monografie autori është mbështetur në të dhëna, në fakte dhe në dokumente autentike, në bisedat me veprimtarë të shumtë të kësaj vatre si dhe në kujtimet personale të tij, si mysafirë i shpeshtë dhe aktiv i Shoqatës që ishte, me çka vlera e librit merr peshë jo vetën në aspektin emocional dhe njohës, por edhe në aspektin historik. Duke dashur ta shkruajë sa më besnikërisht historikun e Shoqatës , në faqet e këtij libri autori dëshmon se në sofrën e vet bujare, për tetë vite me radhë, “Mëmëdheu” mblodhi mërgimtarët tanë politikë dhe ekonomikë që jetonin dhe punonin në Kantonin e St. Gallenit dhe më gjerë, për të cilët kjo Shoqatë ishte bërë vatër e ngrohtë, një copë mëmëdheu në dhe të huaj, simbol pune, sinonim lirie dhe burim frymëzimi për vepra të mbara. Duke dashur ta theksojë vazhdimësinë e lidhjes së fortë të kësaj vatre me atdheun autori dëshmon se vizitorë të shpeshtë të “Mëmëdheut” ishin personalitete të shquara kulturore dhe politike shqiptare, si Adem Demaçi, Hashim Thaçi, Dritëro Agolli, Teki Dërvishi, Ramiz Kelmendi, Ali Podrimja, Xhevahir Spahiu, Sejdi Berisha e kështu me radhë. Madje, duke punuar sipas shembullit të shoqatave dhe klubeve të kohës së Rilindjes kombëtare shqiptare dhe e mbështetur fort në vijën kombëtare të Lëvizjes politike dhe revolucionare të kohës, të përfaqësuar me krenari dhe dinjitet nga LPK-ja, Shoqata do të veprojë me energji për ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e kulturës dhe të mendimit shqiptar, sa, më në fund, në prag të luftës së Kosovës, ajo do të bëhet vatër e veprimit konkret duke e kaluar tërë energjinë e vet në mbështetjen dhe në organizimin e luftës çlirimtare, UÇK-së së lavdishme dhe heroike. 
Duke synuar që ta dokumentojë sa më objektivisht veprimtarinë e gjithanshme të “Mëmëdheut” autori lëndën e kësaj vepre e ndanë në kapituj të veçantë, me çka lexuesit i lehtësohet puna shumëfish si në çështjen përmbajtësore ashtu edhe në leximin e librit me një frymë. 
Në këtë drejtim një punë fort të mirë autori e ka bërë edhe me botimin e faksimileve të dokumenteve origjinale dhe të fotografive të zgjedhura nga albumi i Shoqatës, me çka fjala e shkruar ilustrohet edhe me dokumentin përkatës. 
Në aspektin krijues autori i qëndron besnik traditës së shkrimit të monografisë duke ndjekur në mënyrë kronologjike themelimin, zhvillimin e veprimtarisë si dhe, më në fund, shuarjen e aktivitetit të Shoqatës. Libri është i shkruar në gjuhë letrare kombëtare dhe karakterizohet me një stil të lehtë dhe të rrjedhshëm, vende-vende me pjesë të pastra letrare. 
Në fund të theksojmë, se duke e parë dritën e botimit në dhjetëvjetorin e themelimit të “Sh. K.Sh. Mëmëdheu të St.Gallenit”, ky libër aq sa është buqetë lulesh për Shoqatën në fjalë po aq është nderim i thellë për autorin, Ibish Neziri.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …