Kadri Rexha:Sprovë për biografi të shkrimtarit Kadrush Radogoshi

 


Një mik imi, moderator i një faqeje në internet, kushtuar letërsisë, kohë më parë, më kërkoi t’ia shkruaj një biografi për shkrimtarin Kadrush Radogoshi. Pranova pa hezitim dhe i premtova se shkrimin do ta kishte së shpejti në dorë.
Këtë punë e mendova fare të lehtë. Me Kadrushin njiheshim që nga koha e studimeve dhe në mes meje dhe tij ekzistonte një miqësi e gjatë. Kadrushin, ndërkaq, e konsideroj ndër shkrimtarët e paktë shqiptarë të persekutuar në shumë drejtime. Po ashtu kam fituar besimin se vuajtjet dhe qëndresa e Kosovës, dhuna, përpjekjet, lufta dhe flijimi i gjeneratave të njëpasnjëshme te Kadrushi e kanë gjetur penën që i përjetëson artistikisht. Më së një herë ai këtë e ka dëshmuar jo si spektator, por si pjesëmarrës aktiv i vlimeve rinore, jo si shkrimtar i pushtetit gjakatar apo si shkrimtar i temave libreske, por si shkrimtar i dhimbjeve personale dhe si shkrimtar i krajatave të padurueshme konkrete të popullit të vet të shumëvuajtur. Duke e lexuar veprën e tij letrare kam vënë re se librat e tij nuk janë imitime, nuk janë surrogat, por ato janë krijime tejet origjinale dhe kanë një vlerë të çmuar letrare, shoqërore dhe historike. Më në fund, pse ai ta imitonte Homerin, Eskilin, Danten, Shekspirin, Kafkën, Asturiasin… kur Troja, Prometheu, Ferri, Hamleti, Josef K. dhe Zoti President ishin qenie reale e përditshmërisë së Kosovës në përmasa hala më të tmerrshme.
Shkrimin e fillova duke iu përmbajtur pikave të paracaktuara: pak shënime jetësore, pak shënime nga veprimtaria letrare dhe pak shënime nga aktiviteti i tij shoqërorë. Pasi e vura pikën në fund të biografisë dhe para se atë t’ia dërgoja mikut tim, u ktheva edhe njëherë ta lexoj dhe eventualisht t’i ndreqi lëshimet apo gabimet e rastit. Ende pa i rënë në fund, ndjeva se në thellësinë e qenies sime, lidhur me këtë shkrim, kishte filluar të ngritë kokë ndjenja e pakënaqësisë. Thjeshtë, biografia për Kadrushin m’u dukë e thatë, skelet i pa mish dhe i pa gjak, shënime që pos një informacioni sipërfaqësor nuk thoshin gjë tjetër me rëndësi. I zënë ngushtë në kurthin e pakënaqësisë me vetveten me çdo kusht kërkoja ndihmë për të shpëtuar nga situata që e kisha krijuar aq papritur. Edhe një herë i rilexova shënimet biografike për Kadrushin që i gjeta në fund të librave të tij. Por, kot, fakte zyrtare dhe asgjë më shumë. Mendova: ndoshta paskan të drejtë ata që e akuzojnë fjalën për varfëri dhe të pa aftë për të shprehur të plotë realitetin fizik dhe shpirtëror të subjekteve të caktuara.

Po kujtimet, thashë me vete, a mund të më ndihmojnë në këtë mes. Andaj, sakaq, provova t’u bëjë zë, t’i zgjoj dhe t’iu hap shteg të pakufishëm kujtimeve të mia. Fillova ta rizgjoj, ta përtërijë dhe ta sistemoj një botë të largët që ka ikë e nuk kthehet dot. Pritja ta zbresë mrekullinë mbi tryezë, ashtu të qartë, ashtu të dëlirë, diçka si frymë, që shihet por nuk preket me dorë. Me lehtësi zbrita shkallëve të kujtimeve, tashti e mbi tri dekada më parë. Nuk m’u desh mundim i madh ta rikrijoja truallin e ndezur flakë, kohën që premtonte stinë me diell dhe plejadën e artë të kohës, vazhduese e devotshme e çetës së profetëve. Të gjithë në kërkim të dijes, të fjalës së urtë e të bukur, të ndjenjës së çiltër, të mendimit të thellë dhe të lirisë që na e kishin rrëmbyer me dhunë. Të gjithë me një synim të përbashkët: ringjalljen e shpirtit, lirinë e truallit dhe bashkimin e kombit.
Aty ishte edhe Kadrushi: shtatmesatar, flokëverdhë, sykaltër, me një gjallëri të theksuar. Kadrushi vinte nga Gjakova dhe në ballë mbante vulën e kolosëve martirë, mësuesve të herezisë absolute. Asokohe ai qëndronte në mes heshtjes e këngës dhe vetëm vite më vonë shpirti i tij vullkan do të shpërthente si uragan mbi maskat, hipokritët, pseudopatriotët, tregtarët e flamujve, idhujt e rrejshëm dhe mbi armiqtë e atdheut. M’u rishfaqën ato ditë të papërsëritshme rreth tryeze. Biseda të vrullshme që zakonisht bëheshin pas ligjëratave në Universitet. Kadrushi e admironte dhe e njihte shkëlqyeshëm letërsinë antike greke dhe romake. Nga lashtësia latinët na porositnin: kur gjëmojnë topat, heshtin muzat! Kurse muzat tona armiku provonte t’i degjenerojë, në të kundërtën kishte vendosur t’i vrasë që në zanafillë. Bisedat tona kërkonin materializim, kurse muzat shpërthim. Në diskutime Kadrushi manifestonte erudicion, mendim lakonik dhe profeci. Diskutimet, rëndomë, zhvilloheshin rreth temave të caktuara. Lidhur me heronjtë, asokohe, Kadrushi kishte këtë mendim:
“Heronjtë janë si shëndeti…
Shëndeti i një shoqërie njerëzore janë heronjtë, për të cilët s’jemi të vetëdijshëm derisa të mos kenë vdekur.”
Ndërsa profecia e vazhdueshme e tij ishte se Populli duhet të përgatitet për ditën e madhe, përndryshe mbi Kosovën tonë sërish do të përsëritet Troja.
“Hapni sytë, bashkëvendësit e mi, sa nuk është bërë vonë…”, profeci që në të ardhmen do të skalitet në faqe libri.

Dhe vjen viti 1981, Moti i Madh, siç do ta quaj shkrimtari në titull romani. Jusufi e kishte lënë poezinë dhe tashti nga larg lëshonte kushtrimin e luftës së përgjithshme çlirimtare. Kosova vazhdonte të goditej për vdekje.
Burgosje, tortura, masakra, gjenocid, etnocid, dëbime. Nën dhunën e përgjakshme të pushtuesit edhe plejada e profetëve nisi të rrallohet: dike e gëlltitë burgu, dike tjetër e përpin dheu i huaj. Kadrushi ende mbahej në ballë të frontit të rezistencës, në ballë të nxënësve dhe të intelektualëve të Gjakovës së ngritur dhe të përgatitur për të mos rënë në humbëtirën e harresës. Në mbledhjet e gjata të diferencimit në shkollë, Kadrushi është beden i pakalueshëm për zagarët e regjimit. Kështu, derisa, më në fund, lukunia e ujqërve të tërbuar udbashe me argatët e tyre shqipfolës e diferencojnë dhe e fusin në burg, si veprimtar dhe propagandues kundër regjimit kolonialist serb, si indoktrinues i nxënësve me ideologji nacionaliste dhe kundërrevolucionare. Gjatë kësaj kohe mbi trupin dhe mbi shpirtin e Kadrushit do të zbrazet gjithë helmi dhe vreri i akumuluar vite me radhë dhe, njëkohësisht, mbi të do të provohen torturat më të egra të regjimit. Ndërsa pas daljes nga burgu ai do të privohet nga ushtrimi i profesionit si dhe i çdo pune tjetër: do të izolohet, do të persekutohet deri në linç politik dhe në vijimësi do të ndiqet si fajtor kujdestar i burokracisë antishqiptare politike të Gjakovës. “Guximi im i marrë për t’u zhytur nëpër skutat e errëta të këtij qyteti me qëllim të ndriçimit të tyre e nxiti mllefin e madh të nëntokës, i cili më ndjek tërë jetën. Në mes meje dhe këtij mllefi zhvillohet një luftë e pandërprerë dhe e pabarabartë…
Ky mllef po i sulmon edhe fëmijët e mi, për të cilët, ky qytet i udhëhequr nga mashtrimi i madh, po bëhet gjithnjë e më pak atdhe”, do të shprehet më vonë Kadrushi. Ende të pakënaqur me rezultatin, më 28 mars 1989, burokracia e Gjakovës përsëri e arrestoi Kadrushin, si intelektual të rrezikshëm dhe të papërmirësueshëm dhe, në mesin e 237 intelektualëve të tjerë të Kosovës, ngjashëm me masakrën e njohur të Manastirit, e degdisen burgjeve mesjetare të Sërbisë, në Prokuple, në Leskovc, etj.

Dhe, pikërisht që nga kjo kohë e më vonë, kompletimi i biografisë dhe i fjalës poetike të Kadrushit m’u vështirësua tej mase: një tis mjegulle Hadi, nga rrethi i nëntë i Ferrit, më pengonte të shoh më qartë. Megjithatë, nga qëllimi nuk u ndala, as u mbrapsa. Mblodha forcat e fundit dhe u rashë mespërmes fushave shtatzëna të Ilirisë antike. Më këto duar, pëllëmbë për pëllëmbë, e preka tokën e përgjakur të Dardanisë. Nëpër damarët e gjakut tim që zbresin me gjëmë të përmbajtura maleve dhe fushave të dheut tonë mbolla lule për dëshmorët kombit. Me shpirt në dhëmbë i rraha zbathur fushat dhe malet e djegura me themel. Kah do që kaloja më përcillte rënkimi e heshtur i shtëpive dhe kullave Feniks që digjeshin me barkun plot me njerëz. Trishtimi më kishte hyrë në eshtra nga qetësia e qyteteve të kthyera në gërmadha. Klithma dhe mallkime vinin nga palëftohtat katrahurë varrezash masive, nga hiri i të zënëve rob të djegur në furrëlartat e Serbisë. E kërkova edhe në errësirën e ritimin e kazamateve mesjetare serbe, edhe në admirimin e rinisë që e mbanin simbol sakrifice…
Shkela në boshtin kurrizor të Bjeshkëve të Nemuna, në malet e Drenicës dhe të Llapit, ku suferina përzihej me tym, me barot dhe me heroizma. Hyra edhe në vargun biblik milionësh të te dëbuarve me dhunë. Kadrushin e gjeta edhe në Bllacë, edhe në Morinë, edhe në Qofë të Prushit, edhe në Rozhajë, në Shkup, në Shkodër, në Kukës, në Tiranë, në Durrës, në Vlorë dhe Tepelenë. Harta e atdheut, më në fund, po i merrte konturet e plota, po shfaqej në horizont. Herë me dukej se Kadrushin e shihja materie konkrete – real, e herë ireal – fluid të humbur në pyllin e metaforave dhe figurave letrare. Herë me ngjante në profet që është në kërkim të Tokës së shenjtë, e herë në bard shtigjeve të Golgotës, që ka mësuar ta pushtojë lirinë e arrestuar dhe fjalën e urtë në Panteonin artistik.
Herë me dukej si personazh i pluhurosur baladash që nga varri ngrihen për të çuar në vend besën, e herë më dukej Rozafë që flijohet për ardhmërinë. Diku e shihja Sizif të dënuar zotash e diku Laokont të rrethuar gjarpërinjsh helmues, diku torzo të gjymtuar në shtratin e Prokrustit e diku Ante të përjetshëm që merr forcë nga nëna tokë. Gjatë gjithë kohës e shihja të lidhur, pranga në duar, hekura në këmbë, Promethe që sfidon perënditë e errësirës të Olimpit bashkëkohor dhe në të njëjtën kohë e shihja si Korife që artistikisht e shqipton nekrologjinë për Sodomën. Por, mbi të gjitha, Kadrushin e shihja Marathonomak të ri që lajmëron lirinë e shumëpritur dhe fitoren e bashkimit të trojeve shqiptare. Kadrushi përftonte, herë si frymë e lashtë kohërash që përtrihën, herë si valë e shkumbëzuar konkrete që shkrihet në fjalë të urta poetike.

Dhe, rasti e solli, me Kadrushin u takova pas një çerek shekulli. Të ulur ballë për ballë rreth tryeze ngjanim me dy ushtarë pas betejës. As të mposhtur, as ngadhënjimtar tërësisht. Të heshtur dhe të pikëlluar kujtonim shokët: dikë të plasur nga robëria, dikë të thinjur nga dhuna, dikë të vrarë nga plumbi serb, dikë të djegur malli për vendlindjen, dikë të thyer nga karrigia e pushtetit… Koha e bisedave, si dikur moti, tashti më kish ikur, kishte mbetur në kujtim, në këngë, në poezi, kishte hyrë në histori.
Më në fund e kuptova se biografia e vërtetë për shkrimtarin nuk shkruhet kurrë. A mund të shkruhet biografia për dashurinë, për lirinë, për pikëllimin. A mund të shkruhet balada për zjarrin, për barin e shkelur mbi varre, për gjakun që thërret nga varrezat masive. A mund të përshkruhet në letër qoftë edhe vetëm një sekondë torture fizike dhe psikike mbi shkrimtarin, a mund të përshkruhet në letër fyerja, poshtërimi, dhuna që i bëhet mësuesit, shkrimtarit dhe atdhetarit, kombit mbarë. Dhe, dhuna mbi Kadrushin nuk ishte e çastit, as e rastit…
Pas gjithë këtij rravgimi të mundimshëm mikut tim që priste shënimet e kërkuara ia dhashë këtë propozim: Nëse e do biografinë e vërtetë të Kadrushit atëherë vendose në faqen virtuale tërë veprën e tij: poezitë, romanet, dramën dhe shkrimet diskursive. Kjo do të jetë vetëm një grimcë nga drama, nga ëndrrat, nga emocionet, nga shqetësimet, nga dhimbja e shpirtit, nga jeta, nga vuajtjet dhe nga përjetimet e tmerrshme dhe të padurueshme të Kadrush Radogoshit dhe të popullit të tij.

Kadrush Radogoshi:

PROMETHEU ERDHI NË KOSOVË

Zeusi gjuante me rrufe vrastare
po Prometeu erdhi në Kosovë.

Diku në mes tokës e qiellit
e hapi shkollën e parë.

Luleyjeve filloi t`ua mësojë
alfabetin e zjarrit
pastaj e puthi në ballë
rrezen e parë të mëngjesit…

E puthi në buzët e çelura si lule
në gjinjtë e gufuar si qumështi
e puthi.

Erdhi Prometeu në Kosovë
siç vjen rrezja e diellit në pranverë
e filloi t`ua thërrasë emrat
nxënësve të tij…

UNË JUSUF GËRVALLA

Dhembja i bie kitarës pa ndalë
Fijet e barit mbi varrin tim lotojnë
Era gjëmon në veshin e pritjes…

Gjithmonë e kam pritur ditën e ardhme
Në fillim të rrugës
E kam kapur për dore
Si foshnjën e nënës pranverë
. Gjithmonë i kam buzëqeshur gëzimit
Haresë ia kam hapur rrugën
Sa herë ia ka mbyllur pikëllimin
Kam shushuritur me gjethet
Kur i përkundte era…

I kam dashur njerëzit
Edhe kur ndërtonin ndonjë tempull adhurimi
Për shenjtëreshën Liri
Edhe kur i binin kitarës
Me gishtërinjtë e hollë të erës
I kam dashur njerëzit.

Sa herë është zgjuar në mua
Gjyshi im Orfeu
Ia kam thënë këngës
Gjer në kupë të qiellit
Nga çdo tingull i saj
Fluturonte një bilbil.

Ia kam thënë këngës
Ia kam thënë…
Unë Jusuf Gërvalla…

EKSPEDITË NË VEPRËN ARTISTIKE

Forca të mëdha policore
nga të gjitha anët
E sulmuan veprën artistike
Për ta bastisur
Për t’ia arrestuar
Idetë
Mesazhet
Personazhet…

Me thika parahistorike
Po i prejnë
Kapitujt, paragrafët, fjalët, rrokjet…

Personazhet e akuzuara i gjetën
I rrahën
I fyen
E pastaj i arrestuan
Me pranga në duar
Me hekura në këmbë…

Tash po e kërkojnë lapsin
E dorën që e mbajti…

NË KOSOVËN E LIRË

Në Kosovën e lirë
Mund të burgoset
Çdo gjë…

Ëndrra dhe zhgjëndrra
Toka dhe qielli
Mund të burgosen
Në Kosovën e lirë…

AKUZIM PUBLIK

Akuzohem publikisht akuzohem
pse në klasën e parë
e kam vizatuar një rrugë pa fund
me shtëpi plot dritare dashurie
mbi të një qiell e në qiell një diell…

Akuzohem publikisht akuzohem
pse me shkronjat e mësuara legalisht
e lexova lirinë e ikur ilegalisht nga definicioni i vet
pse historisë ia tregova adresën e saktë të së vërtetës
para se të hyjë në muze
para se të mësohet mirë apo gabimisht në shkollë
e vërteta
e strukur në jetën që m’i vodhi vargjet
e strukur në vargjet që ma vodhën jetën
arenë antike e vonuar dy mijë vjet.

Akuzohem publikisht akuzohem
pse fëmijët i kam pagëzuar
me emra më të vjetër se dy mijë vjet:
Brikenë, Epikad
Brikena tash i ka mbushur më tepër se 2009 vjet
Epikadi i ka vetëm nëntë vjet më pak
e megjithatë janë të rinj
besa fëmijë
e luajnë me lodra që ua vjedhin babanë
aty për aty
në mes të ditës apo natës…

Akuzohem publikisht akuzohem
pse besuakam në një tjetër Zot
të pagëzuar mijëra here në emër të herezisë
herë Promete herë Galile
Xhordano Bruno e Skënderbe…

Akuzohem publikisht akuzohem
pse jetuakam në mes të Tokës e Qiellit…

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …