Kadrush RADOGOSHI: SIMBOLIKA E MBIJETESËS DHE E PEIZAZHIT SINTETIK

 


1. Pas njëzet e pesë vjetësh

Letërsia shqiptare në Kosovë, e krijuar në rrethanat e një pushtimi të egër, në pjesën më të madhe të saj, nuk u krijua si komoditet formal-estetik, por si kundërvënie e brendshme dhunës dhe terrorit fizik e shpirtëror. Atë, në pjesën dërmuese të saj e karakterizon ideali i lirisë. Shkrimtarët tanë më të mirë, duke qenë të frymëzuar nga ideali suprem i lirisë, u bënë udhëheqës shpirtërorë të popullit e shpeshherë edhe udhëheqës të drejtpërdrejtë në luftën për liri kombëtare e barazi sociale. Duke qenë të tillë u burgosën, u torturuan, u izoluan (Adem Demaçi e shumë të tjerë) e shpeshherë u mbytën në tortura (Fazli Grajçevci, Burgu i Prishtinës, 1964) apo u vranë. Kështu ndodhi me poetin Rexhep Elmazi në vitin 1978 e katër vjet më vonë edhe me shokun e tij disa vjet më të ri Jusuf Gërvallën.
Ndonëse kanë kaluar njëzet e pesë vjet që kur u mbyll në mënyrë të dhunshme jeta biologjike e tij, vepra e gjithanshme e tij nuk është botuar në plotninë e saj dhe pa marrë parasysh interesimin sipërfaqësor të shoqërisë shqiptare për këtë figurë emblematike dhe veprën e tij , ajo nuk është studiuar sa e si duhet . Në këtë kontekst nuk mohohet kontributi i çmueshëm i atyre që sado pak janë përpjekur ta ndriçojnë jetën dhe veprën e Jusuf Gërvallës. Në këtë kontekst spikat monografia ,,Fati i luleve” e Kadri Rexhës (Buzuku, Prishtinë, 1993) dhe parathënia ,,Vepra letrare e Jusuf Gërvallës e Sabri Hamitit në librin me të njëjtin titull (Ora, Prishtinë, 1992).
Pas njëzet e pesë vjetësh vepra letrare e publicistike e Jusuf Gërvallës troket me forcë në ndërgjegjen tonë me aktualitetin e saj estetik , po edhe etik gjithsesi. Jeta dhe vepra e Jusuf Gërvallës nuk kanë nevojë për glorifikim e mitizim , por për studim dhe vlerësim objektiv shkencor.Ajo kërkon vendin e vet në rendin e vlerave të kulturës sonë kombëtare .

2.Romani “Rrotull” dhe simbolika e mbijetesës

Romani “Rrotull” u botua pas vrasjes së autorit si vepër postume (1983). Vepra ishte përfunduar për të gjallë të autorit e konkretisht në vitin 1979. Se romani është i përfunduar e dëshmon vet struktura e tij, e cila për lexuesin e vëmendshëm dhe studiuesin nuk lejon të ketë mëdyshje për tërësinë strukturore të përfunduar.
Titulli i romanit na e sugjeron që në fillim kodin shkrimor në këtë roman,i cili ndërtohet nga logjika mitologjizuese, me gjuhën e saj figurative simbolike Emërtimi i fshatit apo toposi “ Vijuj “ është formuar në bazë të parimit simbolik dhe semantika e tij sugjeron esencën mbi të cilën ndërtohet retorika e romanit .Pos këtij toposi në roman hasen edhe topose tjera të cilat janë reale si “ Bjeshkët e Strellcit “, “ Podguri “, “Peja dhe zalli i saj “, “Maja e Çiçavicës “. Kjo strukturë toposesh reale, me toposin e imagjinuar e simbolik në mes, e plotësuar me një shumësi peizazhesh të të gjitha llojeve, krijon hapësirën artistike të romanit në të cilën zhvillohet filli i holluar i jetës në një familje të mbetur vetëm në Ketë Avdinë fëmijë , përndryshe personazhi kryesor. Kjo strukturë e kufizuar është e mjaftueshme për ndërtimin e ngrehinës artistike të romanit, e cila paraqet një model të përgjithësuar ekzistencial të njeriut.
Personazhi i këtij romani Ketë Avdija është figurë kryesore, jeta e të cilit rrëfehet nga rrëfimtari i nënkuptuar prej lindjes e gjer në martesën e tij dhe lindjen e vajzës e sidomos djalit. Keta është ekzemplari simbolik i ekzistencës dhe mbijetesës. Ai rritet pa prind, pas një kohe edhe pa gjyshen që i vdes dhe pa motrën Gjylë që i martohet. Vetëm lopa apo Murra është gjallesa e vetme e lidhur me fije të pashkëputshme me Ketën, e cila ia sigu-ron ekzistencën .Jeta e tij has në vështirësi qëkur ishte në djep, një pjesë e tyre janë pasojë e thashethemnajës së krijuar nga Dakë Skelja, që nxiti talljen dhe përbuzjen e fshatarëve ndaj Ketës fëmijë . Kjo përbuzje e fshatarëve dhe guximi i Ketës për ta hequr nga shtiza përpara postë-komandës në Strellc flamurin e përzishëm mbretëror për të bërë brekë e detyruan ta shesë Murrën dhe të shkojë në kurbet, në Austri, prej nga kthehet pas një kohe, në kullën meremetuar nga fshatarët, të cilët, në njëfarë forme, e korrigjojnë gabimin që kishin bërë, duke ia dëmtuar kullën. E tërë kjo përbën skeletin fabular të romanit, i cili ka një fabulë të reduktuar në maksimum. Fabula e reduktuar ka ndikuar drejtpërdrejt në ndërtimin e tipit të personazhit, i cili është më tepër simbolik se sa veprues apo bartës i fabulës së njëmendtë romanore.
Romani “Rrotull“i Jusuf Gërvallës është roman i kodit simbolik. Logjika simbolike mbretëron në të gjitha nivelet e romanit nga makro struktura e romanit konstituent kryesor i së cilës është personazhi Ketë Avdija, e gjerë te mikrostrukturat. Fati i kryepersonazhit dhe mbijetesa e tij është korniza kryesore e simbolikës ekzistenciale, e cila herë-herë arrin përmasat arketipore.
Simbolika e flamurit të grisur mbretëror për të bërë brekë për b… është shumë domethënëse dhe sugjeron shkaktarin e të gjitha të këqijave dhe kundërshtimin, që i bëhet atij me invencion të jashtëzakonshëm .

3. Nostalgjia për peizazhin e vendlindjes

Kur lexohet romani “ Rrotull “ i Jusuf Gërvallës të bie në sy mbizotërimi i peizazhit, i cili ashtu si në poezinë e tij është peizazh i vendlindjes, i cili, si duket, Jusufit i ka munguar shumë, prandaj nuk duhet ndonjë angazhim i veçantë për të kuptuar se peizazhi në veprën e tij është i motivuar nga një ndjenjë e thellë dashurie dhe nostalgjie apo përmallimi për të.
Peizazhet në romanin “Rrotull” kryesisht janë sintetike sepse janë të lidhura me kontekstin shpirtërorë të personazhit, pra ato nuk janë përshkrime të thjeshta të natyrës , nuk janë deskriptive e as dekorative. Ato janë edhe mendim, edhe ndjenjë e caktuar, edhe simbol. Pra, është peizazh simbolik dhe simbolizon hapësirën ekzistenciale të mbijetesës,është “korniza” brenda së cilës ndodhë jeta.
“Dielli ende s’e kishte shkapur cepin e buzës nga e puthura e kuqrremtë me majën e Çyçavicës .Qielli ishte i kthjellët, ajri i tejdukshëm. Pas gjithë rrëmetit të natës së shkuar, kur desh qe shqepur duke derdhur ujë me bucelë, qielli tash dukej i prajshëm, i qetë e i virgjër si fytyra e së Bukurës së Dheut, e cila në përfytyrimet e djalit tash kishte marrë edhe një përmasë tjetër të çuditshme” (f . 247).
Në peizazhin simbolik të Jusuf Gërvallës fenomeni i shkuarjes në kurbet dhe dhembja e pikëllimi që krijon ajo jepet në kontrast me natyrën e bukur të vendlindjes, që braktiset…
,,Rrezet ar të diellit të porsalindur e kishin stërpikur dhe e kishin veshur me një napë të hollë e të brishtë pullazet e katundit, gjethet e pemëve e të shelgjeve të shpëlara nga shiu i natës së kaluar kishin marrë një shkëlqim të jashtëzakonshëm”.
Kjo pjesë e peizazhit pasohet nga pjesa tjetër, që fillon me një lidhëz kundërshtore dhe është në raport kundërshtie me të, prandaj edhe emocioni i dhembjes e pikëllimit, edhe ndjenja e pasigurisë, kur shkohet në kurbet, janë më të forta, më tronditëse…
,,Po tek këmbët e djalit ende nuk arrinin ato rreze, tek po e ndiqte shtegun e ngushtë, që e kishte shkelur vjeshta (…). Vetëm pa Murrën, sot kishte mbetur krejt vetëm. Duqët në krahë, dy monedha në xhep…” (f. 248).
Peizazhi sintetik i Jusuf Gërvallës karakterizohet edhe nga trashëgimia mitike shqiptare. Në baladat dhe në epikën legjendare shqiptare antropomorfizohet çdo gjë, po sidomos zogjtë, të cilët shohin çdo gjë dhe lajmërojnë personazhet .Kështu ndodh edhe në romanin ,,Rrotull” ku peizazhi ka karakter arketipor…
“Shpendët kasnecë nuk reshtnin ende, ia thoshin me atë zërin e tyre të çjerrë mëngjesorë, lajmëronin diçka të re: ndoshta vetëm ditën, ndoshta hapin e pasigurt, që kishte marrë rrugën jetike cepit të greminës, rrugën e kurbetit “ (f . 249).

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …