Kapacitetet e IBK-së, mundësi për zhvillimin e bujqësisë sipas standardeve evropiane

Në Institutin Bujqësor të Kosovës në Pejë, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kryhen analizat e tokës, por edhe të viruseve për bimët e mbjella. Në pesë laboratorët e këtij instituti bëhet diagnostikimi i viruseve që ndikojnë në sëmundjen e kulturave bujqësore. Drejtor i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci tregon se ky institucion ka peshë të madhe në sektorin e bujqësisë për shkak të identifikimit të problemeve që mund të kenë bujqit kosovarë me të mbjellat e tyre. “Në këtë vend kryhen analiza për shumë lëndë. Analizat bëhen kryesisht në fushë dhe laboratore. Palët e interesit janë fermerë, konsumatorët e produkteve bujqësore dhe institucionet përgjegjëse që kujdesen për cilësinë e ushqimit”, thotë Geci. Por shqetësuese mbetet degradimi i tokave bujqësore në tërë territorin e Kosovës. E shkatërrimi i tyre po bëhet në disa mënyra. “Shumë fermerë pa qenë të vetëdijshëm djegin amulloret, e kjo dëmton tokën pasi shkatëron pjesën e gjallë të saj. Republika e Kosovës nuk qëndron mirë sa i përket ruajtjes së tokës”, thotë Geci. Degradimi i tokës po bëhet edhe nga disa faktorë tjerë. Drejtor i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci thotë se degradimi rrjedh edhe si pasojë e përdorimit të tepërt të plehrave kimike, si pasojë e mosdhënies së materies organike dhe si pasojë e mospunimit të rregullt të tokave bujqësore. Një projekt tjetër mjaft me peshë në këtë Institut është edhe sera eksperimentale, e cila është përuruar vitin e kaluar. Këtu ruhet baza gjenetike e varieteteve autoktone si kultura e dardhës, e mollës dhe e varieteteve tjera. Nga ky vend pastaj fidanet kalojnë në shartesë në fshatin Vitomiricë. Arton Bekolli, që udhëheqë Drejtoratin për Prodhim Bujqësor tregon se këtu testohen edhe farat e kulturave bujqësore të importuara. “Farat e kulturave bujqësore të importuara testohen me qëllim që më pas ato të futen në listën e lejuar për përdorim nga fermerët”, thotë Bekolli. Instituti Bujqësor i Kosovës funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë dhe vazhdimisht ofron mbështetje teknike dhe shkencore për departamentet teknike të MBPZHR-së. Në IBK bëhen kontrolla të cilësisë së inputeve bujqësore, ushqimit dhe ruajtja e ambientit jetësor, gjithashtu bëhen edhe hulumtime të varieteteve të kulturave bujqësore si grurit, elbit, misrit dhe patates në kushtet agroekologjike të Kosovës. Por prioritet ka edhe identifikimin e agjentëve të dëmshëm biologjik si dëmtuesve, patogjenëve, barojave të këqija e të tjera.

 

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Komunës së Vitisë dhe organizatës “CNVP”

Sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim Xhevat Lushin – …