Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka dënuar ashpër deklaratat e fundit të ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, duke vlerësuar se rikthimi në diskurs i koncepteve që lidhen me spastrimin etnik të shqiptarëve bie ndesh me vlerat evropiane dhe rrezikon stabilitetin në rajon. Në reagimin thuhet se deklarata të tilla pasojnë një sërë qëndrimesh që relativizojnë politikat e së kaluarës dhe ngjallin shqetësime se Serbia nuk është distancuar plotësisht nga ideologjia që, sipas tij, solli luftëra dhe krime në ish-Jugosllavi. Këshilli rikujton gjithashtu diskriminimin ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke përmendur pasivizimin masiv të adresave, të cilin e cilëson si “gjenocid modern”. Në reagim ritheksohet se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, ndërsa i bëhet thirrje Shqipërisë të ndërmarrë një demarsh diplomatik ndaj Ambasadës së Serbisë në Tiranë dhe, në koordinim me institucionet e Kosovës, ta ngrejë këtë çështje në Bashkimin Evropian, NATO dhe te partnerët strategjikë. “Ballkani ka nevojë për lidership të përgjegjshëm, respekt për të drejtën ndërkombëtare dhe fqinjësi të mirë, jo për rikthimin e gjuhës së urrejtjes”, thuhet në reagimin e Këshillit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
