Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane ka mirëpritur deklaratat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rifillimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, ndonëse procesi ende nuk ka nisur zyrtarisht. Në një letër drejtuar institucioneve dhe opinionit publik, AARC vlerëson se marrëdhëniet Kosovë–SHBA kanë kaluar nëpër sfida të konsiderueshme gjatë periudhës së fundit, përfshirë pezullimin e projekteve të rëndësishme si Millennium Challenge Corporation, dhe ndërprerjen e Dialogut Strategjik, për shkak të veprimeve që Uashingtoni i ka konsideruar si të njëanshme. Sipas AARC-së, rifillimi i dialogut formal do të ishte një sinjal i qartë i gatishmërisë së të dyja palëve për të ecur përpara në mënyrë konstruktive dhe me koordinim më të madh strategjik. Organizata ka vlerësuar po ashtu zgjedhjet e fundit në Kosovë, duke theksuar se ato riafirmojnë përkushtimin e vendit ndaj demokracisë, por njëkohësisht pasqyrojnë edhe rritjen e pakënaqësisë publike ndaj presionit ndërkombëtar, i cili sipas AARC-së, në disa raste ka qenë i padrejtë. Kjo ndjenjë, thuhet në deklaratë, duhet të merret seriozisht nga Shtetet e Bashkuara në kuadër të angazhimit të tyre strategjik ndaj Kosovës. Në përfundim, AARC shprehet e gatshme të mbështesë këtë kapitull të ri të marrëdhënieve Kosovë–SHBA dhe inkurajon Qeverinë e Kosovës që ta shfrytëzojë këtë moment për të rivendosur dhe forcuar plotësisht partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara, mbi bazën e respektit të ndërsjellë, vlerave demokratike dhe interesave të përbashkëta strategjike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
