Brickos

KFOR-i amerikan interesohet nga afër për gjendjen në Komunën e Vitisë

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti me bashkëpunëtorë, ka pritur ne takim përfaqësuesit e Ekipit ndërlidhës (LMT) të KFOR-it amerikan. Kryetari Haliti i ka njoftuar eprorët amerikanë me punën dhe aktivitetet që komuna po i ndërmerr në bashkëpunim edhe me mekanizmat tjerë relevantë për t`u përballuar sa më lehtë me pandeminë. “Jemi organizuar në nivel komunal dhe po përpiqemi ta menaxhojmë situatën me kapacitetet vetanake. Niveli qendror ka bërë shumë pak. Kemi nevoja të vazhdueshme për pajisje mbrojtëse, mjekësore dhe për dezinfektim. Këto nevoja po mundohemi t`i mbulojmë me të hyrat vetanake. Na është dashur ta aktivizojmë një kompani private për prodhimin e maskave dhe rrobave mbrojtëse për personelin shëndetësor. Në koordinim me këshillat e fshatrave, me Kryqin e Kuq dhe Shoqatën ,,Nëna Terezë” nga donatorët kemi siguruar furnizim me ushqime dhe mjete higjienike për rreth 800 familje. Ka ndihmuar edhe Shoqata “Stublla”, nga diaspora. Deri tani kemi mbuluar rastet më ekstreme por duhet të mendojmë për fazat e ardhshme. Ndërkohë kemi funksionalizuar punktet shëndetësore në Stubëll dhe Letnicë, por kemi bërë edhe dezinfektimin e hapësirave dhe objekteve publike si dhe klorizimin e rrugëve”, ka thënë ai. Kryetari Haliti tha se aktualisht gjendja është nën kontroll. Por, sipas tij, kufizimi i qarkullimit të automjeteve dhe qytetarëve ka shkaktuar kundërefekt, sepse qytetarët pas orës 16:00 po grumbullohen dhe po bëjnë tollovi nëpër markete dhe barnatore për t`u furnizuar me artikuj ushqimorë, higjienikë dhe me barna. Nga ana e tyre përfaqësuesit nga Ekipi ndërlidhës (LMT) I KFOR-it amerikan, thanë se kanë ardhur të shohin se si po menaxhohet situata me Corona Virusin. “E kemi parasysh që keni vështirësi për pajisje dhe furnizim. Po e shohim që po bëni një punë të shkëlqyeshme. As në SHBA nuk po bëhet diçka më shumë se sa që po bëni ju këtu. Ardhjet dhe takimet tona do të vazhdojnë, pasi krejt bota po ballafaqohet me këtë situatë ”, kanë thënë ata. Në interesimin e tyre se cilat mund të jenë problemet dhe vështirësitë që mund të paraqiten në ditët e ardhshme, kryetari Haliti shprehu brengën e tij se Vitia si komunë e izoluar qe dy javë, mund të përballet me furnizim me ushqime dhe medikamente, kryerja e shërbimeve administrative dhe publike, trajtimi I të sëmurëve kronikë etj. Kryetari Haliti tha se Komiteti Emergjent i Komunës së Vitisë është aktiv dhe në koordinim ditor me akterët tjerë relevantë për ta mbajtur situatën nën kontroll. Ai ka lutur qytetarët që të jenë të disiplinuar dhe të respektojnë masat duke u bërë pjesë e luftës globale të Virusit Korona.

Kontrolloni gjithashtu

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal të Arsmit 2024 – 2027

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor …