Kirurgu torakal në Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Fitim Selimi, ka reaguar ashpër ndaj vendosjes së tarifës për përcjellësit e pacientëve në klinikat e QKUK-së, duke e cilësuar këtë masë të pamenduar mirë dhe të padrejtë. Sipas tij, në shumicën e rasteve përcjellësit nuk qëndrojnë në klinika nga dëshira, por nga nevoja reale për të ndihmuar pacientët në përkujdesje bazike, higjienë dhe koordinim me personelin, shpesh edhe për shkak të mungesës së materialeve dhe stafit të mjaftueshëm shëndetësor. Selimi thekson se prania e tyre është pasojë e mangësive institucionale, si mungesa e infermierëve dhe kushteve adekuate të përkujdesjes, duke shtuar se institucionet duhet t’i mbështesin përcjellësit dhe jo t’i tarifojnë ata. Ai paralajmëron se vendosja e kësaj takse penalizon veçanërisht prindërit e fëmijëve të hospitalizuar dhe pacientët onkologjikë, ndërsa pagesa mund të rrisë edhe kaosin në hapësirat klinike, në vend që të zgjidhë problemet ekzistuese në sistemin shëndetësor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
