KK i Malishevës mbajti mbledhje solemne me rastin e shënimit të “Epopeja e UÇK-së”

Me rastin e shënimit të ditëve të lavdishme të “Epopesë së UÇK-së”, Kuvendi i Komunës së Malishevës, sipas agjendës shtetërore dhe sipas traditës, ka mbajtur një mbledhje solemne. Në këtë mbledhje, për luftën e lavdishme të UÇK-së, heroizmin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të familjes Jashari, folën i pari i Malishevës, Ragip Begaj, kryesuesi i KK të Malishevës, Rrahim Morina dhe kryetari i OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu. Gjatë këtyre fjalimeve, u fol gjerë e gjatë për luftën, sakrificën dhe heroizmin e komandantit Adem Jashari dhe të familjes së madhe Jashari, për 5, 6 dhe 7 marsin, për lavdinë dhe “Epopenë e UÇK-së”. Në fjalën e tij, kryetari Begaj, foli për rëndësinë e formimit të UÇK-së, për jetën dhe veprën e Komandantit Legjendar Adem Jashari, për sakrificën e tij dhe të familjes Jashari dhe të të gjithë dëshmorëve të kombit.

Në vazhdim, fjalimi i Kryetarit të Komunës së Malishevës, në mbledhjen solemne të KK të Malishevës, me rastin e shënimit të “Epopesë së UÇK-së”.

Me këtë seancë solemne të Kuvendit të Komunës, po e fillojmë shënimin e “Epopesë së UÇK-së”, prandaj ju falënderoj të gjithë juve që i jeni përgjigjur ftesës sonë. Sot bëhen njëzet vite nga rënie heroike e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, si dhe të familjes së madhe Jashari. Këto ditë janë ngjarjet më të rëndësishme për ne dhe kombin në përgjithësi. Të vdesësh duke luftuar për atdhe, nuk është vdekje, por është krenari dhe sakrifica është lindje e lirisë së atdheut. Një fjalë e urtë thotë “Gjaku është fara e lirisë”. Kosova shumë shekuj e dekada ishte nën okupimin e të huajve. Ishin bërë shumë përpjekje politike dhe organizime tjera në grupe të ndryshme, për tu çliruar. Liria ishte vetëm një ëndërr e parealizuar. Për ta realizuar këtë ëndërr, duhej një organizim më i fuqishëm. Duhej një kryengritje e armatosur dhe një politikë e mençur. Kjo bëri që të lind Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe kjo ishte liria e kësaj toke. Këtë ushtri çlirimtare e udhëhoqi komandanti ynë, Adem Jashari. Duke e parë seriozitetin e këtij organizimi ushtarak, dhe duke e ditur jehonën dhe vlerën që ka, okupatori serb, u mundua që me çdo kusht dhe me çfarëdo çmimi, ta ndaloj aktivitetin e UÇK-së. U ndërmorën shumë fushata dhe aksione ushtarake dhe policore, për ta shuar kryengritjen e drejtuar nga Adem Jashari. U ndërmorën shumë masa tjera politike, shantazhe dhe veprime tjera, për ta prezantuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si organizatë terroriste, e herë si një pjellë e huaja, që për qëllim kishte vetëm destabilizimin. Por të gjitha këto nuk dhanë asnjë rezultat, sepse populli e dinte se kjo ishte e vetmja forcë dhe e vetmja mënyrë, për ta fituar lirinë. Të nderuar të pranishëm, Pasi këto përpjekje nuk dhanë rezultat, shteti okupator serb, ndërmori fushata ushtarake për ta kapur Adem Jasharin dhe për ta shuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kështu, më 30 dhjetor të vitit 1991, e organizuan tentim i parë të madh, për ta eliminuar komandantin Adem Jashari, por nuk arritën ti thyenin Jasharajt në Prekaz. Më pas, më 26 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Re, u munduan përsëri ta kapin Adem Jasharin dhe përsëri dështuan. Pas disa muajve, përkatësisht më 22 janar të vitin 1998, për herë të tretë u munduan ta kapin komandantin, por përsëri dështuan. Pas këtyre tri përpjekjeve të dështuara, shteti serb, organizoi sulmin e madh për kapjen e Adem Jasharit. Kështu me 5 mars të vitit 1998, filloi aksioni ushtarak dhe policor, duke sulmuar familjen Jashari në Prekaz, me të gjitha mjetet dhe forcën që kishte. Një shtet i tërë, që konsiderohej si forca më e madhe në Ballkan, filloj sulmin ndaj një familjeve të vetme. Kjo nuk ishte thjeshtë një aksion, por ishte një ofensivë e paparë dhe e padëgjuar deri atëherë. Një ushtri e tërë, filloi luftën me një familje e cila zgjati plot tri ditë. Pra, me 5, me 6 dhe me 7 mars të vitit 1998. Familja e madhe Jashari, luftoi tri ditë pandërprerë, duke mbetur në historinë e njerëzimit, si ngjarja më unike në botë, pasi u flijuan një familje e tërë duke luftuar kundër një ushtrie. Komandanti Adem Jashari dhe e tërë familja Jashari, i madh e i vogël, luftuan derisa u flijuan të gjithë që ishin brenda mureve të shtëpisë. Kjo ishte Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një politikan slloven, në Prekaz, tha: “Të gjithë ata popuj që janë të pushtuar, duhet të vijnë këtu dhe të mësojnë se si fitohet liria”. E gjithë kjo ofensivë e okupatorit serb, që menduan se e kanë shuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pasi i vranë komandantin e saj, dhe pasi menduan që përmes vrasjes së një familje të tërë, do ti frikësonin shqiptarët, ranë të gjitha në ujë, pasi ndodhi e kundërta. Rënia e komandantit legjendar, u bë kushtrim për luftë. Rënia e familjes Jashari, pati jehonë të madhe edhe në mbarë botën demokratike dhe liridashëse. Në vend që të vdes Adem Jashari. ai u bë i gjallë. Rënia e tij, u bë thirrje për luftë dhe kësaj lufte ju bashkuan të gjithë shqiptarët. Lufta filloi të zgjerohej në tërë vendin. Kësaj thirrjeje, më së miri ju përgjigj Komuna e Malishevës. Këtu, fillimisht u organizuan dy njësi të mëdha të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat më pas u organizuan në brigada. Mijëra djem e vajza, pleq e të ri, ju bashkuan këtij kushtrimi të luftës për liri, ku pothuajse çdo shtëpi ishte në shërbim të luftës çlirimtare. Malisheva, i dha 74 dëshmorëve Kosovës. Këtu u zhvilluan beteja të ashpra, të cilat lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit tonë. Të nderuar të pranishëm, Të gjithë ne, e dëshirojmë një zhvillim më të shpejtë, e dëshirojmë një Kosovë ku sundon ligji, ku luftohen gjërat negative, një Kosovë, ku nuk do të duam ti shohim pamjet e qytetarëve tanë duke pritur për një vizë para ambasadave të huaja. Kërkoj nga ju, që të bëjmë një lutje të përbashkët “O zot ndihmoje Kosovën, dërgo unitet, bashkëpunim dhe dashuri mes njerëzve dhe na ndihmo që ky vend të udhëhiqet nga njerëz të sinqertë, me pastërti morale dhe materiale, në mënyrë që qytetarëve tanë ti sigurohet një jetë e dinjitetshme”. “Jo të kesh pushtet për tu pasuruar, por për ti shërbyer këtij vendi ”, ky ishte amaneti i bijve dhe bijave tuaja, që dhanë jetën për liri. Të nderuar të pranishëm, Ne të gjithë jemi krenarë që i kemi takuar kësaj gjenerate, që na u dha mundësia të luftojmë për vendin. Lufta për atdheun është krenari. Të flijohesh për atdheun, është akti më sublim që mund të bëhet, e këtë e bënë Adem Jashari, familja Jashari dhe të gjithë dëshmorët e kombit. 5, 6 dhe 7 marsi, janë ditët më të lavdishme. Kjo është “Epopeja e lavdishme e UÇK-së”. LAVDI Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi në 25-vjetorin e rënies, ka nderuar kujtimin për luftëtarin e UÇK- së dhe dëshmorin e kombit, Sadri Fazli Krasniqi

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, bashku me familjarë, bashkëpunëtorë e miq, në 25-vjetorin …