Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Violeta Grajçevci-Uka ka thënë se kjo klinike ka kapacitete të mjaftueshme për trajtimin e sëmundjeve malinje të fëmijëve. Ajo ka bërë të ditur se në shumicën e rasteve arrihen rezultate shumë të mira. “Numri i rasteve të reja që na lajmërohet gjatë një viti me sëmundje malinje të moshat pediatrike diku varion në mes 55 ose deri 60 raste të reja në vit. Numrin më të madh e kemi leukemitë akute, sidomos leukeminë akute limfoblastike, kemi limfomat, tumorët e trurit, tumorët solide, tumorët e eshtrave etj. Kapacitetet që i posedojmë janë të mjaftueshme për trajtimin e këtyre rasteve. Reparti i hematologjisë posedon 19 shtretër. Përveç që i trajtojmë rastet malinje, kemi edhe rastet hematologjike, pra sëmundjet e gjakut, siç janë anemitë, trombocitopatitë, hemofilinë, por njëkohësisht krahas këtyre sëmundjeve i trajtojmë edhe rastet onkologjike dhe kapacitetet janë të mjaftueshme, edhe infrastrukturore, por edhe në material shpenzues dhe në shumicën e rasteve kemi rezultate shumë të mira” ka thënë mjekja, Violeta Grajçevci-Uka.
