Klinika Emergjente e QKUK-së trajtoi 100 mijë pacientë në 2025

Viti 2025 ka qenë jashtëzakonisht i ngarkuar për Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku janë trajtuar rreth 100 mijë pacientë, duke shënuar një rritje të dukshme krahasuar me vitin 2024. Drejtori i Klinikës, Naser Syla, në një intervistë për KosovaPress, ka theksuar se ngarkesa e madhe vjen jo vetëm nga numri i lartë i pacientëve, por edhe nga natyra e ndryshme e sëmundjeve, duke përfshirë rastet emergjente të rënda, aksidente, lëndime nga mjete të mprehta dhe sëmundje kardiovaskulare e cerebrovaskulare. Syla ka bërë të ditur se Klinika Emergjente ka aktualisht 23 specialistë të mjekësisë emergjente dhe 68 infermierë, duke ngrehur shqetësimin për mungesën e mjekëve të rinj në këtë specializim dhe nevojën urgjente për kapacitete shtesë. Ai ka vlerësuar se një e treta e pacientëve që vijnë në njësi brenda 24 orëve nuk kanë nevojë për trajtim terciar, por dërgohen për referim nga spitalet regjionale dhe qendrat e mjekësisë familjare. “Një numër i madh i pacientëve mund të trajtohen në nivelet primar ose sekondar të shëndetësisë, por Emergjenca vazhdon të jetë referencë për rastet emergjente komplekse”, tha Syla. Drejtori i Klinikës ka nënvizuar gjithashtu domosdoshmërinë e ndërtimit të një objekti të ri për të përmirësuar kapacitetet dhe për të ofruar trajtim adekuat për pacientët emergjentë. Ai ka vlerësuar se furnizimi me barna dhe aparatura është përmirësuar pas renovimit të vitit të kaluar, duke përfshirë skaner, laparoskop, aparat për autotransfuzion dhe instrumente të ndryshme kirurgjikale.

Kontrolloni gjithashtu

KQZ numëron rreth 90% të votave: Renditja e kandidatëve më të votuar mbetet e pandryshuar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka përfunduar numërimin e rreth 90 për qind të votave të …