Klubi i Prodhuesve të Kosovës sjell pako për 600 familje në Viti

Klubi i Prodhuesve të Kosovës, Rrjeti i biznesit shqiptar në Bavari “Besa Foundation” si dhe organizata Germin kanë sjellë në Viti artikuj ushqimorë dhe higjienikë si dhe miell për 600 familje. Kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti ka falënderuar donatorët për këtë mbështetje në këtë kohë jo të lehtë për të gjithë. “Në emër të qytetarëve të Vitisë u jam mirënjohës të gjithëve që po e mbështetin Klubin e Prodhuesve të Kosovës, në këtë gjendje, sidomos Vitinë në veçanti, për shkak se numri I atyre që kanë nevojë është rritur ndjeshëm. Kjo për shkak se ekonomia është goditur, ka rënë sfera e ndërtimtarisë, sfera e bujqësisë po dihet, ajo e gastronomisë, punëtorët sezonalë të cilët tani nuk kanë të ardhura mujore. Kjo ndihmë është shumë e mirë se ardhur”, ka thënë kryetari Haliti. Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, ka thënë se ky kontingjent është në kuadër të fushatës humanitare “Besa për Kosovën:Diaspora në ndihmë të atdheut gjatë COVID-19”, për familjet në nevojë, dhe si mbështetje prodhuesve vendorë. “Kjo fushatë do t`ju vijë në ndihmë komunave të ndryshme të Kosovës, të cilat janë në gjendje të rëndë gjatë kësaj kohe. Sot kemi ardhur në Viti, sepse kjo komunë ka qenë e para që është futur në karantinë dhe është goditur më së shumti. Do të dërgojmë edhe në Komunën e Kamenicës, por do të shqyrtojmë mundësinë edhe për komunat tjera, aty ku ka nevojë. Këto të mira material janë blerë me mjetet financiare të diasporës, kurse të gjitha pakot përmbajnë prodhime 100% të Kosovës. Ato janë ofruar nga prodhuesit vendor me çmime të prodhimit, por edhe ata kanë kontribuar me mjete vetanake”, ka thënë ai. Panxha tha se ky do të jetë vetëm fillimi, sepse do të jenë në kontakt me kryetarin Haliti për nevojat tjera që mund të shfaqen në komunën e Vitisë për kontingjentin e dytë. Ai u ka bërë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve në diasporë që të mbështetin këtë fushatë. Sipas tij kjo fushatë i ka dy të mira sepse edhe mbështeten prodhuesit vendor por edhe ndihmohen familjet në asistencë sociale.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë PMN Sh.P.K

Komuna e Deçanit ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë PMN Sh.PK. “Nënshkruam kontratën me kompaninë …