Viti 2026 ka nisur me lajme jo të mira për qytetarët e Kosovës. Përkundër gjendjes së rënduar ekonomike, faturat e ujit nga janari do të shënojnë rritje deri në 40 për qind, ndërsa paralajmërohet edhe shtrenjtimi i energjisë elektrike.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj këtyre vendimeve, duke theksuar se qytetarët tashmë po përballen me fatura të papërballueshme.
Sipas KMDLNj-së, ZRrE-ja ka paralajmëruar shqyrtimin e çmimit të energjisë në një kohë kur “këto fatura janë bërë të papërballueshme për shumicën e familjeve kosovare dhe po ngulfatin bizneset, një numër jo i vogël i të cilave është buzë falimentimit”.
Në reagimin e saj, KMDLNj akuzon institucionet për mungesë vullneti për mbrojtjen e qytetarëve. “Shkaku i moskujdesit dhe mungesës së vullnetit të qeverisë për të mbrojtur qytetarët, ZRrE në vazhdimësi po penalizon konsumatorët në baza etnike dhe politike, duke mbrojtur oligarkët e përfshirë në Mafien Energjetike”, thuhet në njoftim.
KMDLNj ka bërë thirrje për reagim qytetar, duke ftuar protesta masive për të kundërshtuar këto shtrenjtime duke protestuar masivisht dhe duke bllokuar zyrat e ZRrE-së, KESCO-s dhe operatorëve privatë”, thuhet në njoftim.
Në fund, KMDLNj paralajmëron se mosreagimi do ta përkeqësojë edhe më tej gjendjen sociale. “Nëse qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë nuk dalin në mbrojtje të interesave të tyre, spiralja e shtrenjtimit vetëm sa do të zgjerohet, ndërsa kjo gjendje në mënyrë flagrante shkel të drejtat e njeriut duke e rrënuar cilësinë e jetës dhe duke çuar në falimentim bizneset”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
