Koka e gjarprit

Gjarprin kudo ta shohësh, godite dhe shtypja kokën! (Talmudi)


Gjarpri që nuk më helmon mua, le të rrojë 100 vjet, (Kanuni shqiptar)


 


 Gjarpri është personazh i Biblës dhe ndër personazhet e parë të historisë së njerëzimit dhe qytetërimit. Ishte djalli në figurë të gjarprit, i cili e mashtroi Evën, e më pas kjo Adamin, që solli deri te përjashtimi nga Edeni të dy njerëzve të parë të Tokës, dy stërgjyshërve më të hershëm të njerëzimit.


Atëherë Hyji i tha gjarprit, pasi mashtrove dy krijesat e mia, qofsh mallkuar ndër të gjithë zvarranikët, bagëtitë dhe kafshët e egra. Do të ecësh përmbi barkun tënd dhe do zvarritesh nëpër pluhur për të gjitha ditët e jetës sate”. (Besëlidhja e Vjetër)


Gjarpri, sipas Biblës e Kuranit, është krijesë, të cilën Hyji e ka mallkuar ashtu si tërë sojin e gjininë e tij zvarranike.  Pavarësisht se besojmë apo jo në rrëfimet e Biblës, djalli në formë gjarpri ka mbetur  sinonim i mashtrimit, djallëzisë, smirës, xhelozisë dhe cytjes së njeriut për të gabuar.


Përveç në traditën fetare moniste, gjarpri është i pranishëm kudo të traditën e popujve dhe përgjithësisht është zvarranik që befason, sulmon tinëz, helmon me një helm shumë të fortë, meqë në dhëmbin e tij gjendet një dozë e helmit vdekjeprurës.


 


Në historinë e qytetërimit njerëzor, qasja ndaj kësaj qenie zvarranike është e ndryshme. E tillë ishte edhe te popujt e lashtë, ndërkohë që edhe në botën bashkëkohore, sidomos  në krijimtari, vazhdon të trajtohet si sinonim i së keqes dhe frikës që kanë  njerëzit, por edhe disa nga kafshët përgjithësisht  nga helmi i këtij zvarraniku.  Duke qenë i tillë, madje i lidhur edhe për traditën fetare e dokesore, historia e gjarprit është pa dyshim historia e së keqes, historia e mallkimit hyjnor.


 


Qasja ndaj këtij zvarraniku ndryshon ndër  popujt e ndryshëm. Më këtë rast do të ballafaqojmë dy këndvështrime  krejtësisht të kundërta, atë hebraike dhe shqiptare.


 


Edhe pse bota shpirtërore shqiptare ka mjaft elemente të përbashkëta me traditën hebraike, si kulti ndaj bukës, respekti për të moshuarit, shenjtëria e ditës së Shtunë, Ligji i Leviratit e të tjera, qasja ndaj gjarprit është diametralisht e kundërt. Përderisa në Talmudin hebraik  gjejmë porosinë drejtuar njerëzve, që gjarprin duhet mbytur kudo ku shfaqet, meqë është qenie e rrezikshme dhe e mallkuar nga Hyji, tradita shqiptare  ka një qasje krejtësisht tjetër. Fjala e “urtë”, “Gjarpri që nuk më helmon mua rroftë 100 vjet”, nxjerrë në sipërfaqe një të ligë mbase shekullore të të parëve tanë, që cilët i ruheshin helmimit nga gjarpri, për veten e vetë, por i dëshironin jetë të gjatë për të helmuar të tjerët. (!)


 


Ku e ka gjenezën kjo shpirtvogëlsi  bajraktare  e njerëzve tanë?


 


 Në radhë të parë kemi të bëjmë vetëm me një fjalë të traditës popullore, e cila dikur është dëgjuar shpesh në kuvende burrash, ndërsa tani është relativizuar  si shprehje, por doemos se është madje shumë e pranishme në qëndrime e veprime të njerëzve të caktuar.  


Esenca e shprehjes, “Gjarpri që nuk më helmon mua rroftë 100 vjet” shtrihet në një pjesë të mentalitetit të njerëzve tanë, të atyre njerëzve që duan ta kenë mirë me të gjithë, dhe ruajnë vetëm vetveten, por jo edhe kolektivin kombëtar apo njerëzor. Mjerisht, duket se  kjo ka ndodhur në teorinë dhe praktikën shekullore shqiptare dhe kështu ka arritur deri në ditët tona. Jo pak herë jemi kënaqur kur kemi parë, apo kemi dëgjuar  sesi gjarpri ka helmuar fqinjin dhe jemi ngushëlluar me faktin se sa mirë që nuk  ndodhemi në lëkurën e tij. Shpeshherë kemi vepruar sipas porosisë së kësaj fjale, sidomos në raport me pushtues të ndryshëm. Shumë herë jemi shërbyer edhe me shprehjen tjetër të ngjashme për nga përmbajtja, “Pushteti edhe nëse bëhet gomar, mos i hip”, shprehje kjo që zbulon mentalitetin skllav e pacifist, mentalitet shumë i shprehur ndër motet e shkuara e deri në ditët tona.


 


Por nuk është kjo esenca, as kemi të bëjmë fare me gjarprin si krijesë zvarranike, por në gjarprin brenda njeriut, i cili helmon ndryshe, me fjalë, me përgatitje kurthesh, intriga, shpifje, gënjeshtra, urrejtje, smirë e xhelozi. Kemi të bëjmë me njeriun gjarpër, jo me këmbët e tij por me kokën e tij, sepse këmbët tekefundit e qojnë organizmin atje ku thotë koka, e cila sipas hebraikëve të lashtë duhet shtypur kudo ku lajmërohet, ndërsa sipas kanunit tonë të pashkruar,  (por të mbjellë thellë në qeniet tona), duhet anashkaluar.  Përfundimi nga kjo do të thotë” nëse gjarpri  nuk më helmon mua, unë nuk e ngas,  le të helmojë të tjerët, cilët do qofshin ata. Këtu kemi defektin tonë historik, sepse në asnjë periudhë të luftës sonë për liri nuk ua kemi shtypur kokat gjarpërinjve tanë, atyre gjarpërinjve që me të gjitha këmbët e me të gjitha kokat iu kanë shërbyer të huajve, nga do të kenë ardhur. Ata  i kemi kursyer për fatkeqësinë tonë, madje edhe i kemi ruajtur në gjirin tonë.  Ne, pas luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare nuk vepruan sikur dikur hebraikët, të cilët të edukuar me frymën e hakmarrjes kundër “gjarprit suprem”, themeluan organizatën hakmarrëse të Mosadit dhe arritën të shtypin kokat e gjarpërinjve që kishin vrarë e masakruar hebrenjtë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.


 


Ne, nuk u kujtuam për themelimin e një  “Mosadi”  dhe vepruam gjithnjë sipas motos tonë shekullore “gjarpri që nuk më ha mua rroftë 100 vjet”. Për me tepër kokat e gjarpërinjve që kishin bashkëpunuar me regjimin kriminal  i trajtuam si gjarpërinj të shtëpive, për të cilët mendonim  se nuk do të na helmonin, se nuk ishin të dëmshëm, madje se mund të ishin edhe të dobishëm, sepse kishin  përvojë në sjellje me të huajt etj, se tekefundit kishim  mundur Gjarprin e Madh, me ndihmën edhe të NATO-s nga ajri,  edhe pse kjo nuk do të thoshte se vezët e gjarpërinjve të Beogradit nuk kishin mbetur brenda në Kosovë. Kishte mbetur një pjesë e rafinuar e kreut të UDB-së, kishin mbetur bijtë e ambasadorëve të Rankoviqit e të Titos, kishin mbetur vezët që kishte lënë edhe Milosheviqi me kriminelët e tij, kishte mbetur mbetjet, plehrat…


 


Shumë herë gjatë historisë sonë e kemi shkelur gjarprin në bisht, nuk ia kemi shtypur  kokën dhe kjo na ka kushtuar me kokë. Edhe nëse, unë ti e ai, kemi shpëtuar qoftë edhe rastësisht nga helmimi, gjarpri të cilit nuk kemi dashur t ia shtypim kokën, edhe pse kemi pasur mundësi,  ka vazhduar të helmojë të tjerët, ata, tanët,  madje jo pak herë edhe ata që e kanë anashkaluar.


 


Gjarpri, helmon dhe gëlltit edhe llojin e vet, ashtu sikur derri. Për dallim nga derri, që është krijesë e shëmtuar, e papastër dhe krejtësisht e çoroditur, gjarpri të josh me një bukuri të frikshme e të trishtueshme dhe me lëvizjet e harmonishme, të cilat ngjallin frikë, por edhe simpati të çuditshme.


Dhe  tani, në mungesë të institucionit të vigjilencës kombëtare,  “Koka e gjarprit”  analizon arketipin e vet, “Këmbët e gjarprit”. Tashmë kemi të bëjmë sërish me fenomenin tonë tipik, “gjarpri që nuk më helmon mua rroftë 100 vjet”. Dhe ky lloj gjarpri ende rron, sepse ka gjetur vegjetacion të jashtëzakonshëm, sepse është klonuar me klonin e markës: dicksalson.


Mes mesazhit hebraik dhe atij shqiptar për gjarprin, duhet të kishim marrë shembullin e “Talmudit”, por ja që jemi ata që jemi, andaj jemi mjaftuar e po mjaftohemi me shembullin tonë, shembullin tipik, me shembullin e shqiptarit lindor,  “Gjarpri, që nuk më helmon mua, rroftë 100 vjet”.

Kontrolloni gjithashtu

Dr. sc. Bekim Vishaj: Në shenjë përkujtimi, 39 vite me parë u nda nga jeta Doajeni i folklorit shqiptar, Dervish Shaqa

Dervish Shaqa  u lind në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit, në vitin 1912. U …