Faik Islami; Lufta kundër UÇK-së nuk paska të mbaruar

Rastësisht këto ditë lexova në një portal një material prej gati njëzët faqesh, me titull: “Lufta e UÇK-së midis nihilizmit dhe karrjerizmit disfatist të Dilaver Goxhës, alias Jovan Bregu”, shkruar  në formë replike analitike kundër shkrimeve të Dilaverit, apo më mirë ta quajmë një trillim për të përlyer emërin e këtij vullnetari të nderuar të UÇK-së, Dilaver Goxhait nga Labëria. Dhe, kur  sytë më panë se shkrimi fyente  fund e krye vetëm figurën e një pjesmarrësi, të një oficeri, të ushtrisë të shkëlqyer shqiptare, kur ky vënd kishte ushtri të vërtetë, pra i  anës së këtejme të kufirit  ndarës, të një biri të Kurveleshit të Labërisë, të një kuadri të cilin e njoh me rrënjë dhe me degë, në punë e në jetë, Dilaveri Goxhai, i befasuar u përqëndrova në leximin e vëmëndshëm të  materialit.  

Në fund të atij trillimi reshtohen emërat e 14 kuadrove të ndryshme që kanë marrë pjesë në Operacionin “Shigjeta”, ku vetëm njeri prej tyre është nga kjo ana jonë e Shqipërisë, e quhet Spiro Butka. Ajo që të befason së tepërmi është se autori, apo autorët, (nuk jemi të sigurtë se  përveç Spiro Butkës të jenë edhe të tjerët në dijeni të atij shkrimi), shkruajnë se hartimi i planit luftarak të atij operacioni na paska filluar në 31 Mars 1999! Të jetë e vërtetë!, kur dihet që thirrja e Qeverisë së Përkohëshme e Kosovës dhe e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK për mobilizim të përgjithshëm është lëshuar në 2 Prill 1999 dhe vullnetarët e parë që kanë ardhur në Durrës kanë zbritur në 8 Prill 1999, ndërsa Agim Çeku ka shkuar në Kosovë në gjysmën e dytë të Prillit! Si është e mundur që plani operaciont “Shigjeta”, me forcat që do të sulmonin nga territori i Shqipërisë, të jetë hartuar pa u formuar ende QPK dhe dhe pa e ditur ende SHP i UÇK se do të kish forca të mobilizuara në Shqipëri? Si mundej që Azem Syla e Spiro Butka ta kenë pasur më të qartë se Presidenti Klinton që Millosheviçi nuk do të dorëzohej pas një javë bombardimesh, sikundër shprehet vetë Presidenti dhe zonja Ollbrajt? Kështu që zotëria, apo zotërinjtë e këtij shkrimi, ose nuk kanë pirë ilaçet kur e kanë shkruar këtë trillim fantastik me fyerje nga më monstruozet, ose janë intrigantë profesionistë***.

E rilexova sepse nuk po u besoja syve. Më  befasoi “stili krejt i ri”  i të bërit “kritikë”, që i bëhej një ish pjsemarrësi në një luftën e shenjtë, që pa frikë mund të themi se ishte një fat i madh si për UÇK-në edhe për NATON që bashkveprimin midis UÇK-së dhe aviacionit të NATO-s ta kryente një  ish shef katedre (departamenti) dhe pedagog i Akademisë Ushtarake të Shtabit të përgjithshëm të Shqipërisë, i cili për gati dhjetë vjetë rresht kish dhënë lëndën e taktikës së bashkveprimit të aviacionit me forcat tokësore. Edhe sikur me qiri ta kishin kërkuar, nuk do të gjenin dotë një specialist të tillë. Dhe këta zotërinj na thonë se Dilaveri ishte thjeshtë një puntor ngarkim-shkarkimi! O perëndi, si i duron vallë të tillë njerëz?! Të habit edhe fakti tjetër se si është e mundur që këta katërmbëdhjetë pjestarë të Operacionit “Shigjeta”, që sulmonin nga territori shqiptar, duke qenë në çdo çast nën shënjestrën e armëve të kundërshtarëve të tyre serbë, që kishin zënë edhe lartësitë e malit të Pashtrikut, si mund të kishin kohë  të numuronin edhe qimet e dala anash kapeles së  Dilaverit që ndodhej në Kosovë dhe që këta zotërinj e mësuan kur hynë brenda në Kosovë, madje pasi kishin hyrë edhe forcat e NATO-s?!

Diçka që të befason edhe më shumë për tendencën e gënjeshtrës së madhe që ka ky autor, ose të gjithë ata, është se kërkojnë të na mbushin mendien se ditët kur luftonte Adem Jashari dhe gjithë fisi i tij në rrethim, 3-5 Mars 1998, në Kosovë paskish brigada luftarake të UÇK-së! Lind pyetja: Ku ishin këto brigada gjatë kohës që Serbia grumbullonte forcat për të rrethuar Jasharajt? Gjithashtu, ku ishin këto brigada kur Jasharajt luftuan tre ditë e tre netë në rrethim? Nëse do ta pranonim si të vërtetë një fakt të tillë, atëherë kemi të drejtën të dyshojmë se UÇK-ja ka qendruar qëllimisht pasive që të vritej Komandanti Legjendar, apo jo? Gjithashtu na lind e drejta të themi se këta zotërinj e shpifin një gjë të tillë për të diskredituar UÇK-në, si vrastare e Adem Jasharit, apo jo? Le të na japin përgjigje Spiro Butka me Bislim Zyrapin (pasi zotëria në fjalë, mesa kemi lexuar në shkrimet dhe librat e Dilaverit ka qenë Shefi Shtabit të Pëgjithshëm të UÇK-së deri në 28 Prill 1999), si autorë të këtij shkrimi fund e krye shpifje ndaj UÇK-së, por të maskuar se gjoja e kanë me Dilaverin. Ne nuk e besojmë që zoti Bislim të jetë bashkautor me Spiro Butkën në këtë shkrim, por na lind dyshimi se pse ka lejuar Bislim Zyrapi që Spiro Butka të përdori emërin e nderuar të tij, duke e vendosur edhe në krye të asaj liste, kur Dilaveri për Bislimin ka shkruar disa herë me superlativa?

Për t’ia ulur sa më shumë vlerat Dilaverit, autori, apo autorët, shkruajnë se Dilaveri paska qenë vetëm “oficer për shtypin”! Por me sa dimë ne, nuk kemi parë gjatë asaj lufte dyvjeçare që të botohej ndonjë gazetë apo të paktën një buletin që të ishte organ i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së. Nga u shpik edhe ky funksion, të cilin nuk e konstatojmë në librin “Kthesa e madhe” të Jakup Krasniqit ku na jep strukturën e atij shtabi? Por, mesa duket, kompleksi i inferioritetit dhe zilia që ata kanë ndaj aftësive dhe inteligjencës së Dilaverit i çon ata në këtë nivel të ulët komunikimi, ndaj dhe nuk ua ka pranuar asnjë organ shtypi që t’ua botojë.    

Po të ishte Dilaveri punëtor ngarkim-shkarkimi, në kohën kur vendosi të shkonte në luftë, ai nuk do të kishte kohë të ndiqte luftimet e përditëshme të UÇK-së në Kosovë dhe të shkruante në ndihmë të saj. Pse nuk kanë shkruar atëherë edhe këta zotërinj, në vitin 1998, kur shkruante Dilaveri me emër e mbiemër, në interes të UÇK-së, ndërkohë që mund të themi se Dilaveri ishte i vetmi autor ushtarak e civil që i delte në mbrojtje UÇK-së, bashkë me Kadarenë, kur gjithë shtypi shqiptar, këtej e andej kufirit, ishte kundër UÇK-së, përjashtuar “Zërin e Kosovës” që botohej në Zvicër. Dhe të mos harrojmë që ndërkohë Dilaveri ishte edhe në punë shtetërore, mësues i gjuhës angleze në shkollën 9-vjeçare në Kodër-Kamëz, dhe mund ta hiqnin edhe nga puna atë dhe djalin që e kish oficer. Unë e kam lexuar librin  e tij “Rruga që më çoi në UÇK”, ku ka trajtuar aty  shkrimet e tij para se të shkonte në luftë. Ju, autorët e atij trillimi, mos vallë e përgojoni për ato shkrime të cilat e prezantuan Dilaverin me drejtuesit e UÇK-së e më pas të shkoi në Kosovë në luftë në fillim të vitit 1999? Ku ishit ju Spiro në atë kohë, dhe ju që u mobilizuat pas thirrjes së 2 Prillit 1999j? Deri sot Dilaveri ka botuar tre libra për luftën e atij populli, si dhe  mbi 100 artikuj analitikë e intervista sëbashku, dhe nuk ka pasur as edhe një reagim negativ ndaj atyre botimeve, por vetëm fjalë nga më lavdërueset. Ndërsa ju shkruani veçse shpifje zemërake kundër një luftëtari, që e respekton jo vetëm populli shqiptar në Kosovë, por edhe Shqipëria e më gjerë! Po të ishte Dilaveri sikundër shpifni ju zotërinj “heronj” pas beteje, Dilaveri nuk do të shpallej nga i gjithë Qarku i Gjirokastrës “Personalitet i shquar” (Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Memaliaj, Libohovë). Pse nuk të kanë nderuar edhe ty Spiro Butka  as edhe fshatarët e Perondisë së Beratit, madje as lagjia e vëllehëve të atij fshati nga ku ke edhe vendlindjen?  

Kulmi i shpifjeve arrin kur autorët e këtij shkrimi thonë se Dilaveri ka shkuar si mercenar! Duket që kompleksi i infrioritetit, autorët në fjalë u ka errësuar arsyen, ose janë profanë dhe nuk e dinë që po ishe mercenar, nuk të besohen kurrë funksione delikate, sikundër është edhe ai i oficerit të bashkëveprimit midis dy ushtrive. Por, me sa duket, autorët e këtij shkrimi trokasin në dritare që të dëgjoi dera. Gjetkë e kanë qëllimin. Ata e kanë marrë vesh se së shpejti BE-ja do të krijoi Gjykatën e Posaçme Ndërkombëtare njëetnike kundër UÇK-së, prandaj dhe e shpallin atë ushtri mercenare. Këtu flen lepuri. Gjë që tregon se nuk e kanë me Dilaverin, por me luftën çlirimtare në Kosovë. Dhe kjo nuk të habit,pasi jemi mësuar me kësi lloj “atdhetarësh” që për fat të keq populli ynë ka pasur me shumicë. Zotërinj autorë të atij shkrimi, ajo luftë  nuk u iniciua nga mercenarët dhe nuk u zhvillua prej frymës mercenare, por nga atdhetarë të përkushtuar  të popullit shqiptar në Kosovë. Na thuhet edhe se Dilaveri i “paska qarë dikujt hallin e gjëndjes  së tij familjare”! Pse nuk na e thonë emërin e këtij mirëbërësi shqiptaro-madh? Pse nuk na tregojnë dokumentat këta “hetues investigorë” që Dilaveri ka marrë çdo muaj njëmijë marka? Por, mesa duket, nisen nga parimi: shpif, shpif se diçka do të mbetet.

Nga materiali  i tyre unë nuk arrij të bindem se ç`farë do të duhej të thoshnin tjetër  “shigjetarët e shigjetës”, për Arkanin dhe paramilitaryët serbë, më shumë nga ç`kanë thënë për Dilaverin? Me gjithçka sa janë shprehur kundër Dilaverit, këta “gjyqtarë” na nxjerrin mallin e   “gjuetarit trim”,  Tatarin e Taraskonit, i cili deshi të linte Afrikën pa këmbë luani.

 

Ç’është kjo luftë kundër një vullnetari shumë të respektuar, apo nuk i gjejnë dot qoftë edhe një gabim sado të vogël për ta çuar në Gjykatën e Veçantë që do të hapet së shpejti? Nuk përjashtohet mundësia që dikush nga institucionet e Kosovës t’i nxisi autorët e këtij shkrimi, pasi, mesa dimë, Spiro Butkës i kanë lidhur edhe një pagë mujore si dhe e kanë emëruar edhe kryetar të shoqatës së veteranëve të UÇK-së në Tiranë. Mos vallë, librat dhe shkrimet analitikë për vlerat e larta të UÇK-së, të shkruara nga Dilaveri, përbëjnë “nihilizëm e karjerizëm”, apo shkrimet tuaja zotërinj që u angazhuat në luftë kur hyri NATO-ja dhe që e kish marrë vesh edhe bufi që lufta do të përfundonte në favor të shqiptarëve? Pse nuk kanë marrë mundimin këta katërmbëdhjetë trimat e “Shigjetës” të shkruajnë qoftë edhe nje shkrim si të Dilaverit për luftën e UÇK-së, por, përkundrazi, bëjnë të pamundurën që të mohojnë jo vetëm kontributin në luftë të Dilaverit, por edhe propagandimin prej tij të vlerave të asaj lufte. Nuk thuhet më kot se: Gjuhet me gurrë pema që ka kokrra. Turpi u mbetet autorëve të atij shkrimi tendencios e plotë ligësi shpirtërore. Mirë njëri prej tyre, Spiro Butka që është prej këtej, por ata trembëdhjetë të tjerët kosovarë, si nuk thanë qoftë edhe një fjalë të vetme mirënjohjeje që Dilaveri shkoi në luftë në Kosovë, bashkë me djalin e vetëm, të gatshëm të jepnin edhe jetën për familjet e tyre?! Turp e faqja e zezë!

————————–  

*** SHENIM: Kontaktuam me z. Dilaver Goxhaj, duke ia bere prezent shkrimin e 14 pjestarëve të UÇK dhe, pasi e lexoi, na nisi këtë shënim: Nuk besoj se eshte bashkautor z. Bislim Zyrapi dhe as Mustafa Gashi, (të tjerët nuk i njoh), pasi Bislimi eshte ai që e ka nënshkruar planin e Operacionit Shigjeta kur ia dhamë per miratim Syleman Selimit, në cilësinë e Komandantit të SHP, por edhe M. Gashi ka qene deshmitar okular që Plani eshte perfunduar dy dite para se Bislimi te nisej nga Mëhalla e Sylajve e fshatit Jezercë për në Shqiperi, më 26 Prill 1999,  për të udhehequr Operacionin “Shigjeta”, e që shpërtheu në 26 Maj 1999. Keshtu që, besoj se autori i vetëm i atij shkrimi eshte Spiro Buçka, te cilit nuk duhet t’i vini faj per nonsenset e tij ushtarake dhe shpifjet, pasi eshte shkëputur nga literatura ushtarake dhe artistike këtu e 40 vjet më herët, në vitet ’70, i përzënë nga ministri i asaj kohe, Mehmet Shehu, si i padenjë per të qenë oficer i asaj ushtrie. (F.I.)

 

Tiranë, 15 Gusht 2014

 

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …