KOMF

KOMF: Një vit me Ligj për Mbrojtje të Fëmijës; fëmijët kërkojnë reagim nga deputetët

Nesër, më 17 Korrik 2021, bëhet një vit nga hyrja në fuqi e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili është hartuar për herë të parë në Republikën e Kosovës. Pavarësisht kësaj, gjatë këtij viti nuk janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të garantuar zbatimin e plotë dhe efikas të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.

 KOMF, ka dorëzuar sot tek të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, disa letra me shkrime nga fëmijë në nevojë për shërbime sociale, të cilët kanë paraqitur nevojat e tyre dhe kanë kërkuar reagimin e deputetëve për zbatim të këtij ligji, me qëllim të sigurimit të mbrojtjes së tyre dhe garantimit të një jete dinjitoze për ta.

 Ky vit i gjen fëmijët në një gjendje edhe më të rëndë si pasojë e pandemisë Covid-19, e cila mbi të gjitha ka rënduar situatën e fëmijëve, e veçanërisht fëmijëve të cenueshëm. Shumë fëmijë kanë mbetur pa marrë shërbimet dhe mbrojtjen e nevojshme që ndihmojnë në zhvillimin e tyre. Pandemia Covid-19 ka ndikuar në rritjen e numrit të fëmijëve pa përkujdes prindëror, rritjen e dhunës në familje dhe rrjedhimisht rritjen e nevojës për shërbime sociale, për të cilat urgjentisht duhet siguruar financim i qëndrueshëm përmes krijimit të Grantit Specifik për Shërbime Sociale. Në gjendje shumë të rëndë vazhdojnë të jenë fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët e përfshirë në punë të rënda.

 KOMF apelon karshi gjithë institucioneve përkatëse, për reagim dhe zbatim të menjëhershëm dhe tërësor të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës. Vonesa të tilla në zbatim të legjislacionit që mbron fëmijët në Kosovë, rrezikojnë mirëqenien dhe përkeqësojnë edhe më tej gjendjen e fëmijëve e sidomos atyre të cenueshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të ndjeshëm kulturor dhe kombëtar që ilustron gjendjen e shqiptarëve autoktonë në Sanxhakun e Pazarit të Ri. Rrafshnalta e Peshterit, një trevë e rëndësishme në Sanxhak, me mbi 95 për qind të popullsisë myslimane me prejardhje shqiptare, u okupua nga Serbia dhe Mali i Zi në vitin 1912. Në më shumë se 200 vendbanime të kësaj zone, edhe sot në disa fshatra dëgjohet gjuha shqipe, e cila ka mbijetuar, pavarësisht mohimit të identitetit kombëtar dhe të drejtës për vetëdeklarim. Një rast i tillë është ky i fshatit Ugëll (Ugao), në kufi me Malin e Zi, ku banorët na kanë dërguar fotografi të të dy epitafeve të shkruara në gjuhën shqipe për Fatë Aliçkaj (1910–1966), e lindur në Jezgroviq të komunës së Tutinit dhe e vendosur në Ugëll. Epitafet janë përgatitur për të shënuar varrin e saj në varrezat e fshatit Ugëll, por për arsye ende të paqarta nuk janë vendosur kurrë. Dyshohet se për shkak të tekstit të epitafit në gjuhën shqipe, familjarët nuk kanë pasur guximin t’i vendosin ato. Kjo po ndodh pavarësisht faktit se në kohën e vdekjes së saj, gjuha shqipe flitej nga të gjithë banorët e zonës. Në emër të Kryesisë së Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, i drejtohemi Ministrisë për Evropë e Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, respektivisht Ambasadës së Republikës së Shqiptare në Beograd, që ta vizitojnë këtë fshat dhe të njihen nga afër me gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në Sanxhak. Shoqata jonë ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Boshnjak (BNV), përmes së cilës ka status participues e konsultativ në këtë institucion dhe vepron në Sanxhak. Rasti i epitafeve është vetëm një nga qindra shembuj të diskriminimit që pengon zhvillimin e jetës normale në këtë krahinë të banuar me shqiptarë autoktonë. Ismet Azizi Kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”

“Kosova për Sanxhakun”: Rasti i epitafit në gjuhën shqipe në fshatin Ugëll të Peshterit në Sanxhak

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të …