Inspektorati Policor i Kosovës, që mbikëqyr punën e Policisë së Kosovës, është institucion i degraduar plotësisht, ka konstatuar draftraporti i finalizuar i grupit punues për mbikëqyrjen e ligjshmërisë në IPK. Pak javë para se drafraporti të miratohet në Komisionin për Siguri në mesin e shumë rekomandimeve për këtë institucion, e që duhet të zbatohen nga Ministria e Punëve të Brendshme, do të jetë edhe shkarkimi i kryeshefes së IPK-së, Miradije Kelmendi. Pa u ndalur në emra, përfaqësues të këtij komisioni kanë thënë se rekomandimet që priten të votohen në Kuvend kërkojnë edhe shkarkime në IPK. Ndësa, ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, është zotuar se do të zbatojë edhe rekomandimet për shkarkime, nëse ato dalin nga Komisioni për Siguri dhe të njëjtat kalojnë në Kuvend.
