Komuna e Skenderajt mbajti dëgjime buxhetore

Në kuadër të fillimit të hartimit të Buxhetit për vitin 2017 dhe parashikimet për vitet 2018, 2019, Komuna e Skenderajt ka mbajtur dy dëgjime buxhetore në dy bashkësi lokale, atë të Runikut dhe të Likocit.

Në dëgjime buxhetore ka marrë pjesë nënkryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura, Kryesuesi i Kuvendit Ismet Salihu, Drejtori për Ekonomi dhe Financa Ismet Aliu dhe Drejtori i Urbanizmit Driton Mulaj.

Në dëgjimin në Runik, nënkryetari Nura ka shpalosur para të pranishmëve Buxhetin e paraparë për vitin 2017 dhe parashikimet për vitet 2018, 2019, me theks të veçantë në projektet që do të realizohen në këtë Bashkësi lokale.

Z.Nura theksoi se buxheti i paraparë për vitin 2017 do të jetë afër 12 milion euro të shpërndara në pesë kategori, ndër të cilat më e rëndësishmja është kategoria e investimeve kapitale nga të cilat do të përfitojnë edhe qytetarët e Bashkësisë lokale të Runikut.

Qytetarët e pranishëm në takim u interesuar kryesisht për investimet që do të bëjë komuna e Skenderajt në projekte të infrastrukturës. Interesimi i qytetarëve ishte fokusuar në projektet e rrugëve të lagjeve të cilat kanë filluar të ndërtohen, në furnizimin me ujë të pishëm si dhe në projektin e kanalizimit fekal që po ashtu është duke u realizuar në Runik.

Të pranishmit kërkuan edhe investime në fushën e përkrahjes së bujqve, si dhe kërkuan nga udhëheqja e Komunës së Skenderaj të zgjidhet  problemit i transportit të fëmijëve për në shkollë.

Ndërsa në dëgjimin buxhetor në Likoc, qytetarët u shprehën të kënaqur me investimet e deritanishme që ka bërë Komuna e Skenderajt. Ata kërkuan më shumë investime në ujësjellës, kanalizime dhe në disa rrugë të lagjeve që kanë mbetur  të pa asfaltuar. Kërkesë e qytetarëve ishte edhe funksionalizimi i Bibliotekës së shkollës Fehmi Rama të Likocit dhe rritja e efikasitetit të ambulancës.

Nënkryetari Nura u sqaroj qytetarëve të pranishëm se institucionet lokale të Skenderajt po bëjnë përpjekje të vazhdueshme dhe maksimale në realizimin e projekteve në dobi të  tyre, varësisht nga mundësitë buxhetore, karshi edhe nevojave të qytetarëve.

Dëgjimet buxhetore të mbajtura me qytetarët janë formë e mirë e konsultimit të publikut në procese të rëndësishme siç është hartimi i buxhetit vjetor. Deri më tani Komuna e Skenderajt ka hartuar dhe ka miratuar në Kuvendin komunal Kornizën Afatmesme të Buxhetit 2017-2019, ka mbajtur edhe dëgjimet buxhetore të parapara me ligj, ndërsa në fund të shtatorit do të finalizojë Buxhetin për vitin 2017 dhe parashikimet për vitet 2018, 2019. Në këtë periudhë të hartimit të tij, Komuna e Skenderajt është e hapur për propozime nga qytetarët dhe grupet e interesit, që mund të kontribuojnë në hartimin e një buxheti sa më efikas dhe transparent.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …