Konferencë ndërkombëtare për shkencat mjekësore bashkon rajonin në avancimin e sistemit shëndetësor. Një konferencë ndërkombëtare e shkencave mjekësore po zhvillohet sot, duke mbledhur profesionistë të shëndetësisë nga i gjithë rajoni me qëllim shkëmbimin e përvojave, ideve dhe praktikave më të mira. Që nga viti 2020, këto trajnime dhe takime profesionale janë kthyer në një platformë të rëndësishme për përhapjen e inovacioneve dhe risive në fushën e mjekësisë, duke ofruar mundësi të reja bashkëpunimi dhe zhvillimi.
Në hapje të punimeve, Nexhmije Gori nga Oda e Infermierëve të Kosovës theksoi rëndësinë e këtij tubimi, duke nënvizuar se shëndeti nuk njeh kufij dhe se bashkëpunimi rajonal është çelësi për përparim të qëndrueshëm. “Ky është një takim i karakterit ndërkombëtar që dëshmon se shëndeti është një e mirë e përbashkët për të gjithë. Odat profesionale janë të përkushtuara të jenë aktive në shkëmbimin e ideve dhe përvojave, duke sjellë para nesh ekspertizën dhe inovacionin më të ri”, deklaroi znj. Gori.
Ndërkaq, Prof. Hysni Bajrami – një nga arkitektët kryesorë të themelimit të odave profesionale në Kosovë – ndau me të pranishmit rrugëtimin e gjatë dhe sfidat e përballuara ndër vite. “Ky zhvillim nuk është arritur nga një person i vetëm. Pas nesh qëndron një komunitet mjekësh dhe profesionistësh të përkushtuar, humanë dhe vizionarë. Odat kanë kompetencat e tyre organizative dhe po dëshmojnë se mund të jenë model i funksionimit profesional”, theksoi ai, duke kujtuar se fillimet kanë qenë të vështira, por falë përkushtimit dhe punës së palodhshme, sot këto struktura janë rritur dhe po zhvillohen me sukses.
Konferenca, e cila do të vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së nesërme, pritet të sjellë , prezantime dhe diskutime mbi praktikat më bashkëkohore në fushën e mjekësisë, duke forcuar lidhjet mes profesionistëve dhe duke kontribuar në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në të gjithë rajonin.