Kosova drejt kolapsit institucional dhe financiar: Marsi paralajmërohet si muaj krize totale

Kosova po rrëshqet drejt një krize të dyfishtë, financiare dhe institucionale me pasoja potencialisht katastrofike për stabilitetin e vendit. Kryeministri Albin Kurti kishte paralajmëruar që para fushatës zgjedhore se muaji mars mund ta gjejë shtetin në krizë financiare, nëse vonohet krijimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Sot, ky skenar duket më real se kurrë. Edhe pse për muaj me radhë Kurti kishte insistuar se Kosova nuk ka krizë ekonomike apo financiare duke e justifikuar këtë me mungesën e protestave ai për herë të parë pranoi hapur se marsi mund të jetë kritik. Sipas tij, Qeveria në dorëheqje mund të funksionojë vetëm në janar dhe shkurt me sistemin 1/12 të buxhetit, ndërsa në mars çdo shtesë buxhetore kërkon vendim të Kuvendit, i cili rrezikon të mos ekzistojë funksionalisht. “Në muajin mars kjo mund të bëhet vetëm me vendim të Kuvendit, por jo me vendim të Qeverisë. Prandaj gjasat janë për krizë financiare”, kishte deklaruar Kurti, duke e pranuar se buxheti i ri prej rreth 4 miliardë eurosh mbetet peng i bllokadës politike. Situata është përkeqësuar edhe më shumë pas vendimit të KQZ-së për rinumërim të votave në gjithë Kosovën, pas dyshimeve serioze për manipulime. Kjo ka futur procesin zgjedhor në një zvarritje të rrezikshme. Eugen Cakolli nga KDI paralajmëron se nëse rinumërimi shtyhet përtej javës së parë të shkurtit, certifikimi i rezultateve mund të ndodhë vetëm në mes ose në fund të shkurtit, madje në skenarin më të keq, në fillim të marsit  duke bllokuar konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

Kontrolloni gjithashtu

Ramiz Lladrovci pas vendimit të KQZ-së për rinumërim: Procesi zgjedhor ka qenë i mjegullt dhe jo transparent

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për rinumërimin e votave të zgjedhjeve nacionale të …