Kosova rrezikon humbjen e 880 milionë eurove nga BE për shkak të ngërçit politik

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina mbeten dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor që nuk kanë përfituar ende nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian. Kosova po pengohet nga zvarritja e formimit të institucioneve, duke mos arritur të ratifikojë marrëveshjen në Kuvend – një hap i domosdoshëm për të siguruar fondet. Procesi u bllokua fillimisht nga mungesa e shumicës së Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e kryeparlamentares, më pas nga dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Për pasojë, Kosova rrezikon të humbasë pjesën e parë të fondeve – rreth 880 milionë euro – pasi Komisioni Evropian ka paralajmëruar se pagesat mund të pezullohen pjesërisht ose plotësisht nëse kushtet nuk përmbushen në afatin njëvjeçar të pritjes. Seanca e jashtëzakonshme e 19 nëntorit, e thirrur për miratimin e marrëveshjes, dështoi pasi partitë opozitare nuk morën pjesë, duke sinjalizuar se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja. Qeveria e ardhshme pritet të rikthejë në rend dite këtë dosje urgjente. Në Samitin e Planit të Rritjes në Tiranë, kryeministri në detyrë Albin Kurti pranoi vonesat, duke i atribuar ato “rrethanave politike” dhe proceseve demokratike të formimit të institucioneve. Ndërkohë, Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, paralajmëroi se rreth 300 milionë euro të destinuara për vendet e rajonit rrezikojnë të humbasin në qershor, kur skadon periudha e pritjes për reformat e papërmbushura. Plani i Rritjes synon përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër, digjitalizimin, forcimin e sektorit privat dhe përafrimin e standardeve ekonomike të rajonit me Bashkimin Evropian. Pa ratifikimin urgjent të marrëveshjes, Kosova rrezikon të mbetet vendi më i penalizuar i Ballkanit Perëndimor.

Kontrolloni gjithashtu

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së: Reagim

OVL UÇK, shpreh indinjatën dhe zhgënjimin e thellë për faktin që gjykata speciale në Hagë …