Më 9 maj, në të gjithë Evropën shënohet Dita e Evropës, datë që simbolizon nisjen e projektit evropian dhe përkushtimin ndaj paqes pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa në shumicën e shteteve evropiane kjo është ditë pune, në Kosovë 9 maji shënohet si festë zyrtare dhe ditë pushimi. Megjithatë, ndonëse Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 14 dhjetor 2022, procesi i saj i integrimit mbetet ende në faza të hershme. Dokumenti i aplikimit ishte dorëzuar zyrtarisht Presidencës çeke të Këshillit të BE-së më 15 dhjetor të po atij viti, por deri më tani nuk ka pasur shqyrtim formal në Këshillin e Bashkimit Evropian. Më shumë se tre vjet pas aplikimit, Kosova nuk është përfshirë ende në agjendën e takimeve të ministrave të BE-së dhe mbetet jashtë rendit të ditës së takimit të radhës të paraparë për 15 maj. Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka rikonfirmuar përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj perspektivës evropiane të Kosovës, duke theksuar vazhdimin e mbështetjes së procesit të integrimit. Megjithatë, procesi i Kosovës mbetet i ngadalësuar, kryesisht për shkak se pesë shtete anëtare të BE-së, Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja – ende nuk e njohin pavarësinë e saj, duke ndikuar në mungesën e konsensusit brenda unionit për hapat e mëtejshëm të integrimit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
