Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar plotësisht procesin e numërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025, 12 ditë pas ditës së votimit. KQZ-ja ka bërë të ditur se nuk ka më fletëvotime për t’u numëruar dhe se, nga aspekti teknik, është e gatshme për shpalljen e rezultateve përfundimtare. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe palët e tjera të interesuara kanë të drejtë të parashtrojnë ankesa brenda një afati prej 48 orësh. “Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, nga ana teknike, KQZ-ja është e gatshme për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Megjithatë, palët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, ka thënë Elezi. Ai ka theksuar se numërimi i të gjitha fletëvotimeve, përfshirë edhe ato nga votimi me postë jashtë Kosovës, është përmbyllur të premten në orët e hershme të mëngjesit, duke shënuar mbylljen e plotë të procesit të numërimit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
