Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se procesi i numërimit të votave me postë është drejt përfundimit, ndërsa edhe 3,185 pako me fletëvotime nga disa qendra jashtë Kosovës mbeten ende pa u sjellë në vend. Këto përfaqësojnë votat e fundit që nuk janë përfshirë ende në procesin e numërimit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, aktualisht po numërohen votat që i përkasin pjesës së dytë të votimit me postë, të tërhequra nga kutitë postare më 2 dhe 5 janar. “Më 2 janar janë tërhequr 8,180 pako me fletëvotime, ndërsa më 5 janar janë tërhequr edhe 11,867 pako. Pjesa dërrmuese e këtyre pakove tashmë kanë mbërritur në Kosovë dhe janë verifikuar. Rreth 16 mijë pako janë aprovuar dhe aktualisht janë në proces të numërimit”, ka deklaruar Elezi në një konferencë për media. Sipas tij, 3,185 pako të tjera, të tërhequra nga qendrat e votimit në Paris, Berlin, Hagë, Podgoricë dhe Ottawa, pritet të arrijnë në Kosovë gjatë ditëve në vijim, pas së cilave do t’i nënshtrohen verifikimit dhe numërimit. Elezi ka theksuar se KQZ-ja ndodhet tashmë në fazën përfundimtare të procesit zgjedhor dhe, pas përmbylljes së të gjitha procedurave ligjore, është e gatshme të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
