Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se ka përmbyllur shtypjen e fletëvotimeve për Zgjedhjet Lokale 2025 për Kryetarë të Komunave dhe Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Fletëvotimet gjatë ditës do të arrijnë në Kosovë. Shtypja është kryer në shtypshkronjën “Cetis” në Celje të Sllovenisë, nën mbikëqyrjen e anëtarëve të KQZ-së dhe stafit të Sekretariatit të Komisionit. Përveç fletëvotimeve, janë përgatitur edhe broshurat e kandidatëve, të cilat do të shpërndahen në vendvotime më datë zgjedhjesh. Për raundin e parë të zgjedhjeve, janë shtypur 3,600,820 fletëvotime, nga të cilat 1,800,410 për secilën lloj zgjedhjeje. Ky numër përfshin fletëvotimet për të gjitha mënyrat e votimit: të rregullt, me kusht, për personat me nevoja të veçanta, votimin me postë dhe rezervat. Në këtë proces zgjedhor është parashikuar që të prodhohen 13% më pak fletëvotime krahasuar me numrin e përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote, i cili sipas Listës Votuese të certifikuar nga KQZ arrin në 2,069,098 votues. Sipas të dhënave, 2,025,105 qytetarë do të votojnë në vendvotime brenda Kosovës, ndërsa 43,993 votues janë regjistruar për të votuar përmes postës nga jashtë vendit. Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,625 vendvotime, ku 910 Qendra për votimin e rregullt dhe 38 Qendra me 54 vendvotime për votimin me kusht.
