Jakup Krasniqi

Krasniqi-LDK-së: Pse s’po e përdoreni mbështetjen e SHBA-ve për forcimin sovranitetit dhe ruajtjen e tërësisë territoriale

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke iu përgjigjur ministrit Avdullah Hoti, ka thënë se nëse është e vërtetë që LDK-ja ka mbështetjen e SHBA-ve, atëherë kjo do të duhej që ajo të përdoret për forcimin e sovranitetit të shtetit që me fusnotë është lënë pa sovranitet. “Ministri Hoti paska thënë: ‘Lidhja Demokratike është partneri më kredibil i SHBA-s, ne do ta procedojmë të hënën në Kuvend, për këtë jemi koordinuar edhe me amerikanët’. Fjalën e ka për Ratifikimin e Demarkacionin me Malin e Zi! Nëse është kështu, mirë fortë, por përdorni mbështetjen e SHBA-ve për forcimin e sovranitetit të shtetit që me fusnotë e keni lënë pa te dhe përdoreni Amerikën për ruajtjen e tërësisë territoriale e jo për humbjen e 8200 hektarëve. Nxirrni mësimet e duhura sesi ndërtohet shteti i se drejtës, si ndahen e funksionojnë pushtetet, si zbatohen ligjet, si funksionon gjyqësori, si zhvillohet vendi dhe si përparohet arsimi e përmirësohet shëndetësia! Këto këshilla duhet t’i merrni nga Amerika! Atëherë do t’ju besoja se vërtetë e keni mbështetjen Amerikane! Kur ta luftoni krimin e korrupsionin që po e han pavarësinë, sovranitetin e territorin, kur ta luftoni nepotizmin e pa ligjësitë e grumbulluara si stoqe, kur të hapni perspektiva për qytetarët, kur zhvilloni vendin e ngiteni mirëqenien qytetare, siguroni e garantoni sovranitetin e shtetit, do t’ju kuptojmë edhe kur thirreni në mbështetjen Amerikane! Atëherë sinqerisht do t’ju besojmë se do të kemi përse! Kështu si po veproni ju qeveritarët po e fyeni demokracinë amerikane! Përndryshe, nëse jeni të bindur se keni qeverisur mirë, pse frikësoheni për t’ju drejtuar qeveritarëve për një mandat të dytë? Qeveritarë: Qytetarët nuk ushqehen ma me deklarata boshe! Ata donë siguri e mirëqenie që e shohin dhe e prekin përditë!”, ka shkruar Krasniqi në një postim të tij.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Frontit Europian, Bujar Osmani, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë, me epërsi të 40 mijë votave

Kandidati i Frontit Europian për kryetar të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka shpallur fitoren …