KRIIK Albania: Dakordësia e arritur ne marrëveshjen e 5 qershorit, moment i lidershipve për ta tejkaluar përvojën e derisotme

KRIIK Albania: Dakordësia e arritur ne marrëveshjen e 5 qershorit, moment i liderëve për ta tejkaluar përvojën e derisotme

Në datë 16 qershor 2020, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) iu dërgoi Kryeministrit të Republikës dhe Kryetarit të Partisë Socialiste Sh.T.Z. Edi RAMA, Kryetarit të Partisë Demokratike Z. Lulzim BASHA, Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim Znj. Monika KRYEMADHI, Kryetarëve të katër Grupeve Parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë si dhe anëtarëve të Këshillit Politik, një LETËR TË HAPUR me titull “Dakordësia e arritur në marrëveshjen e 5 qershorit, si një moment i lidershipeve për të tejkaluar përvojën e derisotme”.

Në këtë Letër, KRIIK shpreh konsideratën e tij për dakordësinë e arritur nëpërmjet marrëveshjes së 5 qershorit 2020 mbi paketën e ndryshimeve të kuadrit ligjor për çështjet zgjedhore, duke vlerësuar se marrëveshja e konkluduar shënoi një kthesë të rëndësishme të komunikimit politik në përvojën demokratike të vendit, pas një ecurie precedentësh negativë dhe krizash madhore.

Nga ana tjetër KRIIK shpreh gjithashtu shqetësimin e tij për moskonkludimin ende në një produkt ligjor të bazuar në këtë marrëveshje politike, megjithëse kanë kaluar dhjetë ditë pas arritjes së saj, për më tepër kur dihet se teksti i draftuar mbi të cilin po diskutohet ka qenë në dispozicion të Komisionit të Reformës Zgjedhore, i përgatitur prej ekspertëve teknikë, të paktën prej nëntorit 2019.

Nëpërmjet kësaj Letre, KRIIK, i drejtohet nivelit më të lartë politik duke iu parashtruar atyre nevojën për të nxitur angazhimin konkret të vullnetit të tyre të drejtëpërdrejtë politik dhe institucional, për përmbylljen sa më shpejt të amendimeve të dakordësuara të Kodit Zgjedhor si dhe për të sjellë në vëmendjen e tyre dhe të forcave politike respektive disa çështje të tjera, të cilat, në gjykimin e KRIIK, kanë nevojë për t’u adresuar sa më parë në mënyrë vizionare dhe të matur.

Konkretisht , KRIIK, parashtron nevojën për të adresuar sa më parë :

–          çështjen e transparencës së plotë mbi punën e Këshillit Politik;

–          kuadrin rregullator të nevojshëm në rast të mundshëm të zhvillimit të procesit zgjedhor në një situatë pandemie, si dhe

–          vijimin e reformimit të kuadrit ligjor nëpërmjet institucionalizimit dhe funksionalizmit të mëtejshëm të Këshillit Politik për çështje që nuk ishin pjesë e paketës së dakordësuar, si: mekanizmi i kontrollit të veprimtarisë financiare të partive politike, vota e diasporës dhe format e demokracisë së drejtëpërdrejtë (referendumet).

Veçanërisht, nxitet funksionalizimi i Këshillit Politik në asistencë të çështjeve që mund të dalin në veprimtarinë e KQZ-së, sidomos duke marrë në konsideratë qasjen e evidentuar përgjatë diskutimeve të kryera gjatë procesit të reformës, ku KQZ-së parashikohet t’i atribuohen menaxhimi dhe rregullimi i disa çështjeve “të nxehta”, për të cilat dakordësimi politik ka qenë i pamundur.

Kjo përbën një arsye më shumë për t’a shëndoshur institucionalisht KQZ-në e re duke e ndihmuar me ekspertizë dhe vullnet politik të dakordësuar, si dhe duke e shmangur atë nga presioni politik

Në përmbyllje të Letrës së Hapur, duke konsideruar domosdoshmëri mbizotërimin e frymës së Transparencës në tërë jetën politike e institucionale, si instrumenti i vetëm për rikthimin e besimit qytetar, KRIIK parashtron përpara vullnetit personal e politik të liderëve politikë edhe disa propozime konkrete që lidhen me një sërë çështjesh, vënia në jetë e së cilave, megjithëse në mungesë të dispozitave specifike detyruese ligjore, mund të realizohet vullnetarisht nga subjektet politike, në respekt të një këndvështrimi më të plotë mbi frymën dhe gërmën e Kushtetutës apo edhe të kuadrit aktual ligjor.

Në gjykimin e KRIIK, jetësimi i këtyre propozimeve, si elementë minorë në jetën dhe për kapacitetet që mbart një parti politike, do të sjellë një mjedis transparence më të plotë përpara qytetarëve, do të ndihmojë ndjeshëm në harmonizmin e disa proceseve të tjera proceduriale, si dhe do të shënojë pikënisjen e një sërë procesesh të tjera advokuese, llogaridhënëse apo ligjzbatuese duke u përpjekur kështu të jepet një kontribut i fuqishëm kundër fenomenit të pandëshkueshmërisë dhe moszbatimit të ligjit prej vetë partive politike.

Ndër propozimet e paraqitura nga KRIIK përmenden:

–          rritja e transparencës së financimit të partive politike, jo vetëm përgjatë periudhës zgjedhore, duke i nxitur subjektet politike të ndërmarrin vullnetarisht një proces transparence të detajuar të veprimtarisë së tyre;

–          rritja e transparencës mbi ofertat elektorale (programet konkrete dhe të detajuara elektorale) si dhe mbi profilet e plota të kandidatëve të zgjedhur, duke iu kërkuar këtyre të fundit ndër të tjera, që të bëjnë publikimin paraprakisht edhe të tre dimensioneve financiare: aseteve financiare që zotërojnë;  detyrimeve fiskale të lidhura me to, si dhe të detyrimeve financiare që kanë ndaj të tretëve.

–          jetësimin dhe institucionalizimin e Auditit post-Zgjedhor për të imponuar institucionalisht përmirësimin e anomalive të vërejtuara gjatë ecurisë së procesit zgjedhor, si dhe për të projektuar akoma më mirë piketat dhe nivelin e thellësisë së ndërhyrjes në reformën zgjedhore të pritshme në legjislaturën e re.

Në konsideratë të fundit, KRIIK shpreh edhe qendrimin e tij lidhur me diskutimin publik mbi ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke theksuar se diskutimi mbi sistemin zgjedhor është një çështje që meriton maturi të lartë, një analizë integrale të një tërësie faktorësh dhe një unison të plotë të aktorëvë politikë e civilë.

Gjithashtu, duke patur parasysh se në vlerësimin e KRIIK një nga të metat e sistemit aktual është se ai nuk e “ushqen” pluripartitizmin parlamentar dhe përbën pengesë për formacionet e reja politike, propozohet specifikisht që për zgjedhjet e ardhshme të mund të merret në shqyrtim ndërmarrja e një ndërhyrje teknikisht jo-thelbësore, por me efekt real siç mund të jetë ulja e pragut zgjedhor apo edhe ndryshimi i formulës së alokimit të mandateve, me synim nxitjen e alternativave të reja dhe forcimin e pluripartitizmit si një vlerë thelbësore për një demokraci në ndërtim.

 

Dokumentin e plotë mund ta gjeni si tekst më poshtë ose në formatin .pdf mund ta shkarkoni KËTU.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …