leoni

Prishtine - Beograd

Amerika kërkon zgjidhje të shpejtë mes Kosovës e Serbisë, BE-ja, bisedime edhe 20 vjet të tjera

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Jemi në përudhën e një kthese të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, por aspak të sigurt  se kjo e  ardhme do të jetë në favorin tonë, madje në asnjë mënyrë nuk do të përputhet me parashikimet e kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi. Megjithatë, imponimi që po i bën administrata amerikane zgjidhjes së çështjes së Kosovës me Serbinë, tregon vullnetin e Shteteve të Bashkuara, që kjo çështje të mos zvarritet edhe 20  vite të tjera nga BE-ja, e cila nuk ka zgjidhur asnjë çështje me rëndësi, as për veten e vetë, pa përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

BE-ja është e treguar e paaftë ta zgjidh qoftë edhe një çështje të vetme të marrëdhënieve të tendosura mes shteteve e kombeve në Evropë.

Kanë kaluar 21 vite  qyshkur Kosova është çliruar nga regjimi vrastar dhe shtypës i Serbisë dhe BE-ja nuk ka bërë as edhe një hap drejt pranimit të realitetit të ri në këto vise të Ballkanit, duke anashkaluar edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës, pasi atë nuk e njohin pesë vendet anëtare, por e kanë pranuar 22 vende të tjera. BE-në e karakterizon  politika e status-quosë, e pritjes pa fund dhe prolongimit të të gjitha problemeve.

Krerët më të lartë të BE-së e dinë mjaft mirë historinë e trojeve të Shqipërisë dhe tragjedisë kombëtare shqiptare, që ka zgjatur nga Kongresi i Berlinit i vitit 1878 e deri në ditët tona. Shtetet e Evropës, me ndonjë përjashtim, kanë qenë dhe kanë mbetur unike, që trojet shqiptare në përgjithësi, të shërbejnë për kënaqjen e orekse të popujve sllavë e ortodoksë të Ballkanit. Ky është një realitet që ata nuk e mohojnë, pavarësisht se nuk e thonë hapur.

Me asnjë rast konkret, përveç retorikës tashmë krejtësisht bajate, BE-ja nuk ka treguar gatishmëri  për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare mbi parimin e  vetëvendosjes së kombeve, të cilën e mbështetin  deklarativisht.

Aktualisht, BE-ja ka vendosur në dy postet kyçe të bisedimeve të Kosovës me Serbinë, dy përfaqësues nga dy shtete, që në mënyrë kategorike e përjashtojnë pavarësinë e Kosovës, sikur janë Spanja dhe Sllovakia. Ky është qëndrimi decidiv i Evropës në përkrahje të hegjemonisë dhe  kolonializmit serb mbi shqiptarët.

Po kështu Kosova është i vetmi vend në Evropë,  që mbahet në geto dhe për të cilën vlen regjimi i vizave, edhe pse vendi ka plotësuar të gjitha kërkesat e BE-së, por ajo pret që Kosova të rikthehet vullnetarisht nën Serbinë, ose të bëhet bashkë me Serbinë, për t’ u pranuar në radhët e BE-së.

Ky qëndrim i paluhatshëm, konsistent dhe tejet fanatik i BE-së ende nuk është kuptuar nga ata politikanë e diplomatë shqiptarë, të cilët duan të bëhen pjesë e Evropës me çdo kusht duke e lutur atë nga viti në vit, duke e lutur deri në pakufi…   Se cilët janë shqiptarët që përbetohen dhe i servilosen deri në neveri Evropës, këtë e dimë të gjithë.

Për të treguar më së miri se cili është qëndrimi shpërfillës i BE-së ndaj Kosovës por edhe qëndrimi kundër interesimit amerikan për të arritur një marrëveshje të Kosovës me Serbinë, ambasadori i ri i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, ka bërë të qartë se shteti zviceran e mbështet dialogun me Serbinë i cili udhëhiqet nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, përfshirja e akterëve të tjerë, sikur janë  Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e mirëseardhur, por ai pretendon se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është çështje evropiane dhe se Zvicra e mbështet një dialog të tillë. Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet të tregohen të gatshme për rifillimin e dialogut. Z Lebet nuk ka treguar pse BE-ja po a zvarritë procesin e bisedimeve qe 12 vjet,  dhe, pse Kosova vazhdon të jetë e vetmja geto e Evropës, në mungesë të liberalizimit të vizave. BE-ja e do Kosovën kështu si është, një geto të veten, për të eksperimentuar mbi një popullatë autoktone, por që nuk është me shumicë e besimit të krishterë. Përkatësia fetare e kësaj popullate nuk i pengon Amerikës, e cila mburret me të drejtë se ka luftuar për ta mbrojtur popullatën shqiptare, pa paragjykuar fare përkatësinë fetare, meqë është e njoftuar për tolerancën dhe harmoninë fetare të shqiptarëve.

Po fati ynë ka dashur që në tri momentet vendimtare të ekzistencës së kombit, rolin shpëtimtar e kanë vendosur dhe e kanë vulosur amerikanët, në vitin 1920, W. Vilson 1990 Xh. Bush dhe në vitin vendimtar 1999, Bill Clinton.

Disa politikanë të verbëruar nuk e shohin as duan të dinë për këtë realitet faktik, historik, disa madje shkojnë edhe më larg dhe e përçmojnë në mënyrë naive dhe idiotike rolin e Amerikës në zgjidhjen e problemeve, që nuk arrijnë t’ i zgjidhin të tjerët dhe në radhë të parë sipas interesit të tyre.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës  kanë pasur,  kanë dhe do të kenë rolin vendimtar në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës, por edhe të shqiptarëve përgjithësisht, sepse në radhë të parë kjo është pjesë e strategjisë së tyre politike, ndërkombëtare, por edhe për faktin se shqiptarët, në përgjithësi si popull e komb besojnë me të drejtë se Amerika është i vetmi vend mik i drejtë, por edhe i fortë për të zgjidhur madje edhe probleme globale e lërë më problemin e Kosovës me Serbinë.

Për afër 20 vjet qarqet shqiptare pro-serbe janë munduar të hedhin baltë mbi shqiptarët si popull me fe myslimane, si fanatikë e muxhahidë, për Kosovën si tokë e plleshme e ISIS-it, për Kosovën pro turke e proarabe, për xhamitë e shumta, për femrat e mbuluara për dualitetin e tyre fetar, por nuk ia kanë arritur, sepse Amerika i ka pasur dhe i ka njerëzit e vet në Kosovë,  e njeh mirë realitetin që mbizotëron tek ne dhe qëndrimin pro-amerikan të më shumë se 90 për qind të shqiptarëve. Qeveria amerikane qoftë republikane qoftë demokrate ka qëndrim unik shtetëror dhe në esencë nuk ndërron nga partitë në pushtet, edhe pse nuk mund të përjashtohen modifikime,  të cilat ndodhin në kushte dhe rrethana të strategjisë së Shtetit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aktualisht janë e vetmja forcë politike, ushtarake, ekonomike, e cila mund ta zgjidh përfundimisht çështjen e Kosovës, po jo sikur  pretendojmë ne, jo në akord me aspiratat tona shekullore kombëtare.

Kjo mund të ndodh në mënyrë evolutive në të ardhmen, por jo aktualisht.

Çka nuk duhet të harrojmë!

Nuk duhet të harrojmë se intervenimi i NATO-s (Amerika dhe Anglia)  mbi caqet ushtarake shqiptar-vrasëse të Milosheviqit, nuk kishte intervenim kundër Serbisë, as kundër popullit serb, edhe pse ai popull i manipuluar sa e sa herë nga “vozhdët” e vet,  me 90 për qind kishte përkrahur politikat gjenocidale të Milosheviqit.

-Intervenimi ushtarak dhe marrëveshja e kapitullimit e 9 qershorit të vitit 1999, nuk shpalli humbës Serbinë dhe fituese Kosovën.

-Intervenimi në radhë të parë kishte komponentin humanitar dhe jo rivendosjen e kufijve në Ballkan.

-Po ashtu nuk duhet harruar se Franca, aleatja historike dhe besnike e Serbisë, ishte ajo që më 15 qershor të vitit 1999 vendosi një kufi brenda Kosovës, mbi lumin Ibër në Mitrovicë, kufi de facto, që pret të vendoset  edhe de iure, pavarësisht retorikave  tona folklorike, “Jo nuk ndahet Mitrovica dhe gjallë  Preshevën  nuk e lëshojmë”.

-Nuk duhet të harrojmë Rezolutën 1244  të KS të OKB-së, e cila Kosovën e trajton si pjesë integrale të Serbisë, aktualisht nën administrim ndërkombëtar. Rezoluta e tillë është akt juridik i OKB-së dhe mund të mos përfillet në mënyrë të njëanshme, por ajo është valide krejt deri sa nuk nxirret një rezolutë tjetër, ose deri sa të merret vendimi unanim për shpalljen të pavlefshme të saj…

-Nuk duhet harruar edhe një fakt sado hipotetik, i shprehur me logjikën paradigmatike se nëse shqiptarët shumicë në Kosovë nuk pranojnë të qeverisën nga Beogradi, pse serbët atje ku janë shumicë u dashka të pranojnë të qeverisën nga Prishtina?

Pikërisht në këto komponente e ka ndërtuar strategjinë e vet politika zyrtare e Beogradit, e cila nuk ndryshon shumë nga partitë e mëdha politike, cilado qoftë në pushtet.

Beogradi zyrtar qysh moti e ka bërë të ditur se do të hyjë në bisedime me Kosovën, vetëm me kompromis, dhe kurrsesi që Kosova t’ i fitojë të gjitha e Serbia asgjë.

Ky është kushti dhe serbët i bien fortë këtij qëndrimi. Nuk është më ajo logjika e fortë e Milosheviqit: “Krejt ose hiq, Ose Serbia do të bëhet e tërë, ose do të shpërbëhet”. Duket se pazari i Vuçiqit do të përkufizohet më butë: Jep çka të japësh, por diçka do të japësh, patjetër.

Mungesa e një strategjie unike të politikanëve të Kosovës

Për fatin tonë të keq, ashtu si kurdoherë në të kaluarën, edhe tani para këtij momenti, që mund të jetë edhe vendimtar, forcat tona politike janë të ndarë e të përçarë, secila në bastionin e vet feudal, “mesjetar”.

Në radhë të parë nuk ka qëndrim unik lidhur me rolin e Amerikës në zgjidhjen përfundimtare të Kosovës me Serbinë. Për disa vlen ajo maksima reaksionare shqiptare, “për inati të resë më vdektë djali”. Dikush për inatin që ka për filan-fistekun është në gjendje ta djegë çdo favor, sepse ka paragjykuar dhe paragjykon se filani është tradhtar, hajn, i korruptuar dhe i paaftë, ndërsa për veten e vetë  mendon se është më i dituri dhe më  duhuri, i cili nuk i lëshon pe Amerikës dhe akujt në botë. Fakti se asnjëherë në historinë tonë 142 vjeçare të mëdhenjtë, edhe nëse ndonjëherë na kanë pyetur, asnjëherë nuk na kanë përfillur kërkesat tona jetike, të drejta e të natyrshme, flet se edhe kësaj radhe ato kërkesa të drejta e të natyrshme nuk do të merren parasysh në tërësi, por në disa segmente, po se po.

Takimi në Uashington më 27 qershor, ku pritet  të bisedojnë kryetari  i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai  Serbisë, Vuçiq me delegacionet e tyre, për herë të parë me ndërmjetësimin amerikan, me apo pa praninë e BE-së, është një ngjarje e veçantë, por edhe një sprovë e re e Administratës së kryetarit, Donald Trump. Tani për tani kemi një ekuacion hipotetik me shumë të panjohura.

Ahmet Qeriqi

  1. 6. 2020

Kontrolloni gjithashtu

Nesër, më 4 janar 2024, në ambientet e Radios-Kosova e Lirë, në Prishtinë shënohet 25-vjetori i fillimit të transmetimit të programit

RKL: Kur bëhet fjalë për aferat e korrupsionit e përgjimet në vend, Albin Kurti reagon, sikur Nastradini me palljen e gomarit

Se cili ka qenë Albini i kohës  së opozitës dhe cili është tani, në pozitën …