Në 27-vjetorin e Masa’krës së Rezallës, homazhe për viktimat janë bërë edhe nga kryetari i Komunës së Skenderaj, Sami Lushtaku, i cili ka adresuar kritika të drejtpërdrejta ndaj institucioneve të Kosovës për mungesën e përkujdesjes dhe prezencës së tyre. Lushtaku theksoi se kjo ngjarje mbetet ndër më të rëndat për popullin shqiptar, duke rikujtuar se më 5 prill 1999, forcat serbe ekzekutuan 98 civilë shqiptarë në fshatin Rezallë dhe zonat përreth, ndërsa një pjesë e trupave u zhdukën dhe më vonë u gjetën në Rudnicë. Ai shprehu shqetësim për mungesën e përfaqësuesve institucionalë në përvjetor, duke theksuar se këto vende nuk duhet të vizitohen vetëm për interesa politike apo gjatë fushatave zgjedhore. “Ne nuk duhet me ardhë këtu vetëm kur kemi nevojë me lyp votë… këtu duhet me ardhë edhe për me kërkuar forcë dhe për me kuptu çka ka ndodhë,” u shpreh Lushtaku, duke shtuar se mungesa e reflektimit institucional është shqetësuese. Sipas tij, institucionet dhe partitë politike duhet të tregojnë më shumë përkushtim ndaj familjarëve të viktimave dhe kujtesës historike, duke rikujtuar se lufta është bërë pikërisht për ndërtimin e shtetit dhe institucioneve. Mas’akra e Rezallës konsiderohet një nga krimet më të rënda gjatë luftës në Kosovë, ku vetëm tre persona arritën të mbijetojnë nga ekzekutimet masive të civilëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
