Kriza institucionale në horizont? Qëndrimet e partive mbeten të papajtueshme

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka propozuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike mes partive parlamentare për të shmangur një krizë të re institucionale. Sipas tij, asnjë subjekt politik nuk ka fuqinë e mjaftueshme për të vepruar i vetëm dhe për këtë arsye kërkohet dialog dhe kompromis për të siguruar stabilitet politik. Megjithatë, ideja e një marrëveshjeje me Vetëvendosjen nuk ka gjetur mbështetje të plotë brenda LDK-së. Deputeti i zgjedhur, Avdullah Hoti, reagoi duke theksuar se partia duhet të rikthehet te baza e saj tradicionale, vlerat politike dhe orientimi euroatlantik, duke lënë të kuptohet se nuk e mbështet një afrim me partinë në pushtet. Qëndrim kritik ndaj një koalicioni të mundshëm me LVV-në ka shprehur edhe deputeti i zgjedhur i PDK-së, Mërgim Lushtaku. Ai deklaroi se është kundër një bashkëqeverisjeje me Vetëvendosjen, ndonëse theksoi se do të vazhdojë të japë kontributin e tij brenda strukturave të partisë. Ndërkohë, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka akuzuar Vetëvendosjen për përpjekje që debati publik të mbetet i fokusuar në çështje politike, duke lënë në hije problemet ekonomike, energjetike, shëndetësore dhe sociale me të cilat përballen qytetarët. Sipas tij, vëmendja e opinionit duhet të përqendrohet më shumë te sfidat konkrete të përditshme dhe jo vetëm te përplasjet politike mes partive. Me qëndrimet ende të ndara dhe pa sinjale të qarta për një marrëveshje ndërmjet subjekteve kryesore politike, çështja e formimit të institucioneve dhe zgjedhjes së presidentit mbetet një nga sfidat kryesore të skenës politike paszgjedhore në Kosovë

Kontrolloni gjithashtu

Prokuroria dhe ARKEP-i zotohen për thellimin e bashkëpunimit institucional

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka zhvilluar një takim me kryetarin …