Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar shpalljen e pavarësisë së Kosovës

Me anë të një postimi në rrjete sociale, ku shpërndan imazhe nga lufta e deri te shpallja e Kosovës shtet i pavarur, Rama shkruan:  Urime të gjithë shqiptarëve ditën e bekuar të pavarësisë së Kosovës ”. Janë bërë 14 vjet që kur Kosova, shteti më i ri në Evropë, shpalli pavarësinë e saj nga Serbia duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore brenda Ballkanit Perëndimor.

Sot 117 shtete e njohin Kosovën ndërkaq Serbia vazhdon me diskursin e saj të mosnjohjes së pavarësisë dhe e konsideron Kosovën si “pjesë të territorit të saj”.

Përderisa vazhdon procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), gjatë vitit të kaluar axhenda kryesore e këtij vendi ishin zgjedhjet e parakohshme, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, hapja e ambasadës në Kuds si dhe tensionet me vendin fqinj, Serbinë.

 

Rruga e Kosovës drejt pavarësisë

Edhe pse kushtetuta jugosllave i dha Kosovës autonomi në vitin 1974, ajo u shfuqizua nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit në vitin 1989.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991, lufta e përgjakshme shpërtheu në Kroaci, pastaj në Bosnjë e Hercegovinë ndërsa më pas u përhap edhe në Kosovë.

Operacioni i ushtrisë, policisë dhe njësive paramilitare serbe në vitin 1998 ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e cila kërkonte pavarësi, mori fund në vitin 1999, pas bombardimeve 78-ditore të NATO-s. Lufta la të vdekur rreth 13 mijë kosovarë, nga të cilët mbi 8 mijë ishin shqiptarë, ndërkohë që mbi 1 milion kosovarë të grupeve të ndryshme etnike, nga të cilët 800 mijë shqiptarë, braktisën shtëpitë e tyre.

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan në intervale të ndryshme kohore që nga periudha e luftës në Kosovë.

Kriza e parë e përmasave më të mëdha pas luftës ndodhi në vitin 2004. Gjatë këtyre ngjarjeve, që u quajtën si “Trazirat e Marsit”, 19 persona humbën jetën, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë ndërsa qindra të tjerë u plagosën.

Në vitin 2005, Sekretari i atëhershëm i OKB-së, Kofi Annan e emëroi Martti Ahtisaari-n si përfaqësues special në Kosovë. Në vitin 2007, Ahtisaari i prezantoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së raportin në të cilin thuhej se Kosova duhet të jetë e pavarur. Nga ana tjetër, Serbia e refuzoi këtë, duke rekomanduar “autonomi të mbikëqyrur”.

Në linjë me Planin e Ahtisaarit dhe Rezolutën 1244 të OKB-së që parashihte vendosjen e një misioni ndërkombëtar në vend, më 17 shkurt të vitit 2008 Kosova shpalli pavarësinë.

Pavarësinë e Kosovës, shumë shtete evropiane, përfshirë edhe Turqinë, e njohën menjëherë. Sot, 117 shtete e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Ndërkaq, me bllokimin e Rusisë, e cila është mbështetësja më e madhe e Serbisë në arenën ndërkombëtare, Kosova ende nuk ka arritur të sigurojë ulëse (anëtarësim) në OKB.

Kontrolloni gjithashtu

Në Vlorë emërtohet sheshi ‘Adem Jashari’, familja falënderon Shqipërinë për nderimin ndaj Kryekomandantit

Faleminderit Bashkisë së Vlorës, kryetares Brunilda Mersini dhe qytetarëve të Vlorës për nderimin e madh …