Kryeministri Mustafa: Kosova e meriton të jetë anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim zyrtarët e dy organizatave më të mëdha të futbollit në botë, UEFA-s dhe FIFA-s, të cilët po vizitojnë Kosovën.

Gjatë takimit me Senesh Erzik, kryetar i Asociacioneve të FIFA-s, Peter Gilleron, kryetar i FF-së së Zvicrës, që përfaqësojnë FIFA-n, si dhe Thierry Favre dhe Nicolas Luca përfaqësueses të UEFA-s, kryeministri Isa Mustafa theksoi rëndësinë e madhe që ka për Kosovën anëtarësimi në këto dy asociacione të futbollit.

Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, dhe kryetari i Federatë së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Kryeministri Isa Mustafa foli për progresin dhe për përkushtimin e vazhdueshëm të FFK-së dhe institucioneve tjera për ngritjen e infrastrukturës dhe aspekteve tjera që lidhen me krijimin e kushteve për zhvillimin e futbollit kosovar.

Po ashtu, kryeministri Mustafa u shpreh se sporti i Kosovës dhe veçanërisht futbolli, do të kenë përkrahjen e vazhdueshme të Institucioneve të Kosovës, të cilat po punojnë në vazhdimësi për avancimin e sportit, me infrastrukturë moderne, legjislacion dhe subvencionim.

“Federata e Futbollit të Kosovës dhe institucionet tjera kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe ne, me të drejtë presim që Kosova të anëtarësohet në UEFA dhe në FIFA, duke u bazuar në rezultatet e arritura, si dhe në nevojën që futbollistët dhe futbolli kosovar të jetë pjesë ë të gjitha garave të organizuara nga këto dy organizata si të gjitha vendet tjera”, tha kryeministri Mustafa.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …