Sot është mbajtur takimi i dytë publik i Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, me qytetarë për të diskutuar të arriturat, sfidat, por edhe projektet e realizuara gjatë këtij viti.
Qytetarë të shumtë, kryetarët e përfaqësuesit e fshatrave dhe zonave urbane, si dhe shoqëria civile, për disa orë kanë diskutuar dhe kanë parashtruar pyetje të ndryshme duke ngritur çështje me rëndësi nga komuniteti ku jetojnë. Përgjithësisht u vunë në pah investimet që ka bërë Komuna e Ferizajt në të gjitha fshatrat dhe zonat urbane, për të cilat kryetarët e përfaqësuesit e fshatrave dhe zonave urbane falënderuan qeverisjen lokale.
Në hapje të diskutimit, i pari i Ferizajt, Agim Aliu, njoftoi mbi punët, projektet e zhvilluara, si dhe aktivitetet e tjera që janë realizuar gjatë këtij viti. Ai fillimisht është ndalur te realizimi i projekteve infrastrukturore dhe në fushën e shërbimeve publike.
“Përuruam nënkalimin më të madh në historinë e Kosovës – kryeveprën infrastrukturore – nënkalimin te Stacioni Policor në Ferizaj, përuruam Stacionin e ri të Autobusëve – më modernin në gjithë rajonin, për herë të parë lansuan në Ferizaj transportin publik urban. Qyteti i Ferizajt gjatë këtij viti u bë me nënstacion të ri të energjisë elektrike, projekt i nisur më 2018 – bashkëfinancim prej 7 milionë eurosh. Rikonstruktuam në tërësi disa nga arteriet rrugore kryesore të qytetit, me gjithë infrastrukturën përcjellëse, si rrugët: ‘Brigada 161’, ‘Besim Rexhepi’, ‘Bedri Asllani’, ‘Tahir Sinani’, kryqëzimi i rrugëve ‘Driton Islami’ dhe ‘Cen Dugolli’ etj. Po ashtu nisën punimet në rikonstruktimin tërësor të rrugës Ferizaj–Pleshinë, projekt në bashkëpunim me Ministrinë, arterie rrugore kjo 5-kilometërshe. Tashmë është e gjitha e përfunduar rruga Pleshinë–Kashtanjevë me gjatësi 11.5 kilometra, mundësi kjo edhe për turizmin malor. Po ashtu kemi nisur rikonstruktimin tërësor dhe zgjerimin e rrugës mbi 10 kilometra, bashkë me infrastrukturën përcjellëse, në fshatrat Babush i Ri, Prelez, Surqinë, Mirash e Cërnillë, investim ky bashkë me Ministrinë, që shndërron tërësisht këtë zonë”, ka thënë Kryetari Aliu, duke shtuar se janë asfaltuar me dhjetëra rrugë në të gjitha fshatrat e Ferizajt, siç janë: Surqina, Gacka, Komogllava, Dardania, Sazli, Kosinë, Zaskok, Pojatë, rruga kryesore në Zllatar në bashkëfinancim me Ministrinë.
Kryetari Aliu, gjatë fjalës së tij, është ndalur edhe te fusha e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, kur ka përmendur nisjen e hartimit të Planit të ri Zhvillimor Komunal, ku sipas tij ky është Kushtetuta e re urbane.
“I shtuam ferizajasve dhjetëra hektarë hapësira të reja të gjelbërta me masive të gjelbra, si me zgjerimin e Parkut ‘Liria’ me hapësira rekreative-sportive, kënde lojërash, pajisje fitnesi, rregullim të amfiteatrit etj. Vijuam punimet në ndërtimin e Parkut në Kodrën e Sherretëve, në hapësirën e parkut në Grykën e Neredimes, i cili po merr formë çdo ditë, shëtitorja e revitalizuar me shtigje të reja ecjeje, fushë sportive, veranda, ura në ndërtim mbi lumin Neredime, ndërsa po vazhdojnë punimet për ndërtimin e dy parqeve në zonën qendrore të qytetit: Parkut te ish-lokacioni i KRM ‘Pastërtia’ dhe te ish-lokacioni i Stacionit të Autobusëve”, tha ai, duke përmendur edhe rregullimin e parqeve dhe hapësirave të reja publike.
Numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu, është ndalur edhe te investimet që janë bërë në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale.
“Përuruam qendrën më moderne shëndetësore në rajon, Qendrën e Mjekësisë Familjare nr. 2, bashkëfinancim me organizatën ‘Qatar Charity’. Në Qendrën Shëndetësore nr. 2 lansuan shërbimet e plota për pacientët si:
Emergjenca / 24 orë
Stomatologjia / 24 orë
Barnatorja doracake / 24 orë
Kujdesi paliativ / 12 orë
Laboratorët / 12 orë
Po vijojmë punimet në ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, po ashtu edhe në fshatin Koshare po vijojmë punimet për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Shëndetësore”, tha Aliu.
U tha se vetëm gjatë këtij viti, vetëm në fushën e bujqësisë janë ndarë mbi 10 milionë euro investime, ku janë mbështetur qindra bujq e fermerë, si dhe janë realizuar projekte të shumta të rëndësisë kapitale.
Kryetari Aliu është ndalur edhe në fushën e arsimit, ku ka thënë se për të pestin vit me radhë janë ndarë bursa për të gjithë studentët aplikues. Vetëm gjatë vitit 2025 përfituan bursë komunale 1,500 studentë ferizajas, rreth 2 milionë euro mbështetje për studentët.
Kryetari Aliu ka përmendur edhe projektet në fushën e zhvillimit ekonomik dhe turizmit, por edhe atë të kulturës, rinisë dhe sportit.
Ndërkaq qytetarët e pranishëm në këtë diskutim kanë lavdëruar punën e Kryetarit Aliu. Ata janë shprehur tejet mirënjohës për shumë projekte të cilat janë realizuar në të mirën e përgjithshme. Shumica prej tyre kanë parashtruar edhe kërkesa të shumta, siç janë rregullimi i rrugëve, rregullimi i trotuareve, ndërtimi i sallave sportive, shtruarja me zhavorr e rrugëve të arave, si dhe kërkesa për ujësjellës dhe kanalizim.
Pyetjeve të qytetarëve iu përgjigjën drejtorët e drejtorive komunale, por edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.