Kryetari Bahtiri dhe kolonelët Coletta e Gammon biseduan për situatën në Mitrovicë

Kryetari i komunës së Malishevës, Agim Bahtiri, ka pritur në një takim në orët e pasdites, kolonelin Paolo Coletta, komandant i bazës MSU të  karabinierëve italian në Prishtinë, me bashkëpunëtorin e tij, kapitenin Maurizio Pallante dhe kolonelin Ros L. Gammon, nga kontingjenti i forcave amerikane të KFOR-it në Bonstill.

Kryetari Bahtiri dhe mysafirët kanë biseduar për situatën e  përgjithshme në komunën e Mitrovicës, me theks të veçantë për gjendjen aktuale lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër, kthimin e shqiptarëve në pronat e tyre në lagjet veriore dhe rindërtimin e  xhamisë në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër.

Kryetari Bahtiri ju tha mysafirëve se prej ardhjes së tij në krye të komunës, institucionet e pushtetit lokal kanë punuar shumë për uljen e tensioneve dhe përmirësimin e raporteve ndëretnike në komunë.

“Falë kësaj pune, mbështetjes së subjekteve politike që veprojnë në komunë dhe institucioneve më të larta të vendit e atyre ndërkombëtare, por para së gjithash falë maturisë,  syçeltësisë dhe kontributit të vet qytetarëve, të të gjitha përkatësive etnike, situata politike dhe ajo e sigurisë në qytetin e Mitrovicës është përmirësuar dukshëm dhe ajo sot paraqitet stabile dhe me tendencë të vazhdueshme të përmirësimit. Për këtë flasin edhe faktet konkrete, siç janë rënie e madhe e incidenteve ndëretnike dhe e veprave të ndryshme kriminale, që janë publikuar nga organet përkatëse të sigurisë, si dhe lëvizjet e shtuara të qytetarëve nga veriu në jug dhe anasjelltas”, tha kryetari Bahtiri.

Por, për kryetarin Bahtiri, situatën mund ta tensionojnë vonesat për zgjidhjen e  problemit të lëshimit për lëvizje e qarkullim të lirë të urës kryesore mbi lumin Ibër, kthimit të shqiptarëve në pronat e tyre në lagjet veriore dhe rindërtimi i xhamisë në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër.

Kryetari Bahtiri tha në vazhdim se qytetarët e të gjitha përkatësive etnike kanë pritur me padurim se ura kryesore mbi lumin Ibër do të rivitalizohet dhe lëshohet për lëvizje e qarkullim të lirë deri në fund të muajit qershor, ashtu sikur kishte premtuar BE-ja si investitor. Mirëpo, tha ai, kjo nuk ndodhi për shkak të pengesave të pajustifikueshme të liderëve serbë nga veriu i Mitrovicës dhe Qeverisë së  Serbisë, andaj edhe qytetarët u zhgënjyen.

Po ashtu, shtoi kryetari Bahtiri, shqiptarët janë të zhgënjyer edhe për shkak të pengesave që serbët po bëjnë për rindërtimin e shtëpive dhe kthimin e tyre në lagjet veriore, prej nga, para, gjatë dhe pas luftës janë përndjekur nga ekstremistët serbë, si dhe për rindërtimin e xhamisë së Ibrit aty ku ka ekzistuar që nga vitit 1770.

“Ne me mund të madh kemi mbajt nën kontroll pakënaqësinë e qytetarëve dhe kemi  ruajtur kështu qetësinë  e përgjithshme, duke këmbëngul se këto çështje mund të zgjidhen vetëm me dialog dhe rrugë ligjore e assesi ndryshe. Andaj, për të mbajtur situatën të këtillë çfarë e kemi dhe për të përmirësuar akoma atë, kërkojmë nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe ato ndërkombëtare, që të na ndihmojnë në këtë drejtim dhe që këto kërkesa legjitime e humane të qytetarëve të zgjidhen sa më shpejtë”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Mysafirët Coletta dhe Gammon, pasi dëgjuan me vëmendje kryetarin Bahtiri, thanë se janë dëshmitarë të rezultateve të arritura sa i përket përmirësimit dhe stabilizimit të gjendjes në Mitrovicë.

“Ne i përcjellim zhvillimet dhe kemi vetëm fjalë të mira për punën e madhe që keni bërë si kryetar. Që prej kur ju e drejtoni komunën e Mitrovicës, njësitet tona nuk kanë pas rast të intervenojnë, gjë që flet për stabilizim të gjendjes në komunë. I mirëkuptojmë edhe kërkesat e arsyeshme të qytetarëve dhe mbështesim fuqishëm angazhimin tuaj për zgjidhjen në mënyrë paqësore dhe përmes rrugës ligjore të këtyre problemeve sa më shpejt që është e mundur”, thanë ndër të tjera ata.

Kontrolloni gjithashtu

Në Viti shënohet Dita Evropiane e të Drejtave të Pacientëve

Sot, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në komunën e Vitisë me një aktivitet simbolik ka …