Kryetari Bahtiri u prit nga Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi

Kryetari i Komunës së Mitrovicës,  Agim Bahtiri dhe përfaqësuesit  e Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve të Parakohshëm të “Trepçës” u takuan me ministrin Abrashi, me ç’rast biseduan për realizimin e kërkesave në lidhje me nivelizimin e pensioneve.

Ramadan Ademi, përfaqësues  nga kjo sindikatë, fillimisht e njoftoj ministrin Abrashi  për gjendjen e rëndë ekonomiko-sociale të ish minatorëve të “Trepçës”, si dhe për nevojën e marrjes së  masave të menjëhershme nga institucionet përkatëse të vendit, për përmirësimin e kësaj gjendje.

Ai edhe ministrit Abrashi i tha se kërkesë kryesore e minatorëve pensionistë të parakohshëm, por edhe sipas moshës, të “Trepçës”, është njohja e kualifikimeve të arritura gjatë punës, që të zbritet nga 15 në 10 vjet pragu i kontributeve të dhëna para lufte.

Duke u kyçur në bisedë, kryetari Bahtiri kërkoj nga ministri Abrashi që të mbështesë minatorët në kërkesat e tyre, që sipas tij janë të arsyeshme.

“Minatorët kanë dhënë kontribut të madh në zhvillimin e Kosovës. Atyre duhet të ju kthehet dinjiteti i merituar, duhet të ju shpërblehet puna dhe angazhimi i tyre shumëvjeçarë. Minatorët kanë qenë krenaria, jo vetëm e qytetit të Mitrovicës, por e tërë Kosovës. Ata janë simbol i punës dhe atdhetarizmit”, tha kryetari Bahtiri.

Ministri Abrashi, pasi i dëgjoi kërkesat e minatorëve pensionistë,  premtoi rishikimin e mundësive buxhetore për realizimin e kërkesave të tyre.

“Buxheti  është i limituar dhe kemi kërkesa të shumta nga grupe të ndryshme të pensionistëve dhe është vështirë të realizohen të gjitha kërkesat. Ne po mundohemi të kursejmë në mënyra të ndryshme, për të plotësuar sa më shumë kërkesat tuaja e të tjerëve. Sidoqoftë, ne do të bëjmë çmos që gjendja e juaj materiale të përmirësohet”, tha ndër të tjera ministri Abrashi.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga skema praktike në punë

Sot, kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga …