Kryetari Begaj i falënderoi punëtorët shëndetësor për punën e tyre humane

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Hajdin Berisha, në kuadër të përmbylljes së këtij viti, i kanë pritur punëtorët shëndetësorë, nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr.Shpëtim Robaj” në Malishevë, të cilët i kanë falënderuar dhe përgëzuar për punën e tyre humane që janë duke bërë, në shërbim të qytetarëve.

“Unë ju përgëzoi për punën tuaj, sa humane aq edhe të rëndësishme, që jeni duke bërë për qytetarët e Komunës së Malishevës, duke ju ofruar shërbimet dhe profesionalizmin tuaj, në shëndetësi. Puna juaj, jo vetëm humane, por është edhe mbi interesin material. Angazhimi i të gjithë stafit shëndetësor në luftimin e EHKK, pastaj shërbimet tjera, në të gjitha mundësitë që ka QKMF-ja, neve na obligon që ta përkrahim këtë sektor dhe të jemi në shërbimin tuaj. Unë ju përgëzoi për gjithë punën që jeni duke bërë dhe ju dëshiroj suksese në punën e juaj, në shërbim të qytetarëve”, tha mes tjerash, kryetari Begaj.

Ndërsa drejtori komunal për shëndetësi, Hajdin Berisha, pasi i përgëzoi të gjithë për punën dhe angazhimin e tyre, i ndau tri momente me shumë rëndësi gjatë këtij viti: Kontributi në parandalimin dhe trajtimin e etheve hemorragjike (EHKK), vizitat sistematike shëndetësore në shkolla dhe ndarja e çmimit për kontribut në shëndetësi për njësinë e emergjencës, pikërisht për parandalimin e EHKK, janë shumë domethënëse dhe me rëndësi në sektorin e shëndetësisë. Drejtori Berisha, e njoftoi stafin e QKMF-së edhe me angazhimin e drejtorisë në hartimin e statutit të QKMF-së, bazuar në ligjet aktuale dhe nevojat e QKMF-së, statut i cili pritet të finalizohet shumë shpejt.

Në emër të stafit të QKMF-së, ushtruesi i detyrës së drejtorit, Milazim Kryeziu, i falënderoi të gjithë punëtorët për punën që po bëjnë, si dhe komunën për përkrahjen e vazhdueshme në plotësimin e nevojave të QKMF-së. Sipas Kryeziut, QKMF e Malishevës i ka shërbimet më të shpejta për qytetarë dhe shërbimet janë profesionale në të gjithë sektorët. Kryeziu, i ka falënderuar të gjithë punëtorët shëndetësorë për punën dhe angazhimin e tyre, si dhe Komunën e Malishevës, për mbështetje, ndërsa tha se “këto shërbime do të vazhdojnë të jenë në nivel edhe më të lartë, gjithmonë në ruajtjen dhe kujdesin e shëndetit të të gjithë banorëve të Komunës së Malishevës”.

Kontrolloni gjithashtu

NË FERIZAJ U SHËNUA DITA BOTËRORE E INFERMIERISË

Dita Ndërkombëtare e Infermierisë u shënua një takim solemn që u mbajt në Galerinë e …