Kryetari i Ferizajt merr pjesë në varrimin e monsinjor Lucian Avgustinit

Sot në katedralen “Nënë Tereza” të Vaut të Dejës, u bë ceremonia e varrimit të ipeshkvit të Sapës, monsinjor Lucian Avgustini, i cili ndërroi jetë të dielën pas një sëmundjeje të rëndë.

Monsinjor Avgustini ishte i lindur në Ferizaj dhe njihet për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë popullatës shqiptare të kësaj komune në vitet ’90. Në kohën kur të gjitha institucionet komunale dhe kosovare ishin mbyllur për popullatën shqiptare, nga regjimi shtypës i Milosheviqit, monsinjor Avgustini, si drejtues i kishës katolike të Ferizajt dhe i Karitasit, së bashku me kolegët e tij, hapi dyert e kishës për zhvillimin e veprimtarive atdhetare, humanitare, kulturore e artistike.

Në varrimin e monsinjor Lucian Avgustinit, mori pjesë edhe kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa me bashkëpunëtorët. Me këtë rast, kryetari Svarqa dha këtë deklaratë:

“Populli i Ferizajt, i të gjitha besimeve, tek figura e monsinjor Lucian Avgustinit, njohu njeriun i cili përgjatë disa viteve, vuri në dispozicion të nevojtarëve gjithë mundësitë njerëzore e materiale që kishte atë kohë kisha katolike dhe sektorët humanitarë të saj. Duke shërbyer në Ferizaj si drejtues i kishës katolike dhe si udhëheqës i Karitasit, gjatë viteve ’90,  monsinjor Avgustini u vu në ballë të përpjekjeve për të ndihmuar mbijetesën e popullit  shqiptar të kësaj ane, të cilit po i rrezikohej ekzistenca biologjike, nga synimet shfarosëse të regjimit të Milosheviqit. Në kohën e monsinjor Avgustinit, kisha katolike e Ferizajt u bë streha më e sigurt për nevojtarët, por njëkohësisht u shndërrua në qendër kulturore, duke zëvendësuar institucionet e kësaj natyre, që ishin uzurpuar me dhunë.

U shndërrua në vendtakim për intelektualët e veprimtarët, të cilët po përpiqeshin të organizonin rezistencën e padhunshme, për t’i treguar okupatorit se populli shqiptar, e kishte zgjedhur rrugën për të jetuar më vete dhe i pavarur nga Serbia.

Dhjetëra e dhjetëra tubime, shfaqje, manifestime kulturore, promovime librash, kurse dhe ligjërata janë mbajtur ato vite në kishën katolike të Ferizajt. Monsinjor Avgustini dhe bashkëpunëtorët e tij, i kishin hapur dyert me gjithë zemër. Ai thoshte se historia i kishte caktuar fatin që kisha të ishte shtëpi e popullit jo vetëm për besimtarët katolikë, por për të gjithë ata që kishin nevojë për mikpritjen e saj në ato kohë të rënda. Kurrë ndonjëherë populli shqiptar i Kosovës nuk ka qenë më i bashkuar dhe më solidar se ato vite. Në këtë frymë vëllazërie të paparë, kontributi i shquar i monsinjor Lucian Avgustinit dhe bashkëpunëtorëve të tij, zë vend të nderuar.

Ndaj, ferizajasit i detyrojnë mirënjohje të përjetshme qëndrimit, angazhimit dhe veprimtarisë të tij thellësisht njerëzore dhe atdhetare. Shumica e ferizajasve, më shumë se si një prift katolik, monsinjor Avgustinin do ta kujtojnë si një njeri të madh, që veproi drejt dhe njerëzisht në kulmin e shtypjes e të mizorive që po u bëheshin nga regjimi i Milosheviqit. Ai do të kujtohet gjithmonë si pishtar i humanizmit dhe i mirësisë. Zoti qoftë me të”! thuhet në fjalën e kryetarit Sfarqa.

Kontrolloni gjithashtu

Bashkim Ramosaj: Komuna e Deçanit ka fituar të drejtën për shfrytëzimin e tokave në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”

Fitimi i të drejtës për shfrytëzimin e tokave në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” është …