Kryetari i Supremes alarmon për presion politik: Qeveria po injoron vendimet e gjyqësorit

Pas pesë viteve që ai i quajti “pushtet armiqësor ndaj sistemit të drejtësisë”, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, dha një paralajmërim të fortë në konferencën “Ditët e Gjyqësorit”. Ai tha se presionet politike ndaj gjyqtarëve janë bërë shqetësuese dhe po cenojnë seriozisht pavarësinë e gjyqësorit në Kosovë. Shembulli më i qartë i ndërhyrjes politike është mosrespektimi nga ana e Qeverisë në detyrë i vendimit të Supremes, i cili e ndalon një person të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe të ministrit apo kryeministrit. Rexhepi deklaroi se “ky injorim i qëllimshëm i vendimeve gjyqësore minon themelet e shtetit të së drejtës”. “Gjykatat duhet të jenë të lira nga çdo ndikim i jashtëm. Vetëm kështu besimi i qytetarëve në drejtësi mund të mbetet i palëkundur”, theksoi Rexhepi. Kreu i Supremes nënvizoi se unifikimi i praktikës gjyqësore dhe zbatimi i njëjtë i ligjit në të gjitha instancat është themelor për një sistem të drejtë, transparent dhe profesional. Pa këto standarde, vendi rrezikon të përballet me një drejtësi të paqëndrueshme dhe të politizuar. Në anën tjetër, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albet Zogaj, paraqiti një panoramë më optimiste. Ai tha se gjatë vitit 2025, gjyqësori ka realizuar shumicën e zotimeve për reformën e drejtësisë, ndërsa pakoja e ligjeve tashmë është në fazën më të avancuar të harmonizimit juridik. Kontrasti mes paralajmërimeve të Rexhepit dhe optimizmit të Zogajt nxjerr në pah një realitet shqetësues: reforma në letër nuk mund të ketë efekt pa respektim të plotë të pavarësisë së gjyqësorit dhe pa ndërprerje të presioneve politike.

Kontrolloni gjithashtu

Më 24 shkurt nis gjykimi i dytë ndaj Hashim Thaçit, përfshihen edhe Smakaj, Kilaj, Fazliu e Kuçi

Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur 24 shkurtin si datën e fillimit të gjykimit në …